29 nëntori është një festë zyrtare dhe ditë pushimi. Nëse nuk keni bërë asnjë plan, ne kemi një propozim që me siguri do ju pëlqejë. Kaloni nga sheshi Nënë Tereza. Nëse do habiteshit nga ky propozim për një shesh që ka qenë gjithmonë aty, do ju zbulojmë risinë.
Në datat 29 dhe 30 nëntor, pikërisht në këtë shesh organizohet panairi “Shqipëria punon tokën-Konsumo shqip”, ku do të promovohen produktet shqiptare, por dhe do të gatuhen në çast receta origjinale nga chef-at më të njohur të Tiranës që do të mblidhen për herë të parë bashkë në një super restorant të hapur për të gjithë.
Fundim Gjepali, chef i Padam, që së bashku me djemtë e talentuar të restorantit të tij, do të jetë pjesë e këtij projekti, e ka përshkruar panairin në blogun e tij.
"Hartova një program të detajuar ku secili shef të gatuaj në kohë reale pjatat më të shijshme më produktet më cilësore të fermerëve tanë, të cilët na kanë ushqyer në breza. Vizitorët dhe fëmijët do t’i ndihmojmë të kuptojnë se nga vjen ushqimi ynë, si është prodhuar, nga kush dhe pse është e rëndësishme të konsumojmë shqip. Të rinjëve aspirues për të zhvilluar karrierën e tyre në fushën e kulinarisë dhe ushqimit do t’u mësojmë se si të kombinojnë kënaqësinë dhe përgjegjësinë në zgjedhjet e përditshme dhe të vlerësojnë rëndësinë kulturore dhe sociale të ushqimit", shkruan Fundimi.
Fundimin, së bashku me Arvinin, Dorianin, Bledarin, Julin, Ismetin, Laurelin dhe Miklovanin do t'i gjeni në shesh duke mbikëqyrur një punë fantastike për të kënaqur të gjithë ata që do ta vizitojnë panairin. "Misioni ynë i përbashkët është të japin një mesazh të rëndësishëm për këdo: të duam Shqipërinë duke punuar tokën e saj. Vetëm kështu do të jemi më të lumtur, do të ushqehemi më mirë dhe do të fitojmë më shumë", shkruan Fundimi.
Në fund, chef-at do të mblidhen në një ëorkshop me diskutime mbi zhvillimin e kulinarisë sonë ndër vite, rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e rinj, inovacionin dhe tendencat ndërkombëtare të kulinarisë, risitë dhe zhvillimet teknologjike. Fundim Gjepali do të drejtojë panelin me pjesëmarrjen e veçantë të të: Shef Sofo Kuteli, Shef Mondi Kikino, Shef Alfred Marku, Znj. Linda Dervishi, Akademia AGA, Z. Altin Bamllari, revista Shije, znj.Flutura Vaqarri, shkolla Hoteleri Turizëm Tiranë.
Urojmë mos t'ju kemi zhgënjeyer me propozimin. Na thoni si ishin recetat!