Muza e haresë e shkrimtares italiane Goliarda Sapienza, ka dalë në librari prej pak ditësh…Njihuni me botën e saj të sjellë mjeshtërisht nga Aida Baro në shqip e cila ka përshtatur dialektet siçiliane dhe romane të këtij libri me të folmet e Jugut dhe ‘Tironës’.

Muza e haresë

Titulli në origjinal: L’arte della gioia

Autori: Goliarda Sapienza

Përktheu: Aida Baro

Zhanri: Roman

Data e botimit: nëntor, 2016

Botime Pegi

Numri i faqeve: 650

Çmimi: 1200 lekë

Ky libër është një himn kushtuar haresë. Haresë më të thjeshtë që mund të ekzistojë, ajo që na vjen nga ndërgjegjja dhe pranimi i vetvetes, e bashkë me të vjen pranimi i të tjerëve, i gjërave dhe njerëzve që, sidoqoftë, bashkëpunojnë për të krijuar atë lumturi që askush s’mund të na e rrëmbejë.

“Muza e haresë” është libri rebel dhe skandaloz i një shkrimtareje të jashtëzakonshme. Është një roman aventure, një autobiografi e trilluar. Është një roman formimi, por edhe erotik, politik dhe sentimental. Modesta është një grua siçiliane, “kock’e fortë”, me një gjallëri dhe pasion të pazakontë, thuajse imorale për rregullat e shoqërisë së asokohshme, tek e cila dëshirat epshore gërshetohen me zgjuarsinë. Ajo përshkon të gjitha tufanet historike dhe stuhitë sentimentale, e mbrojtur nga një hajmali e paepur e brendshme: muza e haresë. Modesta lind më 1 janar 1900 dhe qysh prej atij çasti veçse ndërton e formon vetveten, pjesë pas pjese, gabim pas gabimi, gëzim pas gëzimi. Ajo përjeton mbi kurrizin e vet të gjitha detyrimet e mundshme që i shtron jeta përpara, krejt shpërfillëse ndaj sjelljeve të kohës, ndaj gjykimit të njerëzve, ndaj zakoneve shoqërore, seksuale dhe fetare. Historia e saj është ajo e një shpirti dhe e një trupi, krejtësisht të pazgjidhshëm nga njëri-tjetri, që përshkojnë shekullin XX, me vullnetin dhe ndërgjegjen për të qenë vetvetja, plotësisht dhe me çdo kusht, pa iu ndrojtur vetmisë, pikëllimit, keqkuptimeve, luftës dhe dhunës. Kryefjala e jetës së saj është liria. Mosbindja është virtyti i saj më i lartë.

Kritika

... është një roman i vërtetë, që do t’ju tërheqë e do t’ju tronditë, një roman plot drithërima e zgjuarsi, konkret në maksimum, erotik dhe familjar, psikologjik dhe politik, me rrënjët në një ishull të populluar nga bajamet e egra dhe nga hakmarrjet. Një roman që na paraqet këndvështrimin e një gruaje të jashtëzakonshme për jetën tonë, paragjykimet tona, aktualitetin tonë.
Catherine David, Nouvel Observateur

Goliarda Sapienza është një shkrimtare siçiliane e mrekullueshme, që në hovet e saj, herë racionale, herë pasionale, na tregon një dell shkrimtari që s’ka të dytë.
Le Monde

Qysh nga fillimi shpërthyes e trazues deri në notat e qeta të mbylljes së tij lirike, ky roman është i mbushur me pasion, ide, aventura dhe mister.
San Francisco Chronicle

Po aq i pacak, i plotë dhe i parezistueshëm si gruaja që ka në qendër, romani “Muza e haresë” përputhet krejtësisht me titullin që ka. Ndjenja e fuqishme e Modestës për të jetuar kapërcen çdolloj pengese që mund t’i vijë nga “dhembja, poshtërimi dhe frika” dhe ajo arrin të përqafojë “rrjedhën e jetës”.
The Independent

Autorja

Goliarda Sapienza lindi në Katania, Siçili, në një familje revolucionarësh socialistë. Aktivitetin letrar e nisi me romanin Lettera aperta (1967), pasuar me tituj të tjerë, ndër të cilët “Muza e haresë”, që pa dritën e botimit vetëm pas vdekjes së saj. Shkrimtare e refuzuar dhe e censuruar në gjallje, sot librat e saj po rivlerësohen në rang ndërkombëtar.

Fragmente nga libri

Bari i ri çelej nën peshën e trupit tim të vdekur, më tërhiqte larg për t’u përplasur pas mureve rrethuese të manastirit, ndërsa rruzulli i përflakur i diellit binte buzagaz mes krahëve të Orëprerës. Dielli gënjente, ai e dinte që nuk do të vdiste kurrë...

Ajo fjalë, “dashuri”, ishte e pashmangshme dhe e prerë, si lindja dhe vdekja dhe, me vetëdije duhej ta pranoje që s’e dije pse ekzistonte, kur, si e ku ndodhte, e drejt cilash brigje të bokërimta apo lëndinash të blerta do të na shtynte. Dhe unë shtyj me të gjithë trupin dhe ndjesitë, por ai lëmsh mishi që me intervale të rregullta, siç pasojnë njëra-tjetrën dita dhe nata, zgjohet dhe përplaset pas mureve të barkut tim e nuk do të dalë. Ishte Prandoja, i patrajtë e i palindur, që luftonte brenda meje apo isha unë, e patrajtë dhe e palindur, që luftoja duke gërmuar mes qepjeve metalike të ballit tim për të dalë jashtë? Pareshtur, përpëlitesha për të rilindur… Dhe në një ag të mjegullt të ngjyer lehtazi me mellanin e zhegut linda, pjellë e vetes sime, a thua se dallga e madhe e dhembjes mishtore, duke më kaluar sipër kokës e duke rënë pas, larg krahëve të mi, të kish marrë me vete të gjitha mundimet, hidhërimet, planet e hareshme, tashmë të mbytura në shkëmbin e vdekjes së Karlos. Oh ç’brengë të madhe shkaktonte zhgënjimi për ato plane të dështuara brenda pak orësh.

Ja si fillon ndarja. Sipas tyre, Kokona, vetëm pesë vjeçe, qysh tani duhet të lëvizë ndryshe, të vetëpërmbahet, t’i mbajë sytë poshtë, për të kultivuar brenda vetes zonjushën e së nesërmes. Si në manastir: ligje, burgje, histori të ngritura nga burrat. Por ama, gruaja ka pranuar të mbajë çelësat: rojë e paepur e fjalës së burrit. Në manastir, Modesta i urrente gardianet e saj me urrejtjen e skllaves, urrejtje poshtëruese por e nevojshme. Sot, me maturi e siguri, e mbron Kokonën nga meshkujt e femrat, se tek ajo mbron vetveten, të shkuarën e saj, një bijë që ndoshta me kohë mund t’i lindë…