Jo të gjitha princeshat rriten në një dhomë rozë. Nuk po flasim për vajzat e familjeve mbretërore, por për ato që janë të veçanta për nga mirësia, shkëlqimi i syve, butësia dhe talenti…Dhe Danjela, një nga konkurrentet e The Voice Kids duket fiks si një princeshë, edhe pse e veshur thjesht, edhe pse me duart e saj të vogla merret me punë fshati për të ndihmuar të ëmën, apo del me dhitë për të lehtësuar pak të atin…Nuk e mërzisin aspak këto punë, madje të qëndruarit me kafshët e argëton.
I do aq shumë sa kur të rritet do të bëhet veterinere…Ndoshta edhe mjeke. Një profesion që ndihmon gjithsesi, nga ato që kërkojnë të japësh dashuri e që Danjela e bën gjatë gjithë kohës me motrat, vëllain e saj me nevoja të veçanta, prindërit, gjyshen…
Danjela jeton në Kukës me motrat, vëllanë dhe gjyshen ku shkon dhe në shkollë, ndërsa prindërit jetojnë në fshat, ku ajo kthehet çdo fundjavë për t’i takuar, por dhe për t’i ndihmuar. Nuk duket aspak sikur po mban një barrë të rëndë, përkundrazi është e qeshur dhe e qetë prej idesë që po mund të bëjë sado pak për të shpërblyer mundin e prindërve.
Ata i kanë çuar fëmijët në qytet dhe u treguan të gatshëm ta shoqëronin Danjelën edhe në Tiranë për audicionet e fshehura të The Voice Kids. Ishin bashkë me ta dhe një nga motrat dhe i vëllai, miku më i mirë i Danjelës që e ndjeu dhe e shprehu gëzimin më fort sesa të gjithë.
Nuk ishte hera e parë që Danjela ngjitej në skenë. Ajo ka treguar në klipin e The Voice që ka nisur të këndojë që kur ishte 4 vjeçe dhe më pas në klasë të katërt, mësuesi e kishte çuar në festivalin e fëmijëve ku kishte fituar çmim të parë.
U ngjit modestisht në skenë, me dëshirën e vetme për t’u argëtuar dhe për të gëzuar prindërit dhe vëllanë, por zëri i saj nuk ishte aspak modest.
Të tria karriget u kthyen për Danjelën.
Ajo tani është në skuadrën e Miriam Canit. Dhe, meqë ra fjala, ne nuk duket një princeshë veshur me një fustan këmishë me kuadrate.