Këngëtarja e njohur shqiptare, Manjola Nallbani, prej disa ditësh po kalon pushimet me familjen në Amerikë. Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm artistik, por edhe angazhimet pranë Universitetit të Arteve, ku këngëtarja punon prej vitesh si pedagoge, këto ditë gushti ia ka kushtuar tërësisht relaksit. Nga fotot e publikuara në rrjetet sociale, Manjola duket se po shijon vizitat edhe nëpër vendet më të bukura të Las Vegas-it dhe së fundmi edhe të Los Angeles-it.

Në foton e pak ditëve më parë, Manjola duket së bashku me vajzën e saj Megi, në një nga vendet më të bukura dhe më të vizituara në Los Angeles, hoteli ku është xhiruar filmi i famshëm “Pretty Woman” me aktorët Richard Gere dhe Julia Roberts.

Vizitës së yjeve nuk mund t’i mungonte edhe takimi me yllin e personazhit që Manjola i ngjet më tepër, jo vetëm sa i përket moshës, shenjës astrologjike dhe fizikut, por edhe për energjinë e pashtershme artistike. Fotoja e fundit që Manjola sjell nga Los Angeles është ajo pranë yllit të këngëtares dhe aktores së famshme Jennifer Lopez: “Tek ylli i Jennifer Lopez në Walk of Fame, në LA! E adhuroj këtë femër dhe artiste super të suksesshme, që i tregon gjithë botës me bukurinë e talentin e jashtëzakonshëm, se mosha është gjendje dhe energji dhe jo numër. Për më tepër, e kam idhull se kemi lindur në një vit e në një shenjë (Luani)”, - shkruan Manjola në krah të fotos me yllin e Jennifer Lopez.



