Moderatorja e njohur e ekranit, Rudina Magjistari, vetëm pak ditë më parë ka lajmëruar nga profili i vet lajmin e bukur që është në pritje të fëmijës së saj të parë. Në vitin e katërt të lidhjes me partnerin e saj Xhavit Bajrami, Rudina është duke përjetuar pritjen e ëmbël, të cilën e ka përshkruar si momentin më të lumtur të jetës. E pyetur nga “Panorama” për përjetimet e para nga kjo pritje e ëmbël, Rudina thotë: “Ishte dëshirë shumë e madhe e të dyve që të kishim një fëmijë. Shtatzënia po shkon shumë mirë, s’më ka shkëputur asnjë ditë nga puna, për fat të mirë. Gjininë e fëmijës nuk e dimë dhe jemi në dilemë ta mësojmë apo ta lëmë pa zbuluar deri në fund”,- ka thënë moderatorja e programit “Takimi i pasdites”.

Po ashtu, pjesë e këtij emocioni është edhe partneri i Rudinës, Xhaviti, i cili e përmbledh të gjithë ndjesinë shkurt: “Ndihem shumë i lumtur.” Ende nuk dihet në cilin muaj do të vijë në jetë fëmija, megjithatë tani që Rudina është në mbyllje të sezoni do të ketë kohën e mjaftueshme në shërbim të vetes dhe të fëmijës që do të lindë.
