Janë vënë sërish në shenjestër të policisë këngëtarja nga Shkupi, Altuna Sejdiu dhe partneri i saj, Cozman. Mbrëmjen e së premtes, disa media kosovare kanë publikuar lajmin se dy këngëtarët janë ndaluar nga policia në Ulqin, pasi në makinën e tyre është gjetur lëndë narkotike e llojit marijuanë. Për këtë shkak, eventi i organizuar në Ulqin nuk është realizuar.

Megjithatë, gjatë paradites së sotme, është bërë publike një deklaratë e menaxherit të dy këngëtarëve, nëpërmjes së cilës thuhet se lajmi që Tuna dhe Cozman janë arrestuar mbrëmë në Ulqin, nuk është i vërtetë: “Artistët janë në Prishtinë dhe nuk kanë udhëtuar fare në Ulqin. Lajmi për arrestimin e tyre nuk është i vërtetë”, thuhet në reagimin e menaxherit të këngëtarëve, i cili shton më tej se Tuna dhe Cozman nuk kanë mundur të shkojnë në Ulqin, për shkak të kolonave të gjata dhe aksidenteve në autostradën “Ibrahim Rugova”: “Sonte, FENIX Team është në rrugë drejt Ulqinit në Disco “Fama”. Por, për shkak të disa problemeve me dokumentacion, ekipi po ka vështirësi në kufi. Këtu kanë ndikuar edhe kolonat e mëdha dhe vonesat pas aksidenteve në autostradën "Ibrahim Rugova". I gjithë ekipi po bën përpjekje maksimale që të arrijë në kohë në FAMA club për të perfomuar hitin e ri ‪#Holla. Ju faleminderit për mirëkuptimin...” – është shkruar mbrëmjes e së premtes në profilin e Cozman në Facebook. Sipas menaxherit, dy artistët janë në Prishtinë dhe sot do të performojnë në Vushtrri.

Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga këngëtarët, ashtu siç nuk dihet nëse kjo deklaratë mohuese e menaxherit është reagim i njëjtë me atë të herës së kaluar, kur u tha se Tuna dhe Cozman xhironin klipin në Dhërmi, por në të vërtetë, Cozman ishte kapur nga policia dhe një ditë më pas doli në gjyq në Tiranë.