Siç e kemi parë në fotot që u botuan menjëherë pas eventit, ALBtelecom dhe Eagle Mobile organizuan një ceremoni gala në Tiranë për të  promovuar 4G/LTE, IPTV, shërbimet fikse dhe celulare. Zv. kryeministri Niko Peleshi, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, emra të njohur të biznesit, qeverisjes lokale, medias, artit dhe sportit morën pjesë në këtë super aktivitet festiv të ALBtelecom dhe Eagle Mobile.

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Erkan Tabak, mirëpriti të ftuarit dhe u shpreh se kjo është një epokë e re për kompaninë. “Jam shumë i lumtur të prezantoj teknologjinë tonë ultra të shpejtë 4G/LTE së bashku me ato që ne i quajmë shërbime VIP për të plotësuar kërkesat e klientëve tanë. Po, biznesi ynë ka të bëjë me teknologjinë. Por pasioni ynë është diçka tjetër. Pasioni ynë është të prekim jetën e njerëzve dhe ta ndryshojmë atë për mirë. Në këtë udhëtim tonin, shteti shqiptar na ka dhënë një suport të madh. Dhe unë dëshiroj të shpreh mirënjohjen tim për këtë fakt”, tha Dr. Tabak.

Zv/Kryeministri Niko Peleshi theksoi se është fat i madh qe prania e ALBtelecom dhe Eagle Mobile i kanë dhënë një shtysë teknologjisë dhe shërbejnë si një indikator i rëndësishëm për zhvillimin ekononik. “Por mbi të gjitha kjo risi mbart vlerën morale dhe patëriotike e të qënit në një hap me vendet e zhvilluara të Evropës. Para dy-tre vjetësh ¾ e vendeve evropiane nuk kishin qasje në 4G  ndërkohë që në SHBA 90 përqind e popullatës kishte” tha Zv/Kryeministri. “Padyshim që rrugëtimet drejt qëllimeve madhore nuk janë të lehta. Ndaj marr të mirëqenë çdo peripeci tuajën për të kurorëzuar sukseset tuaja.  Për këtë ju përgëzoj dhe ju inkurajoj duke shprehur çdo mbështetje të qeverisë dhe të  Kryeministrit për të qenë përkrah jush dhe çdo sipërmarrjeje që me ndërshmëri zhvillon aktivitetin në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe është një zë i fuqishëm në zhvillimin e vendit tonë.”

ALBtelecom dhe Eagle Mobile është e vetmja kompani që ofron të gjithë gamën e shërbimeve moderne të telekomunikacionit në vend. Duke filluar nga telefonia fikse, telefonia celulare dhe interneti 4G/LTE, interneti me bandë të gjerë, televizioni IPTV, internet publik WiFi dhe shërbimeve Cloud, ALBtelecom dhe Eagle Mobile është e vetmja kompani që mund të ofrojë për çdo pjesë të shoqërisë shqiptare, institucionet publike, bizneset, mediat, OJQ-të dhe për çdo individ në vend.