Aktorja e famshme turke, Tuba Büyüküstün, e njohur për rolin e Elifit në serialin turk “Diamante dhe dashuri”, nuk është vetëm një aktore e suksesshme. Përveç aktrimit, vitin e fundit Tuba ka marrë përsipër një mision tjetër: Ambasadore e UNICEF-it për Turqinë.

Në një vizitë njëditore, në kampin e refugjatëve të ardhur nga Siria, “Za'atari”, në Jordani para pak ditësh, aktorja turke është takuar me vajzat siriane, të cilat janë larguar para 4-vjetësh nga vendi i tyre për shkak të luftës: “Jam e habitur nga forca dhe karakteri i këtyre vajzave. Disa prej tyre jetojnë për më shumë se dy vjetësh këtu, por ende nuk i kanë shuar shpresat dhe ëndrrat për të ardhmen e tyre”,- ka thënë Tuba për mediat. Në një prej tri shkollave që drejtohen nga UNICEF-i, aktorja turke takoi Omaima-n, një vajzë 14-vjeçare nga Dera’a (Siria e Jugut), e cila jo vetëm nuk është ndalur para sfidave të të jetuarit në kamp, por është e vendosur për të përfunduar studimet dhe për t’u bërë mjeke në të ardhmen.

“Fuqia e artit është një burim i pashtershëm energjie. Këto vajza nuk kanë hequr dorë nga energjitë, ëndrrat dhe shpresat e tyre. Është shumë e rëndësishme t'u japim mundësi fëmijëve sirianë për të mësuar para se të jetë vonë. Prandaj jemi këtu. Për t’u dhënë këtyre vajzave shpresë dhe dëshirë për të jetuar. Kur pashë sytë e nënave, kuptova se aty gjendej forca e fëmijëve për të vazhduar përpara”,- ka thënë aktorja turke.

Vizita e aktores turke është parë si shumë pozitive dhe inkurajuese për 15.000 fëmijët sirianë që ndjekin tri shkolla në kampin “Za'atari”. Përfaqësuesi i UNICEF-it në Jordani, Robert Jenkins, është shprehur se Tuba është një model për fëmijët në të gjithë rajonin dhe, pa dyshim, vizita e saj do të frymëzojë fëmijët për të realizuar ëndrrat e tyre në të ardhmen.

Tuba Büyüküstün, fituese e disa çmimeve kombëtare dhe kandidate për çmimin Emmy, u emërua si Ambasadore e UNICEF-it për Turqinë, në vitin 2014. Vizita e saj në Jordani është udhëtimi i parë ndërkombëtar në këtë rol.
