David Beckham ka ndarë së fundmi sekretin që, sipas tij, ka ndihmuar në ruajtjen e martesës së lumtur me bashkëshorten e tij, Victoria Beckham, për gati tre dekada.

Në një intervistë për revistën Variety, ish-futbollisti u pyet se cili është çelësi i martesës së tij 27-vjeçare, pavarësisht viteve të gjata nën vëmendjen dhe presionin e mediave.

“Do të festojmë 27 vjet martesë këtë korrik. Jemi bashkë prej 29 vitesh. Kemi katër fëmijë të mrekullueshëm dhe biznese për të cilat punojmë fort. Por gjithmonë gjejmë kohë për njëri-tjetrin dhe kështu ka qenë gjithmonë,” tha Beckham.

Ai theksoi se mbështetja reciproke dhe vendosja e familjes në vend të parë kanë qenë themeli i marrëdhënies së tyre.

“Dua që Victoria të jetë versioni më i mirë i vetes së saj dhe ajo dëshiron të njëjtën gjë për mua. Sado të zënë që jemi, familja jonë vjen gjithmonë e para. Ky është prioriteti ynë dhe arsyeja pse marrëdhënia jonë ka funksionuar për kaq shumë vite,” u shpreh ai.

David dhe Victoria janë prindër të katër fëmijëve: Brooklyn, Romeo, Cruz dhe Harper. Çifti u martua më 4 korrik 1999 në një ceremoni madhështore në Irlandë.

Beckham kishte folur edhe më parë për sekretin e martesës së tyre afatgjatë. Në një podcast në vitin 2024, ai tregoi se çelësi ka qenë mbështetja ndaj njëri-tjetrit në momentet e mira dhe të vështira.

“Kur je me dikë për kaq shumë kohë, është normale të kesh ulje-ngritje. Të gjithë i përjetojnë. Por ne patëm fatin të kishim njëri-tjetrin në ato momente,” tha ai.

Edhe Victoria Beckham ka treguar shpesh dashurinë dhe vlerësimin për bashkëshortin e saj. Në përvjetorin e 26-të të martesës, ajo publikoi një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku shkroi:

“Jam shumë krenare për familjen e bukur dhe jetën që kemi ndërtuar së bashku. Ti dhe katër fëmijët tanë të mrekullueshëm më plotësoni. Të dua shumë. Gëzuar 26-vjetorin e martesës!” shkroi ajo.