Festat e dhjetorit nuk do të kishin dritën që kanë nëse nuk do të ishin edhe festa mirësie. Është koha për t’u ndalur, për të vlerësuar, për të qenë mirënjohës për atë që ke e për ta ndarë me të tjerët, në mënyrë që të gjithë ta ndiejnë gëzimin e këtyre ditëve. Këtë ka vendosur të bëjë edhe Teleperformance Albania. Festën e fundvitit të kompanisë së saj ka vendosur ta kthejë në një event bamirësie. Pjesë e një korporate të madhe botërore, e cila është vazhdimisht e angazhuar në kujdesin dhe lehtësimin e punonjësve të saj, ka menduar që eventin e fundvitit ta organizojë si një mbrëmje bamirësie në mbështetje të fondacionit Down Syndrome Albania.
Synimi i Teleperformance Albania është t’u vijë në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë dhe ka zgjedhur DSA, si një fondacion i cili ofron trajtime falas për fëmijët me sindromë Down, për ta mbështetur në këtë punë sa të bukur, aq edhe të ndërlikuar.
Mbrëmja festive e kuruar nga Class Events do të organizohet ditën e hënë më 19 dhjetor në Hotel Sheraton. Eventi do të hapet me fjalime të autoriteteve të ftuara për të vazhduar me programin artistik dhe argëtues të mbrëmjes, e cila ka qëllim kryesor grumbullimin e fondeve për DSA, sepse nuk synon të jetë thjesht një festë, por dëshiron të bëhet një përqafim i ngrohtë dashurie dhe ndihme për fëmijët që kanë nevojë!