Ditët e fundit, pas shkëlqimit të diellit dhe temperaturave të larta, kuptuam vërtet që kemi hyrë zyrtarisht në stinën e pranverës… Lulet shumëngjyrëshe që kanë çelur kudo, na e dëshmojnë vazhdimisht bukurinë e kësaj stine dhe sigurisht që na nxisin të mendojmë rreth kombinimeve që mund të bëjmë me to, duke i bërë ditët tona më të bukura.

Njërin prej kombinimeve, Class Events e ka servirur magjishëm në një festë ditëlindjeje në vilën “Padam”, me një ndërthurje lulesh dhe ngjyrash që krijojne një atmosferë tipike pranverore.

Në një ambient që mbizotëronte ngjyra rozë, romantike dhe e ngrohtë, në tavolinën e bardhë qëndronin të vendosura bukur lulet e stinës, trëndafilat, tulipanët dhe lulet e kumbullës, të gjitha të harmonizuara me njëra-tjetrën nga Frida e Floral Fantasy.

Por jo vetëm kaq, tematika “Spring Blossom” shkon edhe përtej luleve…Një kombinim shumë i guximshëm, por njëkohësisht elegant, mund të konsiderohet edhe ai i sotopjatave ngjyrë argjendi me servisin e florinjtë, që ndriçonin në mënyrë fantastike nën dritën e qirinjve romantikë. Torta, gjithashtu ishte e kombinuar me ngjyrat e pastelit dhe atë të argjendit, por, nuk duhet të lëmë pa përmendur dhe mënyrën e servirjes së shampanjës së kombinuar me flokët e sheqerit, një koncept i ardhur ndryshe nga designer-ja e Class Events.

Sigurisht që një detaj shumë i rëndësishëm i këtij eventi ishte edhe risia që Class Events sjell te karriget, duke kërkuar gjithmonë të bukurën dhe duke e sjellë atë ekskluzivisht pranë klientit… Tiffany Phoenix, është linja e karrigeve që vijnë në Shqipëri ekskluzivisht nga kompania lider në tregun e eventeve, Class Events.