Marsi erdhi dhe çdo mbasdite e më shumë në palestrën time e shoh veten të rrethuar me akoma e më shumë njerëz, çdo ditë.  Sigurisht nuk mungon dhe shoqëria ime duke më thënë “Do vij dhe unë tek palestra jote, më prit”. E gjithë kjo sepse countdowni i verës 2019-të ka filluar, ashtu dhe palltot që na kanë mbuluar gjatë dimrit nuk do jenë më aty për të na “fshehur” defektet.

Po ju, do vini në palestër?

Përpara se të thoni “Po se kemi nevojë” po ju listoj disa gjëra që duhet të keni parasysh si fillim:

1.GJENI MOTIVIMIN TUAJ

Përpara se të ndërmerrni hapin për të përmirësuar trupin tuaj pyeteni veten PSE nuk jeni të kënaqur? Në ditët e sotme arsyeja nuk është vetëm “kilet e tepërta”, ndonjëherë nuk ka fare kile të tepërta, por vetëm kërkimi me ngulm për të pasur forma njësoj si DIKUSH që ju motivon….Është ky një person influencial në instagramin tuaj? Është një foto interneti?..apo dikush që e njihni fizikisht? Kushdo qoftë duhe të kuptoni se këtë po e bëni për veten tuaj dhe askënd tetër! (As për followersat tuaj, dëshirat momentale apo të qenurit pjesë e turmës). Në fillim, si të gjithë, është krejtësisht normale të gjeni motivimin tek ai “dikushi” që përmendëm më lartë dhe kjo vetëm si fillim… pasi synimi juaj i vetëm duhet të jetë që gjatë rrugës motivimi juaj të jetë vetja juaj.

JINI REALIST: nëse ju kërkoni të arrini X format e një X personazhi që mund të jetë 2M e gjatë ndërsa ju vetë jeni 1.6 M atëherë po jua them që tani se kjo NUK do funksionojë, përkundrazi do ju ndikojë masivisht në uljen e motivimit tuaj. Gjeni veten.

 2. PINI SHUMË UJË

Nëse marrëdhëniet me ujin i keni pak të ftohta atëherë rregullojeni këtë problem. Është shumë e rëndësishme që të hidratoni trupin tuaj sa më shpesh, për të pasur jo vetëm një lëkurë të freskët të trupit dhe fytyrës suaj, për të djersitur sa më shumë gjatë stërvitjes suaj, por ju ndihmon dhe në rënien në peshë pasi ju do të ndiheni më të ngopur dhe do të keni më pak vend në stomakun tuaj për të mos e tepruar me vaktet.

FAKT: Truri i njeriut shpeshherë nuk është në gjendje të dallojë nëse ju jeni të uritur apo keni etje, kjo çon në konsumim të ushqimeve pas vakteve edhe pasi ju ndjeheni të ngopur, por ende keni “dëshirën” për të ngrënë akoma.

Kjo dëshirë realisht është ETJE. Rekomandohet të konsumoni minimalisht 2 Litra ujë në ditë.

3. PUSHONI

Është shumë e rëndësishme që ju të bëni 7-8 orë gjumë për 24 orë në mënyrë që trupi juja të rikuperohet nga stërvitja dhe të mblidhni energjitë e duhura për aktivitetet ditore, mendjen dhe për t’u stërvitur. Këtë gjë duhet ta keni parasysh nëse doni t’i futeni kësaj pune. Rregulloni axhendën tuaj fillimisht.

4. STABILIZONI DIETËN TUAJ

A e dini se nëse doni të bini në peshë roli i ushqimit është 70% vendimtar ndërsa i aktivitetit tuaj fizik është vetëm 30% ? Kjo sepse të biesh në peshë do të thotë të humbasësh dhjam nga trupi yt, dhe palestra ju ndihmon shumë për këtë, por ju do të jeni duke krijuar bazë muskulare kryesisht. Është logjike: Ju po ushtroni muskujt tuaj, fokusi juaj është aty, ndërkohë që duke djegur kalori ju humbisni dhjam. Nëse ushtroheni me pesha do jetë shumë herë më shumë efektive të digjni dhjamin e trupit tuaj. (deri në 6 orë pas stërvitjes suaj). Por roli i dietës suaj është 70 % vendimtar, ja pse duhet ta stabilizoni atë.

Kjo nuk do të thotë të hash nën kaloritë minimale të rekomanduara ditore  duke kaluar në “depresion” nga uria, POR do të thotë thjesht të RREGULLONI mënyrën sesi hani.

·         Të hani çfarë quhet “e shëndetshme” për ju.

·         Të reduktoni konsumimin e ushqimeve Fast Food (e thënë dhe e stër-thënë)

·         Të reduktoni në masë produktet shumë të ëmbla dhe ato shumë të kripura.

·         Reduktimi i ushqimeve të konservuara dhe atyre të ndenjura.

·         Të konsumoni sa më shumë ushqim RAW (bruto/ushqim i pagatuar: frutat, perimet,etj)

·         Të jeni koshient i të gjitha ushqimeve që konsumoni gjatë ditës (kjo ju ndihmon të kontrrolloni veten),

Pak a shumë ju të gjithë e dini se ç’duhet të eleminoni nga dieta juaj, thjesht duhet të gjeni vullnetin për ta bërë këtë. Kam të drejtë?

 

5. ZGJIDHNI VESHJET E DUHURA PËR PALESTËR

Kjo NUK duhet anashkaluar sepse  komoditeti është një ndër faktorët kryesor në rezistencën tuaj në palestër. Brandet më prestigjoze të veshjeve sportive janë të ndara gjithmonë në kategoritë përkatëse “performance” dhe “fashion” dhe kjo është jo vetëm shumë e dallueshme në materialin e tyre, por dhe dallohet lehtësisht me sy të lirë nga logot e ndryshme përkatëse.

 

6.FOKUSOHUNI MAKSIMALISHT TEK STËRVITJA JUAJ GJATË KOHËS QË JENI NË PALESTËR

·         Mundohuni të mos e mbani fare telefonin afër jush atë orë (për telefonata apo mesazhe)

·         Gjeni një këngë apo playlist  që ju bën të ndiheni mirë për ta dëgjuar në palestër

·         Mos bëni pushime  shumë të gjata midis seteve apo ushtrimeve nga njëri-tjetri pasi mund të humbisni fare durimin për të rikthyer sërish pastaj.

·         Mundohuni të mos vini në palestër të shoqëruar nga një mik apo mikeshë që ka tendencën t’ju mbajë me muhabet gjatë stërvitjes suaj. Personalisht preferoj të jem e shoqëruar nga kufjet e mia dhe muzikë me shumë ritëm, ose mbase nga miq konkurues gjatë stërvijes. Kjo e fundit e bën akoma më zbavitëse dhe intensive.

 

7. VENDOSNI SYNIME MUJORE (Monthly GOALS)

·         Sa gr/ kg doni të humbisni këtë muaj?

·         Sa herë në javë do jeni të gatshëm të shkoni përgjatë muajit.

·         Bëni matje në fillim të çdo muaji

·         Gjithashtu një ide e mire është dhe të ruani foto të trupit për të parë progresin tuaj.

·         Do sugjeroja të vendosni dhe synime përsa i përket përmirësimit të dietës suaj në pika. (Shembull: Këtë muaj do mundohem të mos konsumoj sheqer, sugar-free, ose të keni vetëm 2-3 cheat days)

8.  MOS PRISNI ASGJË

Mos kini pritshmëri të larta asnjëherë. Lejojeni pak veten të surprizohet me rezultatet muaj pas muaji dhe kjo do ju bëjë akoma dhe më shumë të motivuar. Ju nuk do të fitoni një trup super muskuloz apo të humbisni dhjam sa hap e mbyll sytë gati për verën nëse vendosni t’i futeni palestrës në Prill apo Mars. Por, dhe kjo e fundit s’mund të jetë e pamundur. Gjithçka varet nga vendosshmëria juaj. Ja pse sa më pak pritshmëri aq më shumë kënaqësi do merrni nga rezultatet, dhe nëse kjo s’ndodh..atëherë ju keni gabuar diku.

Dhe një këshillë… mos shpenzoni shumë kohë para pasqyrës duke gjykuar trupin tuaj, nuk ju ndihmon.

BONUS TIP: Mbase për mbyllje do të shtoj dhe vetëm një këshillë të vogël dhe do ta lë aty... Mos krijoni xhelozi për trupin e personave të tjerë, inspirohuni prej tyre.

“The only thing you can always improve is YOURSELF”

LOYALTHY by Adela Osmani