Nëse ke pritur të gjesh një vend luksi, ku e florinjta të verbon sytë e ngjyrat të ngatërrojnë mendimet, nuk është ky rasti. As nëse kërkon një vend luksoz me tablo të stërmëdha, surreale, që të çojnë padashur te një vend surreal… As një vend mitik, që të provokon të mendosh një botë të re me ngjyra. Nuk është as kjo….

Është një vend tipik i ngrohtë, ashtu siç është arti i vërtetë që fle brenda piktorit Rakip Shabani. Për vite me radhë, dekada të tëra, krijoi në këto tablo çdo copëz realiteti, derisa një ditë i mblodhi të gjitha bashkë e i vendosi në këtë kënd privat, tërësisht çlodhës për syrin dhe frymëzues për mendjen – me një qëllim të vetëm: të përcjellë mesazhe e histori për të bukurën që ai ka ngrirë në këto piktura. Sepse e bukura që gjendet këtu është reale, e jetuar, e prekur në çdo pëllëmbë, e bërë njësh me ndjesinë e piktorit dhe çdo copëz të jetës së tij…

Ndërsa hyn e shikon këtë galeri me pavijone, mund të ngurosh pak derisa të kuptosh se ku dhe përballë kujt gjendesh në të vërtetë. Në fakt, nuk është se ta bën edhe aq të lehtë vizitën vetë autori. Sepse nis “testin” për të kuptuar sa do dhe sa dëshirë ke të dish për punën e tij. E nis çdo pyetje me shumë qetësi (më fal, mos isha unë që duhet t’i bëja pyetjet këtu?), por pastaj e shoqëron me humor dhe nis të rrëfejë me detaje gjtihçka ka hedhur mbi këto tablo.

Rrugëtimi nëpër galerinë e Rakip Shabanit mund të zgjasë edhe me orë, por ajo që ndien në fund të saj është që koha paska fluturuar. Aq sa me ëndje nis të rrëfejë piktori çdo tablo të vetën, aq edhe me emocion kujton historinë pas së cilës fshihet çdo pikturë.

E gjithë galeria është e ndarë në disa pavijone. Sapo shikon një pavijon ku mbizotëron natyra, hidhesh menjëherë në një tjetër në të cilin fokus është “Deti”, mandej në një tjetër ku mbizotëron historia me personazhet e saj. Si mund të mungonte një pavijon special për Ali Pashë Tepelenën? Ashtu, madhështor, siç ka ditur gjithmonë të rrijë Ali Pasha, është edhe në pikturat e Shabanit. Veçse këtu, më kryelartë. Ndoshta sepse vetë piktori vjen nga i njëjti qytet: “Nuk mund të jesh kurrë artist i mirë, nëse nuk njeh mirë rrënjët e tua, të kombit tënd”, – rrëfen piktori duke treguar një nga një tablotë e këtij këndi, për të cilin, siç tregon ai, të gjithë kanë kureshtje të mësojnë më shumë.

Pasi e lë këtë kënd, ku burrëria dhe virtytet më të mira shqiptare zënë vend më shumë se kudo tjetër, gjendesh në një botë më femërore, mitike, atë të zanave. Edhe këtu, fantazia nuk ka njohur kufij. Në trupat me lule, me flutura, me fruta e me gjithfarë lloj elementësh, produkte të fantazisë së autorit, gjenden edhe detajet sensuale, romantike, intime, të cilat syri i pastërvitur nuk e ka të vështirë t’i shquajë.  

Një kënd tjetër i galerisë është ai i pikturave bardhë e zi, me krijime nga tradita e vjetër tiranase. Pazari, veshjet tradicionale, objektet e kultit dhe çdo element që të çon në Tiranën e më shumë se 50 viteve më parë gjendet këtu. Siç rrëfen me qetësi Shabani, edhe kjo pjesë e galerisë nuk mund të mungonte. Sepse të gjithë kanë interes të shohin Tiranën si ka qenë, ta krahasojnë me atë që është sot, por edhe të meditojnë përmes saj.

Në pavijonet e tjera, tablotë janë edhe më të guximshme. Në këtë galeri fotosh, do të keni mundësi të shikoni çdo kënd të kësaj galerie, e cila i lë hapësirë çdo vizitori të krijojë një botë të vetën, me ngjyra, për pak minuta dhe të ëndërrojë për gjëra të bukura…

Dy fjalë për autorin

Rakip Shabani është një prej artistëve më të njohur për veprën e tij brenda dhe jashtë vendit. Dhjetëra ekspozita mbajnë emrin e tij si piktor, me vepra të vlerësuara e çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Rakip Shabani hyri në art me dëshirën për të përshkruar imazhet e peizazheve shqiptare, duke udhëtuar pa u lodhur nga veriu në jug. Ai ia doli me sukses të realizonte mbi me dhjetëra ekspozita vetjake në Shqipëri dhe jashtë saj, punime që i realizoi në teknikën e vajit dhe akuarelit. Në vitin 2006, Rakip Shabani çeli në GKA ekspozitën e tij vetjake, të cilën ia kushtoi figurës së Ali Pashë Tepelenës, një ekspozitë me 40 punime në vaj dhe 4 akuarele.

Krijimtaria e piktorit Rakip Shabani tashmë ruhet në GKA, në GA, Vlorë, dhe në koleksionistë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në GKA ndodhen 24 punime kryesisht në teknikën e akuarelit, peizazhe dhe portrete. Punimet e mjeshtrit të akuarelit Rakip Shabani vazhdojnë traditën e akuarelistëve shqiptarë si Fadil Pëllumbi, Sadik Kaceli, Dhimitër Mborja. Punimet e tij prezantojnë magjinë e peizazhit shqiptar, me freskinë e ngjyrave dhe dashurinë e tij për pikturën.