Ka kaluar me sukses të gjitha sfidat, ashtu siç kishte paralajmëruar dhe tashmë Klaudia Pepa është gati për trofeun e kësaj gare. Mbrëmja e djeshme e “Amici”-t ka qenë vendimtare për balerinën shqiptare, e cila e ka siguruar më në fund një vend në finale, që do të mbahet të premten, më 5 qershor në orën 21, në Canale 5.
Mbrëmjen e së shtunës, Klaudia bëri disa performanca të shkëlqyera, duke i kaluar të gjitha sfidat e duke siguruar kështu kalimin për në mbrëmjen e trofeut në këtë edicion të “Amici”-t. I ftuar special i mbrëmjes ka qenë edhe këngëtari spanjoll Ricky Martin.

Pak para nisjes së gjysmëfinale, Klaudia ka shkruar një mesazh në profilin e saj në Instagram, duke falënderuar të gjithë ata që e mbështesin: “Kam arritur pothuaj në fundin e kësaj gare. Pa mbështetjen tuaj rrugëtimi im do ishte shumë i vështirë. Sonte në mbrëmje është gjysmëfinalja dhe unë jam gati të thyej çdo pengesë që me del para dhe për të nderuar veten time gjithashtu dhe juve ju premtoj që nuk do ju zhgënjej. Ju dua të gjithëve dhe mos harroni të më ndiqni në Canale 5”, ka shkruar balerina shqiptare.
Në mbështetje të balerinës, nuk mund të mungonte as mesazhi i bashkëshortit të saj, Albi Nako, i cili prej kohësh është zhvendosur në Itali për të mbështetur deri në fund këtë sprovë të rëndësishme të karrierës së Klaudias: “Mos harroni të ndiqni sonte gjysmëfinalen e “Amicit” të Maria De Filippit. Klaudia ka nevojë për mbështetjen tonë më shumë se kurrë”,- shkruan Nako në profilin e tij në Instagram.
