
Prej më shumë se 2-vjetësh, familja e Shpëtim Saraçit dhe Mira Konçit fluturuan drejt SHBA-ve dhe që nga ajo kohë, lajmet për të u reduktuan. Por sot, vjen një profil i plotë nga përtej oqeanit, i cili, pa dyshim, do ju sjellë mallin të gjithë miqve dhe fansave të dy artistëve.

Era, vajza e madhe e çiftit Konçi – Saraçi, është diplomuar dhe të gjithë bashkë kanë festuar ditën e saj më të rëndësishme. Në këto foto që ka postuar vetë kompozitori në profilin e tij në Facebook, duket Era e veshur me kostumin tradicional të diplomantëve, si edhe një shall identifikues me dy flamujt, atë shqiptar dhe amerikan. Në krah të saj, është edhe i vëllai, Drini, dhe Shpëtimi e Mira.

Krenar për të bijën, Shpëtim Saraçi ka shkruar pak më parë një status për të: “Ja edhe Era u diplomua. Diplomimi yt, Era e jonë, na lumturoi pa masë dhe është kurorëzim i të gjitha sakrificave të përbashkëta familjare, por kryesisht i djersës dhe mundit tënd. i madhi Zot ndriçoftë çdo hap tëndin në rrugën e gjatë të jetës.

Falënderojmë përzemërsisht të gjithë familjarët dhe miqtë e dashamirësit që na ndihmuan dhe u bënë mbrojtësit kryesorë të suksesit tënd Era”


