Fatime Vata, mësuesja që u dencua mbrëmjen e djeshme nga kamera e fshehtë e emisionit “Stop”, duke dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht nxënësit e klasës së parë, është marrë sot në pyetje nga komisariati nr. 3 në Tiranë. Burime nga policia aknë thënë për Opinion.al se mësuesja ka qëndruar për afro 30 minuta në komisariat dhe është shprehur e penduar për sjelljen e saj.

Po të njëjtat burime sqarojnë se ajo nuk do të ndiqet penalisht, pasi prokuroria nuk ka ngritur ende akuzë ndaj saj. Madje, as prindërit e nxënësve që kanë denoncuar në “Stop” nuk kanë bërë denoncim në polici. Mësuesja është pyetur rreth këtij momenti të shfaqur në video dhe ka thënë se “ka qenë një moment lodhjeje për të, ku situata i kishte dalë nga kontrolli”.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, pas transmetimit të pamjeve nga "Stop", e ka pezulluar nga puna Vatën.

Skandali i denoncuar mbrëmjen e djeshme është një rast tjetër dhune në shkolla. Video është shpërndarë edhe në rrjetet sociale ku reagimet kanë qenë të ashpra.