Natën e fundit dhe e fundit konkurrente. Edhe pse e kishim mësuar që këngëtarja Rovena Dilo do t’i rikthehej pas 7-vjetësh Këngës Magjike, e mezipritur ishte nga ajo kënga e re, të cilën këtë herë e kishte krejt tjetër nga profili dhe dimensioni me të cilin jemi mësuar ta shohim.

Pse kishte munguar gjatë këtyre viteve? Arsyet mund të jenë disa, por një prej më të rëndësishmeve është materiali me të cilin Rovena dëshiron që të përfaqësohet në skenën e Këngës Magjike. Siç tha ajo sot, para se të interpretonte këngën, skena e Këngës Magjike është e shenjtë, ndaj edhe ajo sa herë vjen për të marrë pjesë, merr përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe gjithçka e mendon shumë seriozisht.

Por çfarë ishte ndryshe këtë herë, cila ishte surpriza? “Ke le për mu” titullohet kënga që Rovena sapo ka prezantuar në skenën magjike dhe, siç mund të kuptohet edhe nga titulli, teksti është shkruar në gegërisht. Të shumtë janë artistët që kanë eksperimentuar me gegërishten në këngët e tyre, por komentet nuk kanë qenë gjithmonë pozitive. Ndërsa Rovena, siç u pa edhe nga pritja e publikut, e kaloi me sukses “provën” e gegërishtes.

Ideja dhe frymëzimi, tha ajo për të sjellë artisten në një dimension të ri, ishin të kompozitorit Adi Hila: “Është guxim shumë i madh të vij në një dimension tjetër...” – tha ajo duke ia lënë “fajin” për këtë kompozitorit të këngës.  

“Dua të surprizoj” ishte qëllimi i Rovenës këtë herë në skenën magjike dhe ia doli me sukses: “Ça m’bane mu, ke le për mu, kët jetë e du po të rrish me mu...” – janë vetëm disa nga vargjet e këngës së saj të re, që me siguri, shumë shpejt do të këndohet nga të gjithë.