Teatri i Operës dhe Baletit sapo ka shpallur kalendarin artistik për sezonin janar-prill, ku spikasin premiera të rëndësishme, por edhe rivënie të shfaqjeve më të suksesshme.
“Mbase po marrim pak më shumë kohë, për të filluar, se vitet e tjera, por besojmë që do të vlejë pritja për të parë të vendosur në skenë një opera të madhe nga Giuseppe Verdi sic është Rigoletto, e cila do të vijë për publikun në datat 21, 23, 24 dhe 25 Janar 2016. Artistë shumë të talentuar shqiptarë dhe të huaj do të interpretojnë në këtë produksion me regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e Juan Manuel Busto”, shkruan deklarata e TKOB.
Opera tjetër për këtë sezon do të jetë “I Capuleti e i Montecchi” nga V. Bellini. Historia e dashurisë e Romeo dhe Xhulietës do të shfaqet për publikun në muajin mars dhe do të ketë një kast të zgjedhur artistësh për të sjellë një shfaqje cilësore të drejtuar nga regjisorja Ailyn Bozok.
Nuk do të mungojnë premierat edhe për baletin, ku në muajin shkurt do të vendoset në skenë “Arrëthyesi”, baleti i bukur klasik me muzikë të Tchaikovsky-t, por jo vetëm kaq, baleti do të zërë një vend shumë të rëndësishëm në këtë kalendar.
Baletet që janë tashmë pjesë e repertorit do të sillen sërish për publikun shqiptar. Do të rikthehet “Ballo e Diplomës”, “La Sylphide”, baletet klasikë që mund të ndiqen nga të rritur dhe fëmijë, por nuk do të mungojnë edhe pjesët koreografike moderne dhe emrat e njohur. TKOB do të rikthejë Angelin Preljocaj me La Stravaganza & Noces si dhe Daniel Cardoson me “4 Pieces” dhe “Impact & Table”.
Në fushën koncertore do të vazhdojë cikli, i cili ka si synim të ringrejë Orkestrën e Dhomës së TKOB, si dhe të sjellë për publikun muzikën e dhomës. Cikli që u hap në dhjetor të 2015, do të vazhdojë në janar dhe në Prill 2016 duke iu përmbajtur konceptit të angazhimit të instrumentisteve të TKOB, solistëve, por edhe këngëtareve lirikë që kanë qenë pjesë e masterklasit të mbajtur në TKOB. Gjithashtu nuk do të mungojnë emra të njohur të skenave botërore shqiptare dhe të huaj.
Këtë sezon ku do të ketë 9 koncerte të cilët do të ngjisin në skenë interpretues të ndryshëm, instrumentistë dhe këngëtarë lirik, shqiptarë dhe të huaj.
Ansambli Popullor do të sjellë surpriza këtë sezon. Nën drejtimin e Drejtorit të ri Artistik, Gerti Druga, shfaqjet e Ansamblit tonë do të sjellin krijimet e bukura popullore në një mënyrë krejt të re, me një koncept ndryshe nga ç’kemi parë deri tani, pra me plot surpriza të cilat do të zbulohen me koncertin e parë premierë në 18 Shkurt dhe do të vazhdojnë përgjatë sezonit me 4 koncerte të tjera.
Kjo është vetëm pak nga ajo që do të vijë këtë sezon…surprizat e mëdha do të zbulohen pak nga pak përgjatë muajve në vazhdim.