I renditur nga Times si një nga 100 librat më të mirë në gjuhën angleze, "Gruaja e togerit frëng" sjell një histori klasike në penën e një shkrimtari postmodern, i cili bëhet personazh dhe hyn në një komunikim të gjallë me lexuesin duke sjellë madje, edhe dy përfundime të ndryshme, për këtë histori, që na hapin sytë të shohim më qartë kohën ku jetojmë dhe paragjykimet tona. Në çdo librari nga botimet Pegi, sjell në shqip prej një prej emrave të njohur të letërsisë shqiptare vitet e fundit, Parid Teferiçi.
Titulli: Gruaja e togerit frëng
Titulli në origjinal: The French lieutenant's woman
Autori: John Fowles
Përktheu: Parid Teferiçi
Zhanri: Roman
Data e botimit: Tetor, 2017
Botime: Pegi
Numri i faqeve: 462
Çmimi: 1200 lekë
Një histori magjepsëse që vë në lojë, me shumë delikatesë, paragjykimet e personazheve dhe të vetë lexuesit.
Çarls Smithson, një burrë i ri në prag martese, që gëzon një pozitë shoqërore për t'u pasur zili, njihet krejt rastësisht me Sara Udrafin, teksa ajo vështron detin, e vetmuar. Që në faqen e parë, është tejet e qartë, që rrugët e Çarlsit dhe Sarës do të puqen, por autori e vonon takimin e tyre aq sa mjafton për ta ngarkuar atë me një magji erotike. Gjithçka mund të ndodhë, por: a ka diçka më erotike se paqartësia? Natyrisht që Çarlsi bie në dashuri, por historia ndërlikohet.
Sara është një grua e shenjuar, e ndotur. Romanca e tyre do të sfidojë rregullat mbytëse të shoqërisë së asokohshme, e jo vetëm ato...
Papritur, autori i drejtohet lexuesit me një problem, të cilin na e shpjegon me shumë delikatesë në kapitullin 55, teksa ka marrë trenin për në Londër, bashkë me Çarlsin. Z. Foëles nuk di ç'të bëjë me këtë histori. Ai nuk mund ta manipulojë ngjarjen (“ta paracaktojë ndeshjen,” siç thotë ai), për t'i treguar “lexuesit atë që mendon për botën që e rrethon”, pasi kjo histori ka ndodhur para njëqind vjetësh dhe “ne e dimë çfarë ka ngjarë më pas”. E vetmja zgjidhje pra, vendos ai, është të shkruajë dy përfundime. E kështu bën vërtet. I pari të ngroh zemrën, është fundi që do prisnim të gjithë, me një erotizëm të ngrohtë në vatrën familjare.
Pastaj vjen fundi i dytë, i cili shkatërron të gjitha hamendësimet tona mbi ndjeshmërinë e shekullit XIX dhe na lë duke vrarë mendjen se në cilin shekull ka pasur më shumë liri seksuale. Është sa tronditës, po aq edhe komik.
Ndër librat bestseller më të dashur në botë, “Gruaja e togerit frëng” është një nga romanet më interesante të letërsisë angleze bashkëkohore, në të cilin shkrihen mjeshtërisht ëndrrat joshëse dhe realiteti zhgënjyes.
I renditur nga Time Magazine në listën e 100 veprave më të mira të gjuhës angleze, ky roman është një nga shembujt më të njohur dhe të arrirë të letërsisë postmoderne.
Kritika
I mbushur me mistere magjepsëse që kërkojnë zgjidhje, por zgjidhjet fshihen deri në faqen e fundit. Edhe më tej. Kur e mbarova, e nisa përsëri, duke kërkuar gjurmët që nuk i kisha vënë re më parë, duke analizuar fillimin, tani që njihja fundin.
- The New York Times
Një roman-lojë i mrekullueshëm, ku gjetjet e shkëlqyera postmoderne i shtohen mprehtësisë së personazheve klasike.
- Time Magazine
Një sukses i shkëlqyer... një shkrim i zjarrtë, si dhe një shembull i patëmetë rrëfimtarie.
- Financial Times
Edhe sikur ta lexoni disa këtë libër, do të gjeni gjithmonë diçka të re dhe do të bini gjithmonë në dashuri me Çarlsin e ngratë.
- Daily Mail
Një vepër arti e shkëlqyer, e qartë, thellësisht bindëse; kur e mbarova, më lindi dëshira ta lexoja sërish.
- New Statesman
Të zgjon një dëshirë të ethshme për të lexuar.
- Irish Times
I shkëlqyer... një artist me një imagjinatë të jashtëzakonshme.
- Sunday Times
Autori
John Robert Fowles (1926 – 2005) ishte një shkrimtar anglez i njohur ndërkombëtarisht, të cilin kritika e ka pozicionuar midis modernistëve dhe postmodernistëve. Puna e tij pasqyron ndikimet nga Jean-Paul Sartre dhe Albert Camus, ndër të tjerë.
Vepra e tij e parë, The Magus, në linjë me shpirtin anarkik të viteve '60, pati një sukses të jashtëzakonshëm te lexuesit. Ajo u ndoq nga Gruaja e togerit frëng (1969), e cila pati sukses jo vetëm te lexuesit, por edhe te shumica e kritikëve letrarë dhe studiuesve të letrave. Më pas, Foëles shkroi edhe disa vepra të tjera, ndër të cilat përmendim The Ebony Tower, Daniel Martin, Mantissa, dhe A Maggot.
Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe disa syresh janë ekranizuar me shumë sukses.
Fragmente nga libri
1)
... jemi të gjithë romancierë, kemi domethënë zakonin të shkruajmë të ardhme të trilluara për veten, ndonëse në ditët e sotme priremi më shumë nga filmi. Projektojmë në mendje hipoteza mbi si duhet të sillemi, çfarë mund të na ndodhë; dhe këto hipoteza narrative apo kinematografike, kur e ardhmja e vërtetë bëhet e tashme, shpeshherë kanë mbi sjelljen tonë një ndikim shumë më të madh nga sa përgjithësisht pranojmë.
2)
Disa burra ngushëllohen me mendimin se ka gra edhe më pak tërheqëse sesa gratë e tyre. Disa të tjerë ngacmohen kur kuptojnë se ka të tjera më tërheqëse se to.