Pegi ka sjellë në prag të Shën Valentinit një libër që lexohet në çdo kohë, të koleksionit të ri.

Titulli në origjinal: First comes love

Autori: Katie Kacvinsky

Përktheu: Gerta Jazaj

Botime: Pegi

Zhanri: Roman

Data e botimit: Shkurt, 2018

Numri i faqeve: 216

Çmimi: 800 lekë

Ky është titulli i parë i koleksionit Fluturëzat. Me anë të këtij koleksioni do të sjellim romane të lehtë dhe të ëmbël, për të rinjtë e të rejat që kanë ende kohë të ëndërrojnë e të përhumben pak përmes rreshtave të dashurisë. Emri i koleksionit kërkon të na kujtojë emocionet e mëdha dhe fluturat e vogla në stomak, që ndiejmë sa herë biem në dashuri.

Një histori dashurie ngacmuese për të na kujtuar emocionet e fshehura, por jo të harruara, të drithërimave të para.

Grei është një djalë i ngrysur, durimpak dhe i tërhequr. Dilani është një vajzë kurioze, gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim të një risie, ekzaktësisht e kundërta e tij. Për herë të parë, Grei e vë re Dilanin kur ajo është e shtrirë barkazi në oborrin e universitetit, me xhinse të vjetra e këpucë të dala mode, me një aparat fotografik në dorë, teksa fokusohet te diçka që askush tjetër nuk arrin ta shohë. I ka zënë rrugën Greit, i cili është i detyruar t'i flasë. Pa e kuptuar as ai vetë, ajo ka hyrë në jetën e tij, duke vendosur në mënyrë pothuajse autoritare ta kalojnë pasditen bashkë. Dilani nuk është si vajzat e tjera që ka njohur Grei. Ajo është shpirtërisht dhe mendërisht e hapur, tërësisht vetja e saj, e pacenuar nga mendimet e të tjerëve. Fillimisht, pyetjet e saj të çuditshme dhe energjia e pashtershme e bezdisin Grein, por shumë shpejt ai do ta ndiejë veten më të hapur dhe kureshtar ndaj kësaj vajze të çmendur. E rrëfyer nga pikëpamjet e dy personazheve, historia e Dilanit dhe Greit do të shpaloset gradualisht, së bashku me sekretet më të thella të këtyre dy adoleshentëve.

Kritika

Ky roman përcjell bukur ekstazën e thellë të dashurisë së parë; ringjall çastin kur dy të dashuruarit kuptojnë se ky është vetëm fillimi i jetës, e cila nuk do të rrjedhë njësoj për të gjithë.

— Newsday.com

Do të dashuroheni me këtë libër... I ngjan librave të Nicholas Sparks, por me pak më shumë cinizëm dhe sarkazëm.

— Seventeen.com

Grei dhe Dilan janë dy personazhe tërheqëse që do t'u pëlqejnë lexuesve në kërkim të një historie të bukur dashurie, në prag të botës pas-shkollore.

— School Library Journal

... lexuesit do ta pyesin veten, nëse është vërtet dashuri apo vetëm një lojë e komplikuar.

— Kirkus Review

Autorja

Katie Kacvinsky shkruan kryesisht romane për adoleshentët dhe të rinjtë.

Veprat e saj kanë marrë vlerësime të rëndësishme në YALSA Awards, ndërsa “Dashuria mbi gjithçka” ka qenë një nga finalistët e çmimit Oregon Book Award. Ajo jeton në Uiskonsin me familjen e saj.

Fragmente nga libri

1)

Të përpiqesh të përshtatesh është mënyra më e mirë për të kaluar pa u vënë re. Njeriu u mbetet në mend të tjerëve vetëm atëherë kur merr guximin të ecë kundër rrymës.

2)

Përpiqu ta kërkosh të bukurën rrallëkund. Përpiqu ta shohësh jetën me sy krijues.

3)

Ndonjëherë, fitoret e vogla në jetë janë më të çmuara se synimet e mëdha që i vëmë vetes.

4)

- Pra, ky është çelësi i lumturisë? Të mos e marrësh jetën seriozisht? - e pyes.

- Jo, jetën merre seriozisht. Në fund të fundit është një gjë e pashmangshme. Sekreti është të mos e marrësh veten seriozisht. Hidhi gjërat pas krahëve. Mos e vrit mendjen fare për atë që mund të mendojnë të tjerët për ty. Madje dil edhe jashtë parashikimeve të tyre; kjo është mënyra më e goditur për t’i mbajtur ata tërë kohën sy e veshë.