Sulmuesi i Borussia Dortmund, Karim Adeyemi, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me problemet ligjore që e vendosën në qendër të mediave gjatë vitit të kaluar.

Në episodin e dytë të dokumentarit të ri Loredana & Karim 'Love & Drama', futbollisti ka treguar versionin e tij të ngjarjes që përfundoi në gjykatë dhe që i kushtoi një gjobë prej afro gjysmë milioni eurosh.

Sipas Adeyemit, gjithçka nisi pas porosisë së një “mystery box” në internet, një paketë surprizë për të cilën blerësi nuk di paraprakisht përmbajtjen. Brenda saj ndodheshin disa sende, përfshirë një kapuç, një thikë me teh të madh, doreza boksi dhe pajisje të tjera që autoritetet gjermane i konsideruan armë ose mjete që kërkojnë autorizim të posaçëm.

Edhe partnerja e tij, reperja Loredana, kujtoi momentin kur pakot u morën nga një mik i çiftit ndërsa Adeyemi ndodhej me të në xhirimet e një programi televiziv. Situata mori një kthesë të papritur pasi përmbajtja e tyre u kontrollua nga autoritetet në aeroport.

Vetë futbollisti tregoi edhe reagimin e tij kur pa për herë të parë çfarë ndodhej brenda kutisë.

“Pashë një kapuç, një teh të madh, mbrojtëse për gishta dhe disa gjëra të tjera. Nuk mund ta besoja”, u shpreh ai.

Adeyemi këmbënguli se nuk kishte pasur dijeni për përmbajtjen e paketës dhe se nuk kishte menduar asnjë moment se po shkelte ligjin.

Megjithatë, ai pranoi se interesi i tij për pajisje vetëmbrojtëse lidhej me dëshirën për të mbrojtur njerëzit e afërt, veçanërisht partneren e tij.

“Nëse dikush dëshiron të më sulmojë mua, le ta bëjë, por jo familjen time. Shumë njerëz nuk e kuptojnë se unë nuk kam një bashkëshorte të zakonshme. Gruaja ime është një artiste e njohur dhe është vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Mendoja se një person publik duhet të jetë në gjendje të mbrojë veten. Logjika ime ishte e thjeshtë: nëse mund ta porosis online, nuk mund të jetë e paligjshme”, deklaroi futbollisti.

Rasti i tij shkaktoi debat dhe reagime të shumta në Gjermani, ndërsa deklaratat e fundit hedhin më shumë dritë mbi arsyet që, sipas Adeyemit, e çuan në këtë situatë ligjore.