Një emër francez, por një markë shqiptare. Që pas 10 vitesh në Tiranë, do të zgjerohet edhe në Pragë dhe Budapest. Administratori Julian Balliu tregon si nisi e gjitha kjo dhe si shqiptarët e gjetën veten me një gotë kartoni në dorë, në rrugët e Tiranës, duke i dhënë asaj një pamje më perëndimore dhe meqë kuvendi bëhet sipas vendit, nuk do ishte aq e vështirë sa duket, të mësoheshin me një vend të qetë, ku zërin më të lartë e ka makina e ekspresit, me një hapësirë që ndoshta është më e vogël, por ka shumë më tepër privatësi, ku nuk ka një televizor imponues, por mund ta dizenjosh si do kohën tënde. Një vend takimi me tjetrin apo veten…
Me çfarë ideje ka nisur Mon Cheri? Kur është hapur bari i parë?
E para fare ka 10 vite e pak, te rruga e Ambasadës Amerikane. Nuk ka qenë ndërtuar me idenë që do ishte një rrjet, për të qenë i sinqertë. Ishtë një ambient që familja ime e kishte pronë e cila po keqpërdorej dhe ne menduam ta sillnim në trajtën e barit që ta kishim edhe si kënaqësi.
Pse zgjodhët një emër kaq francez?
Emri ka qenë spontan. U thanë disa propozime dhe na pëlqeu disi ajo ndjesia franceze. Pas realizimit të të dytit dhe të tretit, si pika, u huazua logjika e koncepteve të mëdha botërore si Starbucks etj.. Pra, nuk kemi "shpikur" asgjë, është një ide ndërkombëtar e huazuar brenda ambientit shqiptar. Në trajtën e rrjetit u bë gati 5 vite, si një Coffee Shop Company. Kjo është më shumë sesa të shiturit kafe. Mundohemi të kalojmë në një kontekst më rrënjësor që përfaqëson një stil jete. Kjo është më e rëndësishmja.
Në pikat e tjera, keni qëndruar beznikë të idesë fillestare apo e keni përshtatur mjedisin me natyrën e klientit shqiptar?
Janë bërë eksperimente në 1001 forma. Është ndryshuar, përshtatur, eksperimentuar e evoluar në vazhdimësi. Te kjo pjesë janë bërë shumë gabime të jemi të sinqertë. Akoma vazhdon dhe përmirësohet skema, por është një evoluim i detyruar, pak a shumë si biçikleta. Në një biçikletë dy janë opsionet, ose do pedalosh nagadalë, ose shpejt. Pa u dhënë pedaleve nuk mund të qëndrosh. I tillë është edhe biznesi, duhet gjatë gjithë kohës të përmirësohesh e të rritesh, sepse ditën që fillon të qëndrosh në vend, ajo është dita që kanë filluar problemet.
Vetëshërbimi, tavolinat e vogla, domosdoshmëria për të folur me zë të ulët, sikur shkojnë ndesh me natyrën shqiptare. Si ka mundësi që guxuat dhe si u zhvillua me kohën ky koncept?
S’mund të them që natyra e shqiptarit është ndryshe nga natyra e të tjerëve. Thjesht ndryshon ambienti. Njerëzit janë po të njëjtët, po t'u krijosh ambientin ndryshe, ata do të përshtaten. Mendoj se sa më shumë u jep mundësinë dhe guxon, bëhet edhe më e thjeshtë. Në fillim madje ne kishim vështirësi edhe te stafi, duhej ta kuptonin një herë ata konceptin gotës që e merrje me vete, mendonin që njerëzit nuk do ta duan, që kafeja do të ftohej etj. etj.. Tani janë më të dashuruar se kushdo tjetër me këtë pjesë, pavarësisht se ne jemi mësuar të presim të vijnë të na shërbejnë, ndërkohë është pikërisht kjo gjëja tjetër më e bukur. Kur ti i shërben vetes, i shërben më mirë, zgjedh, është koncept tjetër. Te Zara, nuk ke nevojë për dikë të të mbushë mendjen për diçka se sa e bukur është apo sa të shkon, këto falsitetet e shëmtuara. Ti ke nevojë për një shërbim shumë të mirë, që ambienti të të ofrojë ato ç’ka duhet dhe të mos bëhet invaziv, të të bezdisë, por të të ofrojë komoditetin që ti t’i gjesh në mënyrën që do.
Kush i realizon interieret e Mon Cheri? Nga frymëzohet ky stil?
Unë dhe im vëlla jemi të dy arkitektë. Për të arritur deri këtu janë bërë shumë prova, huazime, ndjesi, eksperienca të provuara me njerëzit. Ka pasur shumë ndryshime ndër vite, nuk është e njëjta gjë siç ka qenë, por evoluon, ashtu si njerëzit, dëshira, konsumi, shërbimi, produktet.... Është ndërtuar tani një skemë e cila është përmirësuar shumë në aspektin e interierit dhe frymës. Ne tani kemi një skemë që, kudo që po hapet një pikë e re e MonCheri-së, është një patentë e paracaktuar dhe nuk ke shumë liri ta deformosh apo ta personalizosh. Tani është një studio që merret me ekzekutimin e strategjive, e cila përshtat, sipas ambientit, kriteret e reja.
Po koncepti për atë që ofron ky mjedis, si ka evoluar? Pika më e re te sheshi Wilson ngjan pak me një sallon të ngrohtë biblioteke…
Aktualisht jemi të fokusuar që njerëzit të kenë lirinë për të qëndruar në mënyra të ndryshme brenda pikës. Të zhvillohet pjesa e coffee-shop-izimit, e marrjes së gotave, dinamika e lëvizjes, koncepti i marketit brenda botës së kafeterisë nga termusi, kafeja dhe produkte të tjera që njerëzit të vetëshërbehen, t'i marrin dhe produkti Mon Cheri të dalë edhe jashtë pikës.
Duhet të jetë një stacion publik ku njerëzit të ndihen sa më komodë. Pjesa më e madhe e njerëzve janë individualistë, duan të qëndrojnë vetëm, robotë të celularëve. Nuk është më konepti klasik i tavolinave me 4 karrige. Njerëzit tani duan laptop-ët, duan prizën afër, të kenë internet dhe të qëndrojnë në grup. Disa ambiente janë të trajtuara në formën e bibliotekave, ku ti mund të studiosh, të punosh me kompjuter, me tavolina të mëdha që studentët i synojnë shumë. Ato janë vendet e para që mbushen për të ndenjur aty ku ka interaktivitet. Është një koncept i ri, "Kafeja ndryshe".
Muzika e lartë që në mëngjes, kur do shpëtojmë prej saj?
Ne nuk e kemi prioritet muzikën. Janë shumë gjëra që i kemi përjashtuar siç janë alkooli, pjesa e eventit, që njerëzit të mos thonë "do shkojmë sot atje". Ne kemi një mentalitet tjetër. Mon Cheri-ja duhet të jetë ambienti i tretë për jetën e njerëzve. I pari është shtëpia. I dyti duhet të jetë puna. E treta duhet të jetë Mon Cheri-ja, në kuptimin e ekzigjencës së përditshme që ti nuk bën dot pa. Në këtë logjikë, ti nuk ke nevojë për muzikën e lartë, për eventin, apo që të jetë ai momenti gala i ditë së premte dhe problemi se çfarë do veshësh. Këtu është i mirëpritur nga adoleshenti, te gjyshi me nipin, te punonjësit e zyrës, është një ambient i cili duhet të jetë i përditshëm, pjesë e jetës duke ruajtur standardet dhe cilësinë. Kjo i orientohet pjesës më energjike, siç janë të rinjtë, të cilët janë më pranues. Jeta urbane sot, është një jetë në lëvizje, njerëzit mbarojnë punën, kanë një takim aty, duan të marrin diçka ta kosnumojnë në dorë…dhe ne synojmë të jemi pjesë e saj.
Keni përdorur ndonjë mënyrë për të nxitur marrjen e produkteve me vete, e cila nuk ka qenë praktikë këtu?
Faktikisht nuk ka pasur një diferencë të madhe. E kemi menduar disa herë, sepse dhe politika e çmimit është shumë e rëndësishme. Fillimisht përdorëm praktikën që disa produkte shërbeheshin vetëm në atë lloj gote që të stimulonte të provoje një herë ndjesinë e të marrurit me vete. Herë pas here, ka pasur disa procese graduale, por menduam që mos të jetë çmimi ai që ndikon i pari. Ka pasur oferta “një produkt plus një produkt tjetër” që mund t’i marrësh me vete si një sanduiç dhe një kapuçino. Këto kanë pasur një lloj uljeje çmimi. Kjo gjë zhvillon këtë dinamikë...
Cila është tipologjia e produkteve që shërbeni? Me kë bashkëpunoni për recetat tuaja?
Recetat janë të gjitha formula të bëra nga ne. Kemi një laborator i cili zhvillon produktet, kemi menaxherët e produkteve, mblidhen informacionet nga klientët, shihen tendencat e reja…Nuk kemi maninë të bëjmë shumë produkte të shpeshta, por produkte të mira që të qëndrojnë afatgjatë. Pjesa më e madhe, 70%, e produkteve janë "private label", të prodhuara me markën tonë, nga uji, kakaoja, kafeja. Pjesa tjetër është nga partnerë të forte, produkte must me të cilat tregu është mësuar. Rritja drejt produkteve të veçanta është bërë aq sa lejon tregu duke qenë që Tirana ka pasur potencial të kufizuar ekonomik. Sa më shumë ta rrisësh cilësinë, produktet bëhen më të shtrenjta dhe në këtë pikë bie në kundërshtim me politikën për të qenë gjithëpërfshirës, sepse nuk mund të jesh gjithpërfshirës me një çmim të papërballueshëm nga të gjithë. Por gjithmonë duhet të ketë një cilësi dhe një veçanti, të paktën për produktet Mon Cheri Elite, që janë të ndara sipas kategorive.
Keni në plan të afërt të zgjeroheni edhe në qytete të tjera?
Aktualisht fokusi i kompanisë është jashtë Shqipërisë. Në një periudhë shumë të shkurtër startojmë në Pragë dhe në Budapest. Do jenë dy prezencat e para evropiane. Sado që tregu i Shqipërisë është në dukje shumë i suksesshëm për kafeterinë, prapë është shumë i konsumuar në disa aspekte të tjera kështu që është e rëndësishme TË RRITEMI dhe jo të zhvendosemi. Këtu është një bazë shumë e shëndetshme, aktualisht janë rreth 22 pika. Jemi në ndërtim e sipër të 3 pikave të tjera. Është përcaktuar një strategji për qytetet e dyta pas Tiranës sepse është e nevojshme që marka të prezantohet meqënëse është një markë shqiptare. Por fokusi mbetet ekspansioni jashtë Shqipërisë. Kjo është rruga e re ku po hyjmë, një moment shumë i rëndësishëm që po startojmë tani.
Intervistoi: Odeta Banushaj