Një tjetër dasmë u realizua me sukses nga skuadra e Class, kësaj radhe jo në Shqipëri, por në Itali, sepse Class është kudo. Ceremonia u organizua në një ndërtesë të vjetër në Dogana Veneta di Lazise, në Lago Di Garda.
Jonida dhe Danieli ishin fatlumët që kurorëzuan dashurinë e tyre në një vend spektakolar, në praninë e njerëzve të tyre të dashur.
Ata u njohën në kursin e patentës që frekuentonin në të njëjtën periudhë. Gjatë kësaj kohe, Jonida dhe Danieli thjesht përshëndeteshin dhe shkëmbenim shikime, por asnjëri nuk e mori guximin t’i fliste tjetrit.
“Që në momentin e parë që e pashë, ndjeva ato fluturat në stomak”, -e përshkruan Jonida kontaktin e parë me atë që më vonë do të ishte bashkëshorti i saj.
Pasi mbaroi kursi ata nuk u panë më, edhe pse Jonida e mendonte herë pas here, por gjithmonë përfundonte duke i thënë vetes se po tregohej budallaqe që fiksohej me dikë që nuk mori guximin ta pyeste as për emrin. Derisa një ditë, një kërkesë në Facebook, i riktheu asaj “fluturat”. Danieli ia kishte dalë të gjente emrin e Jonidës dhe mori guximin t’i shkruante një mesazh, ku i kërkonte të takoheshin.
“Në ato momente e gjithë bota ishte e imja. Si përfundim u takuam para universitetit tim në Padova. Ky moment ka qenë unik, nuk e përshkruaj dot. Isha në telefon dhe aq shumë u hutova, saqë e kisha përballë dhe nuk e shikoja. Ndërsa ai në telefon më thoshte ‘Nuk më shikon ku jam. Unë të shikoj ...ke veshur këtë xhup... këtë shall...” dhe përshkruante çdo gjë që kisha veshur. Unë vazhdoja të mos e kuptoja se ku ishte. Pastaj u takuam dhe nga ajo ditë çdo gjë ndryshoi”, -kujton Jonida.
Pas disa kohësh, më 22 dhjetor të vitit 2018, erdhi propozimi për martesë. Vendi që Danieli zgjodhi për të bërë propozimin nuk mund të ishte më ekzotik.
Ata ndodheshin me pushime në Maldive, kur Danieli u ul në gjunjë për të bërë pyetjen e madhe. Jonida tregon se duke qenë se propozimi ishte shumë romantik dhe erdhi në një vend aq përrallor, e bëri të thoshte “Po”, pa e menduar dy herë.
Pothuajse një vit më vonë u realizua dasma, në Lazise, Lago Di Garda. Çifti zgjodhi datën 23 shtator për të kurorëzuar dashurinë. Kjo datë u zgjodh jo pa qëllim, pasi për Jonidën kishte një domethënie të veçantë. Në të njëjtën datë, prindërit e saj mbushën plot 35 vite të martuar dhe kjo ishte një suprizë për ta dhe do mbetet gjithmonë një kujtim i bukur.
“Çdo gjë ishte perfekte. Isha e lumtur, sepse po martohesha me dashurinë e zemrës dhe pranë meje kisha njerëzit e mi të dashur, të cilët gëzonin bashkë me mua. Dëshiroj të jap një mesazh për çiftet që duan të kurorëzojnë dashurinë me një dasmë, nisur nga eksperienca e dasmës sime dhe ajo e sime motre, mendoj se duhet ta realizojnë çdo detaj ashtu siç e kanë ëndërruar. Nëse çifti është i lumtur dhe i kënaqur me atë çfarë kanë realizuar dhe sidomos me emocionet që përjetojnë, atëherë gjithçka gjatë eventit do jetë në harmoni të plotë. Faleminderit Zotit dhe dashamirësve që na rrethuan, ajo ditë për ne ishte unike dhe mund ta konsiderojmë pa hezitim si ditën tonë më të lumtur”, -përfundon ajo.
Ndërtesa ku u realizua dasma ndodhej buzë liqenit, ku ofrohej një pamje mbresëlënëse dhe një paqe shpirtërore që vetëm uji i qetë i liqenit mund të ta përcjellë.
Uji i kristaltë i liqenit i ndërthurur me gjelbërimin e natyrës dhe me lulet e dekorit të Class, e shndërruan altarin në një magji më vete. Altari në formë U-je lidhej me path-in, ku nusja kaloi para dhjetra të ftuarve për t’u betuar për dashuri të përjetshme.
Më pas, festa u organizua në ambientin e brendshëm, i cili dominohej nga thjeshtësia; me mure guri dhe çati e dysheme prej druri. Class solli freskinë e liqenit edhe në sallën e dasmës, nëpërmjet dekorit minimalist dhe shumë elegant. Lulet në ngjyrat e bardha dhe jeshile e bënë dekorin të dukej në harmoni me vendin.
U përdorën karrige prej druri natyral që u përshtatën me të gjithë ambientin. Në tavolina u shtruan mbulesa të bardha, ndërsa pecetat ishin në ngjyrë jeshile. Sotopjatat ishin transparente me fileto gold, qirinjtë gri e lehtë dhe menutë të bardha me vulë dylli në ngjyrën e pecetës.
Dashuria e Jonidës dhe Danielit, e kurorëzuar në një kështjellë, ngjason me një histori përrallash, ku të gjithë jetojnë të lumtur përgjithmonë.
Foto: Class Photography, Orsola Mema