Violinisti i njohur shqiptar, i cili ka shëtitur gjithë botën dhe e ka bërë këtë shëtitje pjesë të muzikës së tij dhe orkestrës International Clandestine Orchestra, do të organizojë një koncert në Pallatin e Kongreseve më 19 prill.

Sot, ka përfunduar shitja e biletave në faqen e eventit Live in Tirana Olen Cesari&ICO dhe do të nisë shitja në publik.

Oleni ka interpretuar edhe para dy vitesh në skenën e Pallatit të Kongreseve në një koncert shumëdimensional ku ai, me një mjeshtëri dhe dinamizëm të pazakontë, sjell melodi të kontinenteve të ndryshme, tradicionale apo të kompozuara me frymëzimin e tyre, i shoqëruar nga muzikantët e orkestrës. Sigurisht nuk mungojnë edhe meloditë shqiptare. Oleni e ka bërë të zakonshme në koncertet e tij të ftojë edhe këngëtarë apo valltarë shumë të talentuar që i japin edhe më shumë lëndë artistike koncertit. Vitin e kaluar me të në skenë, ishin Alban Skënderaj, Elvana Gjata, Ermal Mamaqi etj..

Këtë vit, siç shihet në spotin e publikuar prej tij, do të këndojë sopranoja e njohur shqiptare, Inva Mula, por dhe artistë ndërkombëtarë. Koncerti nis në orën 19.00. Është një nga rastet e pakta kur një violinë arrin të jetë qendra e një spektakli madhështor muzikor.

 

Olen Cesari është një me violinën tashmë, pasi ka nisur të interpretojë që 3 vjeç dhe koncertin e parë e ka dhënë kur ishte 5 vjeç, në qytetin e tij të lindjes Durrës. Është diplomuar që në moshën 14 vjeç nga Akademia e Arteve në Tiranë për shkak të talentit të rrallë dhe rritjes së jashtëzakonshme në interpretim që nuk priste vitet dhe më pas ka vazhduar studimet në Itali e Austri për muzikë klasike, por një udhëtim në Amerikë e vuri në kontakt me bluzin dhe rrymat e tjera muzikore të cilat u bashkuan me violinën e tij, për të sjellë muzikën moderne përmes telave të instrumentit klasik.

Në këtë pikë, spektakli është i garantuar sa herë ai ngjitet në skenë!