Pak ditë më parë, modeli Oni Pustina dhe balerina e modelja Linda Poda, të cilët prej kohësh iu kishin humbur aparateve fotografike dhe lajmeve rozë, u shfaqën sërish. U kishin munguar gjatë faqeve të medias, por rishfaqja nuk mund të ishte më e bujshme sesa aq. Ajo histori dashurie e nisur para pesë vitesh, gjatë spektaklit “Dancing with the Stars” ku ishin partnerë në kërcim, gjatë këtyre kohëve, dhe pse larg syve të medias, ka vazhduar normalisht derisa ata kanë vendosur të bëhen prindër. Linda u shfaq shtatzënë dhe lajmet e mëvonshme konfirmuan që ata të dy presin një vajzë.
Dhe nuk janë të vetmit që janë dashuruar duke vallëzuar bashkë. Soni Malaj dhe balerini italian Mirko, janë njohur gjithashtu në këtë spektakël dhe pasi mundësia për të qenë çift në skenë mbaroi, ata vazhduan të ishin në jetë dhe sot janë prindër të një vajze.
Ndërsa çifte balerinësh të njohur në prova apo në shkollë, Shqipëria ka disa. Enada Hoxha dhe Gerd Vaso, Ezdalin Gorani dhe Manjola Hasani, Ervis Nallbani dhe Odeta Dishinica, Albi Nako dhe Klaudia Pepa, të gjithë të martuar prej vitesh, apo edhe Anbeta Toromani dhe i fejuari Alessandro Macario.

Tani pyetja është: pse baleti, prodhon çifte më shumë se çdo profesion tjetër në art, apo jashtë tij?
Nuk kemi pyetur psikologë, antropologë, sociologë…thjesht kemi sjellë ca përfundime nga bisedat e zakonshme dhe rrahja e mendimeve kur çështje si ngjyrat e fustanit apo çiftet në balet nisin të të kuriozojnë. Kështu që mos e përdorni këtë artikull si burim për ndonjë temë diplome, por thjesht, nëse dëshironi, mendoni edhe vetë ndonjë arsye apo spjegim më shumë.
Sepse kalojnë shumë kohë bashkë
Balerinët profesionistë duhet të stërviten disa orë në ditë, paradite e pasdite. Ndryshe nga disa disiplina të tjera, ku artistët, orët e provave shpesh i kalojnë vetëm, zakonisht balerinët stërviten në grup dhe sidomos kur bëjnë provat për një shfaqje që është e detyrueshme të punojnë bashkë. Në të njëjtin vend, për orë të tëra, çdo ditë. Nëse për një arsye apo tjetër mes tyre lind një ndjenjë, ajo ka të gjitha shanset për të mos u shuar, sepse ushqehet çdo ditë nga pak.

Arrijnë të njohin karakterin e njëri-tjetrit
Sigurisht baleti, edhe pse art, për vetë balerinët, është edhe puna e tyre e përditshme dhe të gjithë e dimë që pavarësisht sjelljeve që të imponon një vend pune, me kalimin e kohës njerëzit shfaqin edhe pjesë të personalitetit apo karaketrit të tyre. Dhe të njëjtën gjë bëjnë edhe balerinët. Gjatë kohës së kaluar bashkë ata njohin korrektesën, përkushtimin, sedrën, tolerancën, e shohin partnerin si reagon në situata stresi, si e menaxhon lodhjen, mërzitjen, sulmin, sa i aftë është të ngrihet nga një rrëzim dhe të japë dorën për bashkëpunim. Dhe këto vlejnë shumë edhe në jetën reale.

Zbulojnë a funksionojnë si çift
Sigurisht që ka çifte balerinësh në skenë që nuk kanë asnjë marrëdhënie romantike në jetën private, por në rastet kur këto ndjesi kanë lindur mes tyre, profesioni i balerinit, provat dhe shfaqjet ku kërcejnë bashkë, janë një nxitës i mrekullueshëm. Ata mësojnë të kuptohen pa fjalë, njohin shenjat e lodhjes së njeri- tjetrit dhe shfaqin predispozitën për ta ndihmuar partnerin, korrigjojnë njëri- tjetrin pa e bërë të madhe dhe e ndihmojnë të përmirësohet, ndajnë sekrete profesioni, japin gjithçka nga vetja që kombinimi i të dyve të fitojë, ata mundohen për harmoninë, i pranojnë dhe i kalojnë lehtë defektet e secilit dhe, pavarësisht gjithçkaje, vazhdojnë ta duan çiftin e tyre. Mjaft! Pse nuk u bëmë të gjithë balerinë?

Kanë kontakt të vazhdueshëm fizik
Në një histori dashurie kontakti fizik është në fillim një nevojë e më pas, vazhdimisht, edhe një ushqim i rëndësishëm që ajo të vazhdojë. Kujtoni fillimin e një historie dashurie, dëshirën për të prekur duart si pa dashje, befasinë nga butësia e lëkurës së saj, apo e krahëve të tij të fortë, aroma që ndjeni në një përqafim…Të gjitha këto balerinët i kanë të garantuara për shkak të profesionit të tyre. Dhe sigurisht edhe pse atyre nuk u bën ndonjë përshtypje e madhe kontakti fizik, janë të aftë të diferencojnë aromën dhe butësinë e lëkurës së dikujt që kanë në zemër.

Janë në raporte të barabarta femra meshkuj
Ky është një problem i vërtetë sociologjik . Në shumë vende pune, që mund të ishin ideale për të lindur histori dashurie sepse njerëzit sot kalojnë gjithmonë e më shumë kohë në punët e tyre, shfaqet problemi i mbizotërimit të një apo një tjetër gjinie. Dhe kjo nuk është aq problematike në balet. Kjo fushë kërkon njëlloj meshkuj dhe femra dhe raportet e njëjta favorizojnë krijimin e çifteve, atyre skenikë dhe atyre romantikë.