Zigzage takimesh
Titulli në origjinal: Nos séparations
Autori: David Foenkinos
Përktheu: Edmond Tupja
Zhanri: Roman
Data e botimit: Janar, 2015
Numri i faqeve: 206
Çmimi: 800 lekë
Kjo është historia e dashurisë së parë dhe të fundit.
Frici takohet për herë të parë me Alisën në moshën 20-vjeçare. Është dashuri me shikim të parë, është dashuria e madhe e jetës së tyre. Megjithatë, fati nuk parashikon një bashkim jetëgjatë dhe të fortë për ata. Historia e Fricit dhe e Alisës është një histori ndarjesh dhe ritakimesh. Ata e hasin njëri-tjetrin në rrethana herë komike, herë dramatike, herë mallëngjyese, herë rastësore dhe në atë çast ngjan sikur koha ka ndaluar në vend. Duke përshkuar historinë e Alisës dhe të Fricit, autori ndalet, me ironi, mbi aspekte të shumta që karakterizojnë marrëdhëniet në çift. Nga takimi me vjehrrit e ardhshëm, në hapat e parë në botën e punës; nga dashnorja e flaktë dhe depresive, te ndjekja e dehur në një varrezë, romani i David Foenkinos-ë është një karusel marramendës situatash që na duken të skajshme, ndonjëherë qesharake, por gjithnjë të skicuara me ironi mjeshtërore dhe delikatesë nga një autor që pikërisht delikatesën ka pikën e tij më të fortë. Për të gjitha çiftet e dashuruara. Për të gjithë ata që e kanë njohur dikur dashurinë dhe e kanë humbur atë. Për ata që besojnë në përfundimet e lumtura, edhe kur nuk ka asnjë arsye për të besuar.

Gjemia e Mbytur
Fatos Kongoli
Roman
Shtëpia botuese: Toena
Sa rëndësi ka për ne e shkuara? Mund të bashkëjetojmë qetësisht me të pathënat? Mund të jetojmë të qetë nëse dikush do të gërmonte të shkuarën tonë? Këto pyetje nuk lidhin vetëm të djeshmen dhe të sotmen e një njeriu. Këto janë ura të rëndësishme për të gjithë shoqërinë. Sidomos kur dy këmbët e së njëjtës urë u përkasin botëve të ndryshme – një në diktaturë e tjetra në liri. Fatos Kongoli vjen përmes romanit “Gjemia e mbytur” për të rikthyer edhe një herë pikëpyetjet e një jete në kërkim të identitetit të humbur si fill në diktaturë e që ka nevojë të ndërtojë “vijat e bardha” të një rrugë të re. Nga Agim Baçi

Deti nuk mban pengje
Karen Gillece
Roman
Përktheu: Margarita Sulaj Skënderi
Shtepia botuese: Dudaj
Çmimi: 1000 lekë
Në një treg të zhurmshëm brazilian, një djalë i vogël zhduket sa hap e mbyll sytë, pa lënë asnjë gjurmë... Ekzistenca e nënës së tij, që bënte një jetë të lirë duke udhëtuar nëpër Amerikën e Jugut së bashku me të dashurin dhe të birin, merr befas një kthesë të vrazhdë. Pas dy vjetësh, e dërrmuar nga kërkimet për të birin e zhdukur, Njacion, dhe e zhgënjyer nga largimi i të dashurit të saj, Lara kthehet në shtëpinë e fëmijërisë, në bregun jugperëndimor të Irlandës.
Ndërsa përpiqet të pajtohet me gjendjen dhe ta pranojë humbjen e saj, Lara gjen sërish miqësinë e Kristit, të dashurit të saj të fëmijërisë, i cili e gjen veten gjithmonë e më të tërhequr nga natyra e saj bohemiane. Por ajo që nis si një interes i saj ndaj së shkuarës përfundon duke u kthyer në një makth. Ndërsa Lara përpiqet ta ndreqë sërish jetën e saj pa i humbur kurrë shpresat për Njacion, Kristi fillon të shkatërrohet.
“Deti nuk mban pengje” është një histori pasioni dhe tradhtie, e pasojave të kërkimit të dashurisë gjithmonë në vendin e gabuar dhe i bindjes së patundur të një nëne zemërlënduar, se i biri do të kthehet tek ajo - edhe kur të gjitha shpresat duket se janë shuar.

Wolfgang Herrndorf
Pse e rrëmbyem makinën?
Roman
Përktheu: Sokol Mici
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 800 lekë
Nëna në klinikën e rehabilitimit, babai që shkon me shërbim me sekretaren. Maik Klingenbergut i mbetet t’i kalojë pushimet e mëdha vetëm në pishinën e shtëpisë prindërore. Po pastaj shfaqet Tiku. Tiku, në fakt Andrej Tihatov, banon në një nga pallatet e larta sociale të Hellendorfit, po ka arritur të kalojë nga shkolla speciale në gjimnaz, megjithatë nuk duket të jetë një shembull klasik integrimi. Veç të tjerash ai ka edhe një makinë të vjedhur. Dhe kështu fillon një udhëtim i paharruar pa hartë dhe kompas nëpër provincën gjermane në një verë përvëluese, i paharrueshëm si udhëtimi me anije i Tom Sojerit dhe Hak Finit.

​Giuseppe Catozzella
Mos më thuaj që ke frikë
Roman
Përktheu: Adrian Beshaj
Shtëpia botuese: Dudaj
Çmimi: 800 lekë
Një roman i paharrueshëm. Historia e vërtetë e një vajze që nuk ndaloi kurrë së ëndërruari.
Samia është një vajzë nga Mogadishoja. Vrapimin e ka në gjak. Çdo ditë ndan ëndrrat e saj me Alin, mikun e zemrës, të besuarin dhe të parin trajner të apasionuar. Ndërkohë përreth, në Somalinë e konflikteve të forta politike e fetare, armët flasin gjithnjë e më fort gjuhën e pushtetit. Samia shikon larg dhe te këmbët e saj të holla shikon mundësinë për shpagim për vuajtjet e vendit të saj dhe të grave somaleze. Stërvitet natën në stadiumin e shkretë duke iu fshehur syve të integralistëve dhe spiunëve të tyre dhe garat e para, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, e kualifikojnë për në Olimpiadën e Pekinit. Arrin e fundit, por ama bëhet një simbol për gratë myslimane në të gjithë botën. Ëndrra e saj është të fitojë. Takimi i ardhshëm është Olimpiada e Londrës e vitit 2012. Por gjithçka bëhet më e vështirë, integralistët fitojnë gjithnjë e më shumë pushtet. Samia vrapon e veshur me burkë dhe përballet me një humbje të tmerrshme, ndërsa “vëllai i një jete të tërë” ia ndryshon përgjithnjë jetën. Një natë niset më këmbë. Në kërkim të lirisë dhe ëndrrës për të fituar olimpiadën. E vetme ndërmerr udhëtimin prej tetë mijë kilometrash, odisenë e emigrantëve nga Etiopia në Sudan, përmes Saharës, në Libi, për të mbërritur nga deti në Itali.

Mikesha
Simone de Beauvoir
Përktheu: Diana Çuli
Zhanri: Roman
Data e botimit: Shkurt, 2015
Numri i faqeve: 442
Botime: Pegi
Çmimi: 1000 lekë
Pjesë e rëndësishme e koleksionit Lotus, “Mikesha” është romani që prek në plagë falë evokimit të ndjenjave dhe mendimeve që mundohemi gjithmonë t'i varrosim thellë brenda vetes.
“Mikesha” është një roman i autores franceze Simone de Beauvoir, i botuar për herë të parë në vitin 1943. Romani është një rrëfim autobiografik letrar i lidhjes që autorja dhe partneri i saj, Jean-Paul Sartre, kanë pasur me Olga Kosakiewicsz-in. Romani u konsiderua për fitimin e çmimit Goncourt. Ngjarjet zhvillohen në Paris, në fillim dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lidhja e hapur e Fransuazës dhe Pierit tendoset kur ata krijojnë një trekëndësh dashuror me shoqen e tyre të re, Ksavierën.
Historia ndjek këtë grup intelektualësh të rinj përgjatë mbrëmjeve dhe festave të tyre që mbarojnë gjithmonë kur agon, mbi një copëz trotuar, në dhoma mbytëse hotelesh me një yll, nëpër rrugët e ngushta të Parisit. Ndjekim kështu thurjen e shqetësimeve, skandaleve, flirteve, variacioneve të pafundta të xhelozisë, predikimeve, sinqeriteteve të dyshimta, urrejtjeve, hatërmbetjeve, e të tjera e të tjera. Dy profesorë, Sartre-i dhe de Beauvoir-i, dashurohen që të dy pas Ksavierës, një mistrece e vogël tallëse që ka shijen e një karameleje të thartë.
I prezantuar shpesh si romani i shkruar në hakmarrje të gruas që pothuajse shkatërroi lidhjen e hapur të Beauvoir-it me Sartre-in, shpesh mendohet se ky libër përmban vetëm pasion dhe seks. Në të vërtetë, romani paraqet një personazh kryesor të mbytur nga pikëpyetjet ekzistencialiste, teksa ajo përpiqet të zbulojë kush është dhe ç'vend i përket në botë. Duke eksploruar koncepte ekzistencialiste si liria, ankthi dhe tjetri, Beauvoir-i shkruan në mënyrë kaq elokuente mbi natyrën njerëzore, sa i shtyn lexuesit të nisin një hulumtim të ndjenjave të tyre më të fshehta.
Për të gjithë ata që kërkojnë një interpretim të ri të çiftit, dashurisë dhe xhelozisë. Për të gjithë ata që e konsiderojnë veten si lexues të mirë dhe që janë në kërkim të perlave të panjohura në shqip. Për të gjithë ata që janë apasionuar pas koleksionit Lotus.
