Është një prej rasteve që, në çdo rrethanë, do ta kesh zili. Arsyet janë disa; ajo udhëton në çdo cep të botës, shikon dhe shijon çdo gjë të bukur (dhe e hedh pastaj në Instagram), por njëkohësisht edhe u jep dorë shumë të rinjve të bëjnë të njëjtën gjë si ajo.
Andej nga thellësitë, erërat vijnë të ftohta, por jo Era që njohim ne…
Herën tjetër që do të bëni një udhëtim në Instagram, kërkoni edhe emrin e Era Rrumbullakut. Imazhi që do t’ju shfaqet ngjet me atë të blogereve të botës së modës (edhe Era është një e tillë), por pas saj, ka edhe shumë sekrete të tjera, në të cilat ia vlen të ndalesh gjatë. Nëse do t’i kërkoje të zgjidhte mes kafeneve me shoqe, shopping-ut apo edhe aktiviteteve të tjera që bëjnë bashkëmoshataret e saj, Era do t’i refuzonte pa u menduar gjatë. Sepse e ka më përtej fokusin, në udhëtimet mbi kroçera, ku syri të shkon aq larg sa i do qejfi dhe nuk e ndal hovin, as nga ujërat e ftohtë të oqeanit që shkrihen me entuziazmin e një studenteje në fund të studimeve. Por në fillim të një udhëtimi mbi ujë, që nuk do të jetë mahnitës vetëm për të. Edhe për të gjithë bashkëmoshatarët e saj që do të guxojnë ta bëjnë.
Plot 11 vjet më parë, Afërdita Rrumbullaku, mamaja e Erës, mendoi se një kategori e caktuar të rinjsh, me gjithë dëshirën e mirë, e kishin të pamundur të gjenin punën që donin dhe profesionin për të cilin kishin investuar ose po investonin më shumë. Për këtë arsye, filloi bashkëpunimin me Kouzon-in, një prej të parave kompani ndërkombëtare, e cila rekrutonte të rinj për t’i punësuar në kroçera. Sapo pa interesin e shumë të rinjve, të cilët, për momentin e shikonin të pashpresë të ardhmen e tyre, u dha një dorë për t’i çuar drejt një rruge të panjohur, por të jashtëzakonshme, të pazëvendësueshme, mahnitëse. Vitet do të kalonin shpejt, derisa u rrit edhe Era dhe nisi ta pëlqejë vetë këtë rrugë të nisur nga e ëma.
Udhëtim pas udhëtimi, me Afërditën dhe pa të, Era nisi të kuptojë se bashkëmoshatarët e saj kishin nevoja të ngjashme me të; të vizitonin sa më shumë vende të bukura (këto, pa dyshim, të dokumentuara në Instagram), si dhe të fitonin para për të realizuar ëndrrat e tyre që lindin çdo ditë të vitit. Kështu u ideua edhe programi Work and Travel, program që monitorohet nga Departamenti i Shtetit Amerikan dhe u mundëson studentëve të punojnë duke udhëtuar. Ky program është ideal edhe për studentët shqiptarë, të cilët mund të udhëtojnë dhe të punojnë në USA në periudhën 1 korrik - 15 tetor.
Për programin Work and Travel, Kouzon Albania operon me 2 sponsora të fuqishëm, njëri prej të cilëve ka përfaqësues ekskluziv në Shqipëri vetëm Kouzon. I gjithë programi ka për qëllim të ndihmojë studentët të punojnë në resorte, hotele, restorante duke fituar shumë dhe shijuar shumë….
Për qëllimin e programit, për mundësinë e artë të të rinjve, për ofertat më të mira dhe për shumë të tjera, Era flet ekskluzivisht për revistën Class.
Si lindi ideja e Work and Travel?
Ka qenë krejt rastësi kur filluam të punonim me këtë program. Mamaja ime, para 18-vitesh, e nxitur nga kontaktet që kishte me të huajt, nëpërmjet programeve të shkëmbimeve kulturore, mendoi të krijojë edhe një risi tjetër për të rinjtë që aplikojnë pranë kompanisë sonë.
Sot, ne punojmë me Kouzon Logo, sepse jemi bërë prej 10-vitesh pjesë e korporatës Kouzon, korporatë shumë e fuqishme, me programe studentësh dhe mundësi punësimi pas mbarimit të universitetit.
Cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë studentët për të qenë pjesë e këtij programi? Ka kufizime?
Studentët duhet të jenë në studime me kohë të plotë, në universitete të akredituara dhe të jenë studentë të motivuar, pra me mesatare të mirë.
Për studentët nga Shqipëria, Work and Travel ka një program specifik?
Studentët shqiptarë kanë mundësinë të punojnë dhe të udhëtojnë në USA, për periudhën 1 korrik - 15 tetor, pasi ky program korrespondon me datat e pushimeve të verës. Ndërsa vendet e rajonit kanë afate të tjera, meqenëse ato i fillojnë pushimet më 15 maj dhe i rifillojnë studimet më 1 shtator.
Në cilat fusha mund të punojnë studentët shqiptarë që rekrutohen nga Work and Travel?
Studentët punojnë kryesisht në Hoteleri-Turizëm, ku u ofrohen pozicione të ndryshme si: recepsionistë, kamerierë, pastrim, host, lifeguard, etj. Pozicione të mirëpaguara, me paga mesatare 9 dollarë – 10 dollarë ora, por mundësia për të pasur një punë të dytë është shumë e madhe, ndaj kush e ka këtë mundësi, del shumë i kënaqur nga ana financiare, për të paguar studimet, për të bërë turizëm në mbarim të programit dhe, pse jo, për të menduar për një mundësi në të ardhmen (me këto para të bëjë një master të mirë në Europë apo edhe në USA).
Po vendet janë të përzgjedhura?
Nëse flasim për vende dhe atraksione, kemi shumë oferta të mira, të cilat u japin mundësi studentëve të fitojnë para dhe eksperienca të shkëlqyera udhëtimi. Disa nga atraksionet që studentët kanë mundësi t’i vizitojnë nëpërmjet punës janë: New York, Cape Cod, Myrtle Beach, parqe si Cedar Point, vende të ndryshme në bregun perëndimor në Kaliforni, Grand Canyon, Florida, Arizona, Wyoming, etj.
Janë të interesuar studentët shqiptarë për të ndjekur të tilla projekte?
Të them të drejtën, shumë, madje është për t’u theksuar se vera 2018 ishte shumë e mbarë, sepse edhe universiteti shtetëror u akreditua dhe fluksi ishte shumë më i madh nga vitet e tjera. Studentët janë shumë të interesuar, pasi ata gjithmonë kanë mundësinë të kontaktojnë me shokë që e kanë bërë këtë program dhe mesazhet janë shumë pozitive. Ata jo vetëm punojnë dhe fitojnë, por udhëtojnë, bëjnë miq nga e gjithë bota, përmirësojnë ose, më mirë të themi, perfeksionojnë anglishten e folur.
Cilat janë kushtet që studentët duhet të përmbushin për të qenë pjesë e këtij programi?
Si fillim, studentët duhet të paraqiten në zyrë për të biseduar për kushtet për aplikim, të cilat janë kushte të thjeshta, si: universiteti ku studiojnë të jetë i akredituar, të kenë notë mesatare të mirë, të flasin anglisht në nivelin mesatar dhe të kenë mundësi të paguajnë programin, aplikimin për vizë, biletën.
Kur dhe ku mund të aplikojnë studentët?
Aplikimet për verën e ardhshme kanë nisur më 1 tetor dhe mbarojnë më 30 mars. Studentët, pasi marrin informacionin e duhur, sjellin dokumentet që nevojiten për aplikim në zyrë.
Cilat janë pengesat më të mëdha që hasni zakonisht në të tilla aplikime?
Pengesa serioze nuk ka, por gjithsesi, edhe ndodh që studentët nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur aplikimit dhe nuk janë korrektë në dorëzimin e dokumentacionit të aplikimit, shpesh i telefonojmë për t’u kujtuar afatet kohore që kanë në dispozicion.
Përveç të ardhurave në para, çfarë tjetër mund të përfitojnë studentët nga të tilla programe studimi?
Siç e përmenda dhe më lart, studentët që ndjekin këtë program janë me shumë fat. Ata, përveç se punojnë e bëjnë para, vizitojnë shumë qytete dhe atraksione të Amerikës, që gjithkush do t’i kishte ëndërr. Kur kthehen nga programi, shpesh na flasin anglisht në zyrë, pra bëhen, si të thuash, amerikanë në të folur.
Si do t’i ftonit ju të rinjtë shqiptarë të bëhen pjesë e këtij programi?
Zyra jonë ka prurje të mëdha studentësh, por gjithsesi ne do të ftonim ata që nuk e dinë dhe nuk kanë pasur mundësi informacioni të vijnë tek ne, tek zyra jonë, e cila ndodhet në zemër të Tiranës, për të marrë informacion dhe më pas jemi të sigurt që do të aplikojnë, sepse ky program është një mundësi e artë për ta prekur Amerikën me punë dhe udhëtim.
Pse duhet ta zgjedhin ata një udhëtim të tillë në vend të një pune tjetër?
Po të them të drejtën, Amerika është vend me rregulla dhe ka hapësirë për këdo që është i interesuar të punojë dhe të kënaqet pas punës, pse jo ky shans të mos u ofrohet studentëve shqiptarë? Jam e lumtur që në këtë moshë, unë u ofroj këtë mundësi moshatarëve të mi, të cilët duhet të na besojnë, sepse ne jemi profesionistë dhe të përkushtuar në misionin që kryejmë.
Fotografitë: Orsola Mema, Class Photography