Klenti Kaçi është kampion bote në biliardo në lojën e 8-shit. Në internet do ju shfaqen informacione për fitoret, stilin e lojës, çmimet dhe foto gjatë ndeshjeve të rëndësishme, më e fundit Grand Finale në World Pool Series në New York, në nëntor ku fitoi ndaj Petri Makkonen.
E megjithatë publiku shqiptar thuajse nuk e njeh. I ftuar te Arian Çani, Klenti vetëm 18 vjeç, tregoi që ai nuk është pjesë e Federatës Shqiptare të Biliardos, e cila nuk i ka dhënë asnjë mbështetje dhe ai prej vitesh garon si individ pasi ia ka lejuar presidenti i Federatës Botërore. Megjithatë në çdo ndeshje prezantohet si Klenti Kaçi nga Shqipëria. Ndërkohë Shqipëria as nuk e di që një djalë i saj po shkëlqen në botë. Pas kësaj puntate të “Zonë e Lirë” ndoshta do e njohim më shumë.
Klenti është kampion bote në lojën e biliardos me 8 çok dhe i pari në renditjen e përgjithshme të kësaj loje pasi ka fituar dy nga katër turnetë e World Pool Series.
Jo vetëm që ka grumbulluar shumë pikë në renditjen e biliardistëve, por është nga më të rinjtë në historinë e biliardos që ka arritur këtë sukses.
Veç lojës së 8-shit, ai luan dhe Snooker dhe pretendon të përmirësohet në sportet e stekës. Klenti Kaçin e presin dy kampionate të rëndësishme botërore në dhjetor dhe në janar.
Ndoshta tani do të flitet edhe në Shqipëri për kampionin. Në botë, flasin prej kohësh.