Jennifer Lopez nuk lë vend për keqkuptime kur vjen puna te romanca. Nëse dikush mendon se mund t’i tërheqë vëmendjen në vitin 2026 me një mesazh në Instagram, mund ta harrojë që tani. Mos i shkruani në DM.

Këngëtarja dhe aktorja 56 vjeçare e tha troç gjatë paraqitjes së saj në emisionin “Watch What Happens Live with Andy Cohen”, kur biseda shkoi te pyetja që shumë njerëz e kanë kur flitet për yjet: a i lexon ajo mesazhet private dhe a i merr seriozisht “admiruesit” që i shkruajnë?

Kur Andy Cohen e pyeti drejtpërdrejt “A i kontrollon DMs, Jennifer?”, përgjigjja e saj ishte e menjëhershme: “Jo.” Moderatori provoi ta shtynte skenarin më tej, duke përmendur një atlet të famshëm që tenton ta kontaktojë në Instagram, por Lopez nuk ndryshoi pozicion.

Madje, e ktheu në një parim shumë të qartë. Sipas saj, nëse dikush vërtet do ta gjente, do ta gjente edhe pa rrjete sociale. “Mendoj se do të ishin në gjendje të më gjenin, apo jo? Nëse vërtet doje të më gjeje, mund të më gjeje,” tha ajo, duke e bërë të qartë se një mesazh në inbox nuk i duket përpjekje reale.

Dhe pastaj erdhi fjalia që tani po qarkullon si rregulli i saj i pashkruar i takimeve: “Nuk do të më gjesh në Instagram, duke shkruar në DM. Duhet të bësh më shumë përpjekje se kaq.”

Ky qëndrim përkon me mënyrën si Lopez po e jeton periudhën pas divorcit me Ben Affleck, i cili u finalizua në janar 2025, pasi ajo kishte depozituar kërkesën për divorc në vitin 2024. Në intervistat e fundit, ajo është dukur çuditërisht e qetë me jetën single, madje edhe e lumtur.

Në një paraqitje në maj, ajo u shpreh me humor se “duhej ta kisha bërë më herët”, duke shtuar se nuk do të bëjë asgjë që ta prishë mënyrën si ndihet tani. “Është fantastike. Më pëlqen,” u shpreh ajo.

Nga ajo që ka lënë të kuptohet, Lopez nuk është aktive as në aplikacione ekskluzive takimesh si Raya dhe nuk i intereson qasja e shpejtë, e lehtë dhe online. Ajo preferon raportet që ndërtohen me përpjekje në botën reale, me ambicie të përbashkëta dhe pavarësi personale, jo me komoditetin e një mesazhi privat.

Megjithatë, romanca nuk duket se është prioriteti i saj kryesor këto muaj. Një kapitull i madh po ndryshon edhe në jetën familjare: binjakët e saj 18 vjeçarë, Max dhe Emme, pritet të nisen për në universitet këtë vjeshtë. Në emision, ajo e përshkroi këtë si një periudhë emocionale, sepse për vite me radhë kanë qenë “vetëm ne të tre”. Siç tha ajo, njerëz kanë hyrë dhe dalë nga jeta e saj, por baza ka qenë gjithmonë ajo treshe. Dhe tani, ideja që fëmijët nuk do të jenë çdo ditë aty pranë, e prek.