Gjithkush që e jeton metropolin e Tiranës, përmes angazhimeve të përditshme, punës dhe familjes mundet që edhe ndryshimin ta prekë nga afër, ta jetojë në çdo dimension të tijin! Ka diçka që na duhet ta pranojmë pa kushte, sidomos referuar zhvillimit dhe ndryshimeve që Tirana jonë ka pësuar këto vitet e fundit: kryeqyteti nuk është më ai i pari!

Ka rrugë të shtruara, ka trotura të gjera dhe të strukturuara për karrocat dhe nënat me fëmijë, ka më shumë parqe lojërash, ka shkolla të përfunduara dhe të tjera në përfundim e sipër, ka hapësira të gjelbëruara dhe një zhvillim të hovshëm që e bën shumë më të pranueshëm dhe të pëlqyeshëm standardin e jetesës për çdo qytetar të Tiranës.

Dhe kjo dukshëm nuk është një histori suksesi që i "faturohet" një personi të vetëm, kreut të Bashkisë Erion Veliaj, por edhe një skuadre njerëzish të përkushtuar, plot pasion dhe ide që duan më të mirën për Tiranën. Është krahu i djathtë i Veliajt, një nga nënkryetaret e këtij institucioni! Quhet Anuela Ristani dhe është një nga gratë energjike dhe të devotshme që përpos angazhimit të përditshëm, ka vendosur "zemrën" dhe pasionin në punën e saj.

Ajo vjen nga një përvojë shumë e gjatë në sektorin privat dhe pranon se roli i saj në Bashki dhe përditshmëria është sfiduese dhe përtej pritshmërive personale. Rezultati është i prekshëm, i matshëm, sepse ajo mundet të prekë ndryshimin e cilësisë së jetës së mijëra banorëve dhe kjo është një kënaqësi direkte që ajo ja mvesh natyrës së angazhimit të përditshëm.

E do punën që bën, e mat rezultatin çdo ditë nga vetë qytetarët, edhe pse shpesh i ndodh që t'i hyjë në hak familjes dhe fëmijëve për shkak të orareve të zgjatura, emaile të shumta, takimeve jashtë rendit të ditës dhe gjithçka përbën botën e saj të veprimit si profesioniste dhe nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Në hapësirën e parë të lirë  "struket" tek strehëza e ngrohtë e familjes, si nënë e dy fëmijëve dhe bashkëshorte e përkushtuar ajo përpiqet të maksimizojë kohën në dispozicion të tyre.

E nëse ata janë të sistemuar në gjërat e tyre, Anuela zgjedh një libër si shoqëruesin më të mirë ose të vrapojë në kontakt me natyrën e hapur. Ky është profili i nënkryetares që duhet ta njohim të gjithë!

Anuela jemi pak kohë pas tërmetit dhe pasojave që ai la pas në vlerat materiale, por edhe dëmtimi psikologjik që mund të kenë pësuar shumë njerëz. Si po ecën plani i mbështetjes së këtyre familjeve të prekura nga tërmeti?

Pavarësisht traumës që shkaktoi, tërmeti sikur na zgjoi të gjithëve këtu në Tiranë për t’iu kthyer gjërave të rëndësishme. Kemi qenë shumë të prekur të gjithë në Bashkinë e Tiranës nga dëshira për të ndihmuar dhe solidariteti i treguar jo vetëm nga ata që kanë mundësi për të ndihmuar, por edhe nga qytetarët e thjeshtë. Gjë që tregon se duke u ndjerë pjesë të një familjeje të madhe edhe momentet e vështira dimë t'i kalojmë bashkë. Të gjitha familjet e prekura dhe banesat u evidentuan në kohë rekord nga stafi, i cili në disa raste ka ecur me orë të tëra në këmbë për të arritur në zona aq të thella sa nuk mund të kalonin as automjetet dhe për këtë asnjë rast nuk është i tepërt për t'i falënderuar. Pasi u është dhënë ndihma e parë, filloi puna për të rimëkëmbur banesat e tyre dhe në disa raste për t'i shpërngulur në banesa të sigurta provizore ose afatgjate. Do të dojë kohë të arrihet plotësimi 100% i të gjitha nevojave dhe rehabilitimit të të gjitha banesave pasi bëhet fjalë për mbi 1000 të tilla, por puna nuk do të ndalet deri sa t'ja arrijmë.

Sigurisht, tërmetet janë dukuri natyrore të paparshikuara, por sa të përgatitur jemi ne në kryeqytet apo në gjithë Shqipërinë që të përballojmë kësi goditjesh nga natyra?

Që në vitin tonë të parë në administratë kuptuam që pregatitja për fenomene natyrore apo kriza të paparashikuara urbane linte shumë për të dëshiruar. Në këto vite na është dashur të përballemi me përmbytje dhe rreshje të një intensiteti disa herë mbi normalen, të pasuara pastaj me muaj të tërë thatësire, bore, breshër e tërmete dhe është e thjeshtë të dorëzohesh dhe të thuash janë gjëra që si kemi në dorë. Në të vërtetë nuk i kemi, por mënyra se si rimëkëmbemi pas tyre nuk kërkon ndonjë talent të veçantë. Duhet vetëm pregatitje, pregatitje, pregatitje jo vetëm nga ana e administratës, por edhe e qytetarëve nëpërmjet simulimeve dhe edukimit kryesisht në shkolla e institucione. Tirana është pjesë e komunitetit të Qyteteve të Kalitura, (Resilient Cities) dhe si e tillë e ka përparësi zhvillimin e programeve të emergjencave civile dhe ndërhyrjeve të shpejta urbane. Por nga ana tjetër po aq punë duhet zhvilluar në aspektin edukativ. Në të gjitha shkollat e Tiranës do të zhvillohen orë pregatitje ndaj emergjencave nga stafi i kualifikuar që do tu mësojë fëmijëve mënyrat më të mira për të reaguar dhe për tu mbrojtur në situata emergjence. Si duhet të reagojnë, ku duhet të mblidhen nëse shpërndahen, si duhet të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzime etj.

Ju më parë keni mbajtur postin e drejtores së kabinetit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Çdo të thotë pozicionimi tashmë si nën/kryetare e Bashkisë? Më shumë përgjegjësi, detyra?

Gjatë mandatit të parë kam shërbyer si Drejtore Kabineti e Kryetarit ku kam mbuluar pak a shumë çdo fushë a projekt përsa i përkiste matjes së progresit. Ndërkohë si nënkryetare do të mbulojë kryesisht marrëdhëniet me jashtë. Tirana në katër vitet e fundit është vendosur në hartë dhe krejt papritur në sajë të ndryshimeve që kemi bërë në kaq pak kohë nuk jemi më ne që kërkojmë të jemi pjesë e tryezave të qyteteve por (dhe si personi përgjegjës për agjendën e kryetarit e kam përjetuar vetë) duhet të zgjedhim se ku duam të ulemi dhe ku marrim më vlerë për qytetin dhe qytetarët e Tiranës. Nëse deri tani kam punuar mbrapa kuintave për tu siguruar që kryetari kishte të gjithë informacionin e duhur për ta ndarë Tiranën me botën, në rolin e nënkryetares do të kem mundësinë ta ndihmojë dhe ta përfaqësoj qytetin publikisht duke i dyfishuar përpjekjet. Integrimi i qytetit në agjendat e zhvillimit urban modern shkon përpara pavarësisht nga statusi ynë zyrtar në marrëdhënie me BE apo organizma të tjera. Plani ynë i përgjithshëm vendor, plani i veprimit të qytetit të gjelbër që hartuam dhe po ndjekim me BERZH, zhvillimi i qytetit miqësor për fëmijët dhe prezantimi i Tiranës si mikëpritëse e konferencave ndërkombëtare janë disa nga fushat që duam t'i theksojmë akoma edhe më shumë në katër vitet e ardhshme dhe me të cilat do të kem kënaqësinë të merrem.

Zhvillimi i Tiranës po ecën me hapa fantastik dhe ne që jetojmë këtu e prekim çdo ditë nga afër ndryshimin. Më shumë shkolla, çerdhe, infrastrukturë, çfarë tjetër planeshczhvillimi ka bashkia për kryeqytetin?

Qyteti tani duhet të lëvizë nga vitet e para të emergjencës dhe nevojave imediate në një fazë pjekurie dhe qëndrueshmërie, ku investimet infrastrukturore ose jo krijojnë mirëqenie për qytetarët dhe vijojnë në mënyrë logjike dhe të pandërprerë. Patjetër që një ndër projektet tona më të mëdha dhe ambicioze është dhënia fund e mësimit me dy turne, por kemi edhe risi të tjera si zgjatimi i Lanës me gjithë infrastrukturën buzë saj për transport rrugor, korsi biçikletash dhe trotuare për këmbësorë, përfundimi i bulevardit të Ri, rehabilitimi i bulevardit Zogu I, e shumë të tjera.

Të mos harrojmë që jo vetëm metropoli është tregues zhvillimi. Fshatrat përreth Tiranës kanë jo pak problematika. Çfarë shihni apo konsideroni ju si më emergjente për t’u zgjidhur?

Fshatrat jo vetëm përreth Tiranës, por në të gjithë Shqipërinë kanë problematika që janë historike dhe që nuk do të zgjidhen dot nga ndërhyrje administrative. Nga ana tjetër për shkak të pronësive private dhe familjare edhe nismat mbeten shpesh të tilla dhe nuk marrin përmasa të qenësishme për të gjithë komunitetin. Një ndër objektivat e këtij katër vjeçari është mbështetja e ekonomive lokale agrobujqësore dhe ngritjes së agroturizmit për zonat e kryeqytetit që përpos problematikave kanë peizazhe dhe natyrë fantastike për tu vizituar e shijuar. Detyra e Bashkisë së Tiranës është të krijojë kushtet bazë në mënyrë që më pas nisma private të marrin jetë dhe të kenë mundësi të zgjerohen sa i përket volumit të të ardhurave dhe punësimit në zonë por edhe shfrytëzimit më efektiv të tokave bujqësore dhe burimeve të tjera natyrore përreth.

Anuela ju keni investuar bindshëm në sektorin publik, e njëherësh ju keni nje profil të admirueshëm studimesh dhe kualifikimesh jashtë vendit. Është më sfiduese të punuarit pranë njerëzve? Pse nuk zgjodhe le të themi një punë më komode në zyrë, tetë orë, etj?

Unë vij nga një përvojë shumë e gjatë në sektorin privat dhe më pas në akademi. Administrata publike ishte krejtësisht e pavend në planet e mia profesionale, por qëllon që të jetë jo vetëm më sfiduesja sa i përket pritshmërive personale, por edhe ajo që të ofron më kënaqësi. Sidomos puna për qytetin ku rezultati është i prekshëm, i matshëm dhe që ndryshon në mënyrë të menjëhershme cilësinë e jetës për qindra e mijëra banorë, është një ndër dhuratat më të bukura që mund të marrësh nga jeta profesionale. Nuk diskutohet që lënda më e vështirë për të zotëruar janë njerëzit, por dhe kënaqësia vjen më e vërtetë dhe e fuqishme po nëpërmjet mirënjohjes apo mbështetjes së tyre. Nga ana tjetër nuk mendoj që puna në administratën publike është për çdokënd në çdo moshë. Ka një sens misioni dhe pjekurie profesionale dëshira dhe përgjegjësia për të dhënë më shumë nga ç’merr, në fakt shumë më shumë, por siç mundohem t'i them fëmijëve të mi sa herë që protestojëe kur nuk kam kohë të kujdesem për ta, nëse ke aftësi dhe mundësi duhet të kesh edhe përgjegjësinë për t'i vënë në shërbim të të tjerëve.

Si është të punosh me Erion Veliajn, një politikan dhe figurë popullore që njerëzit e duan dhe vlerësojnë mjaftueshëm? Keni atakime në mendime, në strategji o projekte?

Unë mendoj se çdo profesionist pasi ka grumbulluar përvojë dhe pjekuri kërkon vetëm një gjë nga personi që ka mbi krye: të ketë çfarë të të mësojë. Unë mësoj çdo ditë diçka që më parë nuk e dija nga Erion Veliaj dhe për mua kjo është arritja më e madhe profesionale.

Puna juaj e përditshme i “hyn në hak” jetës private? Familja, shoqëria? Si është jeta jote përtej profilit si bashkiake?

Unë jam nënë e dy fëmijëve, Sibel 12 dhe Gias 3 të cilët marrin çdo minutë të lirë që kam jashtë pune/zyre. Bashkë mundohemi të maksimizojmë kohën e pakët që kemi në dispozicion. Por, nëse fëmijët janë të sistemuar dhe nuk kam emaile për t’iu përgjigjur më pëlqen shumë të vrapoj apo të lexoj. 

Credits:

Foto: Orsola Mema