Një roman i ri i atuores së njohur kanadeze Margaret Atwood ka dalë në shqip. "Vrasësi i verbër" vjen nga botimet Pegi si një nga librat më të rëndësishëm të kësaj shtëpie botuese për Panairin e muajit të ardhshëm. Libri është nderuar me çmimin Man Booker Prize dhe është cilësuar si një nga librat më të mirë të viteve të fundit.

Titulli: Vrasësi i verbër

Titulli në origjinal: The blind assassin

Autori: Margaret Atwood

Përktheu: Agim Doksani

Zhanri: Roman

Botime: Pegi

Data e botimit: Tetor, 2017

Numri i faqeve: 566

Çmimi: 1400 lekë

Vetëm pak kohë më parë, Pegi ka sjellë në shqip nga Atwood, "Rrëfenja e shërbëtores" ndërsa tani sjell një roman gjithaq të vlerësuar të autores kanadeze.

Kjo nuk është vetëm saga e një familjeje të pasur, por edhe saga e fajeve dhe përgjegjësive që mblidhen mbi njëra-tjetrën, si të ishin kukulla të vogla të verbra, që na lënë gjithmonë me pyetjen: “Po individi, ç'rol luan këtu?”

Fitues i Man Booker Prize në vitin 2000, “Vrasësi i verbër” është historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs dhe sekreteve të tyre.

Romani fillon me vdekjen e mistershme, ndoshta vetëvrasjen, e një gruaje të re, Laura Çejs, në vitin 1945. Pas më se pesëdhjetë vjetësh, Irisi, motra që mbijetoi, kujton vdekjen misterioze të saj, fëmijërinë dhe dramat e njëpasnjëshme që kanë populluar historinë e familjes së tyre të pasur e të veçantë. Të gërshetuara me këto kujtime, të cilat Irisi vendos t'i shkruajë, gjenden kapitujt e romanit të Laurës, “Vrasësi i verbër”, i cili u botua pas vdekjes së saj dhe, njëherësh skandalizoi botën, por e bëri edhe atë të famshme. Në këtë roman, dy dashnorë të fshehtë zbavitin njëri-tjetrin me historinë e një vrasësi të verbër në një planet të largët. Këto rrëfime brenda rrëfimit, me shtresa të shumta, hap pas hapi, hedhin dritë mbi sekretet që i janë fanitur shpesh familjes Çejs. Në mbyllje të romanit, ato do të bëhen bashkë në një fund befasues e të shkëlqyer.

I vendosur në sfondin panoramik të historisë së shekullit XX, ky roman është një rrëfim epik i kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë.

Përveç Man Booker Prize, ky roman ka fituar edhe çmimin Hammet, si dhe ka qenë ndër veprat e nominuara për çmimet Governor General's Award, Orange Prize for Fiction dhe International Dublin Award. Revista Time e ka shpallur romanin më të mirë të vitit 2000 dhe e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në Anglisht, që prej vitit 1923.

Kritika

“Rrëqethës... Lirik... Vepra e saj më ambicioze.”

— The Boston Globe

“Rrëfim i madhërishëm ndër të madhërishëm... Krejtësisht magjepsës.”

— The Washington Post Book World

“Atwood mund të mburret me aftësitë e saj rrëfyese; ky roman ua kalon edhe veprave të saj të mëparshme, si “Rrëfenja e shërbëtores”... ”

— The Publishers Weekly

“Atwood nuk ka shkruar kurrë me kaq afsh dhe zhdërvjelltësi... një roman kaq i larmishëm që do të ngjallë interesin e të gjithëve... Brilant!”

— Sunday Times

“Margaret Atwood është një nga romancieret më të shkëlqyera dhe të paparashikueshme të ditëve të sotme.”

— Literary Review

“Romani i parë i mrekullueshëm i mijëvjeçarit të ri.”

— Newsday

Autorja

Margaret Eleanor Atwood (Ottawa, 18 nëntor 1939) është poete, shkrimtare dhe ambientaliste kanadeze. Ajo ka fituar çmimin Arthur C. Clarke, çmimin e  Princit të Asturias për Letërsinë, çmimin prestigjoz Booker Prize (në të cilin ka qenë finaliste për pesë herë) pikërisht me “Vrasësi i verbër” dhe dy herë çmimin e Guvernatorit të Përgjithshëm, i cili jepet nga kryeministri kanadez.

Fragmente nga libri

1) Kur je i ri, mendon se gjithçka që bën është njëpërdorimshme. Lëviz nga një e tashme te tjetra, duke e zhubrosur shuk kohën dhe duke e flakur tutje. Shkrihesh e bëhesh një me makinën tënde që rrëshqet me tërë shpejtësinë. Mendon se mund të çlirohesh nga gjërat, dhe nga njerëzit – mendon se i lë pas krahëve. Ende nuk ua di zakonin që kanë, për t’u kthyer.

2) Çfarë shpikjeje janë, nënat! Dordolecë për të trembur sorrat, kukulla dylli për të ngulur gjilpërat tona, diagrame të bëra në ngut e sipër. U mohojmë një ekzistencë të tyren, i ndërtojmë në mënyrë që të na përshtaten ne, kuturisjeve tona, dëshirave dhe defekteve tona. Tani që e provova vetë, e di më mirë.