Emrin e tij nuk e ka asnjë fëmijë në Shqipëri dhe duke qenë që përbëhet nga dy emra, ka shumë pak shanse të gjesh një të dytë në çdo vend.
Ledion Liço dhe Sara Hoxha janë bërë sot prindër për herë të parë dhe në një postim në Instagram, babai i ri, ka postuar këmbën e djalit dhe emrin e tij me datën e lindjes. London Noor Liço quhet djali dhe është hera e parë që e ndeshim. Deri më tani dinim që emri do fillonte me L dhe vetëm sot, kur djali ka ardhur në jetë, zbuluam emrin e tij të plotë.
Është i përbërë nga dy emra, një modë kjo mes fëmijëve të personave të njohur. Është gjithashtu e qartë, referuar faqeve me kuptimet dhe përdorimet e emrave të ndryshëm, që prindërit kanë dashur t’i vënë djalit të tyre një emër unisex, sepse të dy emrat që e përbëjnë emrin e tij të plotë, përdoren si për djem dhe për vajza, edhe pse në shqip duket 100 % mashkullor. Nëse Mark Zuckerberg e quan të bijën Max, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme që një djalë ta ketë emrin London Noor.
Megjithatë të dy emrat që kanë zgjedhur janë shumë të veçantë dhe nuk janë nga ata që gjenden ndër emrat më popullorë.
Referuar faqes thenamemeaning.com, London, emri në anglisht i qytetit të Londrës, do të thotë Kështjellë e Hënës, ndërsa Noor, është një emër me disa origjina. Në Arabisht do të thotë Dritë.
Ndoshta Ledionit dhe Sarës iu pëlqen Londra ose ky qytet ka një vend në historinë e tyre të dashurisë, ndërsa zgjedhja e emrit Noor, me kuptimin Dritë, nuk lë vend për pyetje. Megjithatë kuptimin e vërtetë dhe arsyet e vendosjes së këtij emri, i dinë vetëm ata të dy, prindërit e rinj, Ledioni dhe Sara.

