Koncepti i kafelibrarive nuk është i ri dhe as që mund të quhet “shpikje” e kohëve të fundit. Parisi i viteve ’30- ’40, gëlonte nga kafenetë letrare, që frekuentoheshin prej shkrimtarësh, filozofësh e artistësh si: Hemingway, J. P. Sartre, Salvador Dalí, T. S. Eliot, F. Scott Fitzgerald e me radhë. Le Deux Margot, La Rotonde në Paris, Cafe Braunerhof në Vienë dhe The Literary Cafe në Shën Petërburg janë ndër kafenetë letrare më të famshme në botë.

Vitet e fundit, edhe në Tiranë ka nisur të krijohet tradita e kafelibrarive; kafé të cilat ju ofrojnë hapësirat e nevojshme për të lexuar e studiuar, nëse këtë gjë nuk keni dëshirë ta bëni në shtëpi. Në kryeqytet tanimë ka disa kafelibrari, ku krahas shijimit të një kafeje a çaji, mund të shijoni edhe një libër. Ministria e Kulturës ka ndërmarrë nismën “Një kafe & një libër”, projekt i cili synon të përkrahë hapjen e sa më shumë vendeve që promovojnë dhe nxitin kulturën e librit tek të rinjtë. E7E, Libraria Tirana Times dhe Friend’s Book House janë disa nga kafelibraritë në Tiranë. Ne i kemi vizituar, ja ca gjëra interesante që mësuam:

 

Friend’s Book House - Është e para kafelibrari që është hapur në Tiranë, pikërisht në tetor të vitit 2002. Me emrin gjithëpërfshirës dhe ftues, ajo duket të jetë vendi ideal i miqve të librit, se libra në këtë vend ka mjaft. Sapo hyn, kafelibraria të ngjan me një shtëpi, për shkak të ngjyrës së drurit dhe librave në çdo pjesë të saj. Shkallët e ngushta ta përforcojnë edhe më tepër ndjesinë e të qenit në një vend të njohur e të dashur. Salla e leximit është zgjedhja dhe zgjidhja e shumë lexuesve që rendin në kërkim të një këndi të qetë për të përfunduar librin e tyre. Pas erës karakteristike të librave, tabloja plotësohet kur vjen brunch-i, që sjell aromën e çajit të malit dhe bukës së thekur me gjalpë. Takimet mes miqsh dhe njohës së librave, nuk mungojnë në asnjë periudhë të vitit në kafelibrari, madje vështirë të gjesh kohë kur aty nuk diskutohet a promovohet një libër. “...dhuro një libër dhe kujtimi mbetet”- kjo ka qenë përherë motoja e FBH, e cila synon t’i afrojë sidomos të rinjtë drejt mikut të tyre të përbashkët.

E7E - E çelur dy vjet pas së parës, në vitin 2004, dhe e destinuar për t’u përdorur si një vend takimi,  kafelibraria E përshtatshme, është një hapsirë e ngrohtë në dimër dhe e freskët në verë, ku mund të lexoni në mjediset e brendshme, ose në kopshtin e saj të jashtëm. Biblioteka e madhe prej 6000 titujsh (Po, e lexuat mirë, 6 mijë!), ju jep mundësinë të blini, të merrni hua një libër apo të shfletoni ndonjë prej revistave (letrare, kuptohet) që E7E ka. Ndjesia “si në shtëpi” që krijon ky ambient, i tërheq shumë studentët, që përpiqen t’i shpëtojnë rutinës së orëve të studimit (sidomos në sesionet e provimeve). Organizimi i mbrëmjeve poetike është bërë traditë tashmë në librarinë-kafe; vetë shkrimtarët zgjedhin këtë ambient për të prezantuar librat e tyre. Për shembull, shkrimtari dhe përkthyesi Edmond Tupe është mik i përhershëm i E7E-së. Panairi i librit të përdorur, ose siç njihet nga të gjithë “Used Book Fair” organizohet çdo dy muaj, javën e dytë të muajit. Një mundësi e shkëlqyer për të gjithë book-dashësit që janë në kërkim të librave të rrallë në gjuhë të huaj. Pak a shumë si një ekspeditë në kërkim të thesarit!

 

Libraria Tirana Times- E vendosur në një prej zonave më të privilegjuara të Tiranës, Libraria është një vend i hapur rishtas, por tepër, -theksoj tepër- i këndshëm dhe shumë mikpitës, me një frymë ndryshe. E zonja e Librarisë (shumë e këndshme edhe ajo!), Jerina, na tregon historinë se si ka ka marrë jetë projekti për të hapur kafelibrarinë. Është çelur më 14 shkurt të vitit të kaluar, dhe jo rastësisht. “Kjo për të thënë se ne e bëjmë çdo gjë me dashuri” -thotë ajo. Ideja i ka lindur pasi ajo vetë është një njeri që i do fort librat, filmat. Nga fëmijëria kujton me nostalgji lagjen e saj të vjetër me kinema dhe librari, ndaj Libraria Tirana Times herë pas here kthehet në kinema! Motoja e saj është: “Libra të mirë, çaj dhe kek i mirë, verë dhe muzikë me shije!” Pra, gjithçka perfekte. Vizitorë të rregullt të LTT janë studentë që kërkojnë pak qetësi dhe një vend të ngrohtë ku të lexojnë, njerëz të dhënë pas librave, si dhe gra, të cilat preferojnë t’i kalojnë pasditet të shoqëruara vetëm nga një libër i mirë dhe një gotë verë. “Ky grup mjaft interesant lexuesesh, më habit dhe më gëzon njëkohësisht, sepse kuptoj se gjërat kanë ndryshuar për mirë për femrat”- tregon Jerina. Librarinë nuk mungojnë ta vizitojnë as diplomatë, deputetë a politikanë që u bie rruga atypari, po që libraria i grish të futen brenda. E ka këtë fuqi!