Këngëtarja kosovare, Fjolla Morina, është bërë nënë për herë të dytë. Lajmin e kanë bërë publik mediat kosovare, të cilat raportojnë se pak orë më parë, Fjolla ka sjellë në jetë vajzën e saj të dytë. Prej disa javësh, ajo ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pranë motrës së saj, për ta lindur atje vajzën. Mësohet se vajza dhe nëna gëzojnë shëndet të plotë. Emri i vajzës, mësohet të jetë konfirmuar nga vetë këngëtarja: Alayah është emri me të cilin është pagëzuar e porsalindura, që në gjuhën arabe do të thotë "Dhurata e Zotit".
Vetëm disa minuta më parë, këngëtarja ka publikuar edhe foton e parë nga spitali bashkë me të voglën në krahë, duke përshëndetur të gjithë ndjekësit në rrjetet sociale: “Të premtoj se do të të dua gjithmonë, premtoj se do të të mbroj gjithmonë, premtoj se do kujdesem gjithmonë për ty.”
Lidhja me biznesmenin kosovar, Flamur Azemi, babanë e vajzës, duket se nuk ka funksionuar gjatë, ndaj edhe këngëtarja, pak javë më parë deklaroi publikisht se do ishte nënë dhe baba për vajzën e saj. Nga martesa e saj e parë, Fjolla ka edhe një vajzë 8-vjeçare, Lediana.

