Që nga 8 shkurti e deri këtë të diel, atmosfera e festës së Karnavaleve është ndier gjithandej në qytetin e Shkodrës. Megjithëse prej ditësh, në Shkodër dhe rrethina janë përmbytur qindra hektarë tokë për shkak të shkarkimit të ujit nga hidrocentralet, të gjithë banorët e qytetit të kulturës kanë dalë këto ditë për të shijuar paradën e Karnavaleve.
Një nga traditat më të hershme të qytetit, përtërihet vit pas viti dhe shton interesin jo vetëm për të gjitha moshat, por edhe për turistët që vizitojnë Shkodrën.
Kjo e diel ka shënuar edhe ditën e fundit të “Karnaval në tepsi”. Të gjithë pjesëmarrësit kanë dalë në rrugët kryesore që nga ora 11 me itinerarin e lëvizjes Gjuhadol - Truma e Dugajve - Rus i Vogël - Katedrale - Isa Boletini - Parrucë - sheshi para Bashkisë dhe kanë vijuar edhe në rrugë të tjera të qytetit duke shtuar kureshjen te të gjithë njerëzit. Shfaqja finale është mbajtur në sheshin “Nënë Tereza”, nga ku kanë përshëndetur edhe përfaqësuesit e bashkisë së qytetit.