Katër vite më parë në zyrën e Alketa Vejsiut trokitën dy vajza. Një brune, një bjonde - shumë interesante, novatore dhe me stil, të cilat nisën një blog në revistën Class online.
Brunia (Livia) kishte qenë gjithmonë skeptike që ajo derë nuk do t’i hapej, biondja (Ina), një tjetër vajzë shumë e talentuar, i kishte thënë që duhet ta provonin sepse intuita kështu ia thoshte. Dhe, në fakt, nxitja e një mikeje të vërtetë që të do të mirën, mund të të ndryshojë tërësisht historinë e jetës (patjetër kur je i prirur ta ndjekësh dhe besosh).
I shkruan disa herë në instagram deri sa u la një takim.
Alketa i punësoi të dyja, sepse ky ishte kushti i mikeshave, të mos ndaheshin. White and dark chocolate! Kështu quhej blogu që Alketa u besoi. Donte t’u gjente patjetër një vend në kompani sepse kishte nuhatur talent aty. Merreshin të dyja me advertorialet e modës dhe realizuan me sukses një nga rubrikat më të bukura dhe të lexuara të revistës Class në atë kohë.
Livia skiconte gjithë kohës. E kishte bërë këtë që fëmijë kur luante me kukullat. Ishte më pak e interesuar për gazetarinë dhe gjithmonë e më shumë e fokusuar te dizajni, trendet e fundit të modës së fustaneve. Skiconte gjithë kohës në një tabak të bardhë me lapsa me ngjyra fustane. Sepse talenti e gjen vetë rrugën e tij!
Pasioni i saj ishte moda, edhe pse paralel me disa kurse për fashion kishte ndjekur studimet për shkencat sociale ku ishte një studente e spikatur. Nga revista Class, Livia ndërtoi strategjinë e re si image maker i Class dhe profilit personal të Alketa Vejsiut. Dhe aty gjërat nisën të marrin formë.
Ka qenë në gjithë këto vite pranë Alketës si konsulente dhe njeri kreativ në të gjitha sipërmarrjet e sektorit të fustaneve, por edhe image maker-i i saj personal.
Alketa një ditë i tha: “Vizato dhe m'i prezanto krijimet. Ne mund të bëjmë një projekt të paparë bashkë”!
Dhe kështu lindi “Class Petite”, koleksioni i parë i suksesshëm, i cili u shit brenda një muaji. Eksperimentuan një linjë evening, të quajtur “Caramel”, e cila gjithashtu u shit me sukses. Pastaj fustanet e parë bridal, të cilat kërkonin më shumë punë, më shumë mund, më shumë kërkim, më shumë qendisje, më shumë forcë punëtore.
Kishin një studio të vogël në fillim, ndërsa tani, prej afro dy vitesh, kanë trefishuar mjediset. 14 profesioniste në sektorin e rrobaqepësisë mbulojnë prodhimin dhe me kërkesat në rritje për fustane të personalizuar, por edhe për fustane Ready to Wear. Në www.shopclassav.com ky projekt gëzon një atelier që ka premisat e një historie suksesi!
Si në shumë histori të ngjashme, ku njëri është zhvillues dhe tjetri krijon dhe ekzekuton, Alketa dhe Livia janë një dyshe që funksionojnë.
Koleksionet që serviren çdo sezon janë simbol i thjeshtësisë që ndërthuret me modernen, romantiken dhe jo pak herë, edhe me të guximshmen.
Faza e parë e sfilatës është një koleksion me fustane nusërie, që do të parakalojnë njëherësh me romancën e pakohë dhe klasiken e përjetshme, në një shkrirje perfekte me thjeshtësinë e natyrës.
Tylet e buta dhe fluide, aplikat e imëta me xixa, dantellat dhe qëndisjet delikate do të jenë materialet në qendër të thjeshtësisë së propozuar këtë sezon nga stilistja e “Class by Alketa Vejsiu”. Puplat e holla dhe të lehta, si tendencë e pakthyeshme e sezonit, transparenca që ekspozon lëkurën dhe siluetat që theksojnë me elegancë format trupore pa u imponuar, janë propozimet që do tundojnë çdo vajzë me shije.
Faza e dytë është gjithashtu një manifestim i së bukurës në formë krejtësisht elegante. Sërish propozohen xixat, si elementi që dashurojnë vajzat për të tërhequr vështrimet e kujtdo përreth, por nuk mungon ekspozimi i formave dhe propozimi i ngjyrave tipike pranverore për të sjellë një imazh të freskët të vajzës perëndimore.
E argjendta, e florinjta, roza e ëmbël dhe miksimi i tyre është simbol i romancës, qendra e konceptit të të gjitha fustaneve të koleksionit.
View this post on Instagram