Mbrëmjen e së shtunës, në emisionin e përjavshëm të Floriana Garos në TV Klan, Jo vetëm modë, u paraqit një vizitë e detajuar në shtëpinë muze të Ismail Kadaresë të përuruar para pak javësh në Gjirokastër. Me Floriana Garon ishte Agron Doraci, arkitekti që është marrë me restaurimin e shtëpisë së Kadaresë, e djegur në vitin 1999, i cili dha shpjegime për shtëpinë që nga fasada e deri te zonat e saj më të fshehta.
Gjatë reportazhit u zbulua dhoma e pritjes, vendosur në anën ballore të shtëpisë, oxhakët, pusi etj. duke kujtuar shkrimet e Ismailit ku flitet rreth tyre. Kjo shtëpi është një njohje edhe me shtëpitë e tjera të Gjirokastrës të kësaj shtrese shoqërore, që kishin shumë të përbashkëta në organizimin e hapësirës, përdorimin e gdhendjeve dhe dekoreve zbukuruese.
Gjithashtu u dhanë shpjegime për atë që ishte ruajtur origjinale dhe për ndërhyrjet restauruese dhe u zbuluan depot e fshehta.
Siç dallohet gjatë sekuencave, për ata që nuk e kanë vizituar ende, shtëpia muze e restauruar, përmban edhe një ekspozitë të pasur të mëvonshme me pak foto dhe shumë piktura që portretizojnë Ismail Kadarenë të lindur pikërisht në një nga dhomat e asaj shtëpie.