Shtëpia botuese Dudaj sapo ka hedhur në treg dy botime të reja. "Ëmbëlsia e jetës" është një roman policesk, ndërsa "Shtyllat e tokës", sjell një rrëfenjë epike në sfondin e shekullit XII.
Të dy romanet nuk do kishin asgjë të përbashkët veç shtëpisë botuese dhe kohës që kanë dalë në shqip, po të mos ishte dëshira për të zbuluar fshehtësitë e ngjarjeve dhe personazheve që popullojnë historitë e tyre. I gjeni kudo.
â??Ëmbëlsia e jetës
Paulus Hochgatterer
Roman
Përktheu: Sokol Mici
Botimet: Dudaj
Nr. faqe: 304
Çmimi: 1000 lekë
Një natë dimri një plaku i zgërlaqin kokën. Kufomën e plakut e gjen Katerina, mbesa e tij shtatëvjeçare, e cila qysh prej këtij çasti e kyç gojën dhe nuk nxjerr më asnjë fjalë. Psikiatri Rafael Horn, i cili merr përsipër trajtimin e vajzës së vogël, pa dashje përfshihet në zbulimin e vrasjes.
Komisari i krimeve Ludvig Kovacs e kalon ditën në në birraritë e mbuluara nga bora, ndërsa mbrëmjeve vëzhgon me teleskop. Krimet e kryera në kapërcyellin e gjithë vitit e trazojnë jashtëzakonisht shumë – madje e pengojnë edhe në marrëdhëniet intime me Marlenën, pronaren e një dyqani secondhand. Sido që me këtë krim të pazbuluar ai ka arsye të pakundërshtueshme për të mos kaluar një fundjavë romantike që Marlena ka planifikuar në vigjilje të Vitit të Ri, kjo vdekje – për këtë s’ka asnjë dyshim – do të vazhdojë ta mbajë në ankth si në morsetë.
Një baba psikopat rreh vajzat e tij, sa i bën për spital; një prift benedikt, vrapues i largësive të mëdha, dëgjon në kokë zëra që nuk kanë të bëjnë me Zotin; një postier në pension do që të vrasë veten; ndërsa një nënë e re beson se fëmija i saj i porsalindur është djalli.
Psikograma e kësaj qyteze është vërtet shqetësuese – por, cili nga banorët e saj ishte vizitori i fshehtë i natës? Kush ta ketë kryer këtë krim të tmerrshëm?
Paulus Hochgatterer-i lindi në vitin 1961 në Amsteten të Austrisë së Poshtme. Jeton në Vjenë, ku përveçse shkruan, ushtron edhe profesionin e psikiatrit për fëmijë. Është nderuar me çmime të ndryshme dhe së fundmi ka fituar bursën “Elias-Canetti” të qytetit të Vjenës. Disa nga veprat e tij janë: Mbi kirurgjinë (roman, 1993, ribotuar më 2015-n), Rregulli i Nysten-it (tregime, 1995), Ujëra të rrëmbyeshme (tregim, 1997), Caretta caretta (roman, 1999), Mbi korbat (roman, 2002) dhe Një histori e shkurtër mbi peshqit fluturues (tregim, 2003).
Ken Follett
Shtyllat e tokës
Roman
Përktheu: Taqo Trajçe
Botimet: Dudaj
Nr. faqe: 924
Çmimi: 1500 lekë
“Shtyllat e Tokës” rrëfen historinë e Filipit, kryemurg i Kingsbrixhit, i cili merr përsipër të ndërtojë katedralen gotike më të madhe që ka njohur bota... historinë e Tomit, muratorit që bëhet arkitekti i tij, një njeri i ndarë më dysh në shpirtin e vet... atë të zonjës Aliena, që nuk mund të shpëtojë nga një turp i fshehtë... dhe historinë e luftës ndërmjet të mirës dhe të keqes, që do ta kthejë kishën kundër shtetit dhe vëllanë kundër vëllait.
Një rrëfenjë epike magjepsëse e ambicies, anarkisë dhe pushtetit absolut, e vendosur në sfondin e gjerë mesjetar të Anglisë së shekullit të dymbëdhjetë - kjo është kryevepra historike e Ken Follett-it.
Me këtë libër, Follett rrezikon gjithçka dhe del një fitues i padiskutueshëm... Një roman historik që të mbërthen gjatë leximit, me atmosferë autentike dhe tipizime të paharrueshme. Duke filluar me një mister që hedh hijen e vet, rrëfenja është një valëzim i tensionit, pasigurisë, veprimit me ritëm të patëmetë, intrigës, dhunës, lakmisë, trimërisë, përkushtimit, hakmarrjes e dashurisë. Një roman që të zbavit, të mëson dhe të kënaq në një shkallë të madhe.
– Publishers Weekly