Ilva Tare: Kanë qenë ditë të vështira për ty apo të lehta me këto debatet, kritikat online, s’e kam kuptuar…

Alketa Vejsiu: Këto janë ditët më të lumtura të jetës sime, në fakt. Jo, jam shumë e gëzuar. Jam e gëzuar, sepse kam jetuar një emocion të jashtëzakonshëm që kanë mundësinë pak njerëz ta jetojnë, kështu që s’kam arsye për të qenë e mëzitur, me thënë të drejtën. Jam shumë e lumtur që jam këtu me ty, jam shumë e çuditur nga ky investim që është bërë këtu në Euronews Albania, edhe ju komplimentoj, jam shumë e gëzuar, sepse kjo që po shoh sot këtu është vërtet progres, është një Shqipëri europiane që na bën të ndihemi krenarë.

Ilva Tare: … për të cilën punojmë përditë dhe nuk është e lehtë. Besoj që edhe ti ke punuar për këtë ditë, qoftë kur je në Shqipëri, për karrierën këtu, për vajtjen në Itali në Sanremo, në skenën më të lartë të muzikës Italiane. Si arrite aty?

Alketa Vejsiu: Kam punuar me këmbëngulje, kam punuar në mënyrë konstante të përditshme për t’ia dalë dhe aleat kam pasur veten dhe vetëm një njeri, bashkëshortin tim, i cili më ka mbështetur që në hapat e parë të kësaj ëndrre dhe më ka dhënë forcë gjithë kohës, që unë mund t’ia dal. Dhe kur ke dikë që të mbështet dhe të do, është privilegj i madh.

Ilva Tare: Po ke pasur dyshime edhe vetë? Ku ke thënë “fundja, kjo s’do realizohet kurrë”. Momente si “po ndjek diçka që nuk ka fund” dhe, edhe mund të dorëzoheshe, një kurbë…

Alketa Vejsiu: Ka pasur momente, po, kjo është një trajektore shumë e lakuar, nuk është se ka qenë lule dhe trëndafila e gjithë kjo rrugë. Patjetër e vështirë.

Ilva Tare: … se kur të shohin në televizor, kam përshtypjen, Alketa, ti flet bukur, flet shpejt, flet me optimizëm dhe njerëzit mendojnë se e gjithë jeta jote është ashtu. Është ashtu, në fakt?

Alketa Vejsiu: Unë besoj që dhe jeta jote nuk ka qenë e thjeshtë derisa ke mbërritur këtu ku ke mbërritur. Je drejtuese e një medie të rëndësishme dhe ke ngritur kushedi sa redaksi nga e para, kështu që jemi, pak a shumë, në të njëjtin pozicion. Unë mbuloj një fushë tjetër, që është fusha e entertainment, argëtimit, produksioneve që argëtojnë njerëzit, por pak a shumë gjuha dhe sfidat janë universal, kështu që kemi të gjithë luftrat tona të vogla, të heshtura çdo ditë, po kur ato mbështeten mbi një sistem vlerash, nuk të tradhtojnë kurrë. Them që gjithmonë ka një rrugëdalje për njerëzit e mbarë që ndërtojnë karrierën mbi ca binarë të duhur. Dhe se cilët janë këta binarët e duhur mund ta shtjellojmë më vonë.

Ilva Tare: Ka dhe një besim, gjithashtu, që për të arritur majat e një karriere në çdo lloj fushe që të jetë ajo, ka dhe kompromise. Ke bërë ti kompromis për të qenë këtu ku je sot?

Alketa Vejsiu: Nuk mendoj që kam bërë kompromis, se unë thjesht kam qenë me shumë fat që kam zgjedhur të bëj punën që dua dhe jo punën që duhet bërë. Kur ti e gjen ëndrrën tënde dhe futesh në shinat e saj, pastaj është më e thjeshtë. Kur ti bën një punë të sforcuar, që duhet ta bësh thjesht se duhet ta bësh për të mbijetuar dhe për t’ia dalë në fund, sepse duhet të garantosh ca të ardhura në fund të ditës, kjo kthehet në një sforco. Prandaj, në këto epitafet greke gjithmonë shkruhet kur njerëzit largohen nga kjo botë: A kishte vallë një ëndër dhe një pasion? Dikur ironizonin opinionistët e Web-it, 10 vjet më pare, kur unë flisja për ëndrrat dhe për pasionin, por po ta rikthej historinë nga e para, do t’i kthehesha fort kësaj bindjeje, që kur ke një ëndërr, një pasion dhe e ke dimensionuar veten tënde në raport me ëndrrën, ke bërë gjysmën e rrugës drejt suksesit.

Ilva Tare: Meqënëse i përmende opinionistët, në fakt, ata përsëri kanë ironizuar, vajtjen në Sanremo, si shkove deri atje, kush të ndihmoi, monologu, ajo çfarë the, a përfaqësove shqiptarët… Kë përfaqësove ti në Sanremo, Alketa Vejsiu?

Alketa Vejsiu: Unë mendoj që përfaqësova veten time, ishte ëndrra ime dhe e gjithë eksperienca është raporti i Alketës me ëndrrën e saj. Patjetër unë jam e bindur që jo të gjithë njerëzit janë në frekuencën e lumturisë sime, sepse sot mund të numërojmë shumë njerëz që vuajnë dhe janë në spital, shumë të tjerë mezi ia dalin që të mbyllin muajin, shumë të tjerë kanë sfida të përditshme me fëmijët e tyre, dikush sentimentalisht nuk është në një moment të mirë emocional dhe jo të gjithë mund ta kuptojnë këtë entuziazmin edhe gëzimin që përjeton dikush që raport me ëndrrën e tij. Ajo që unë dua të ndaj në këtë bisedë që bëjmë bashkë është patjetër që “Ti mund të mos jesh i lumtur për mua, por kjo nuk do të thotë që të jesh i ligë dhe i keq. Patjetër që ka dy trena, një tren ekspres ku unë kam hipur që e vogël edhe kam punuar mbi këto vlerat për të cilat do doja të flisnim, siç ka disa qerre, të cilat tërhiqen nga njerëz regresivë. Në shoqëri ka forca progresive, ka dhe forca regresive. Ka njerëz që nuk duan suksesin, që nuk e përqafojnë progresin, ka njerëz që janë dyshues dhe skeptikë, sepse ashtu janë të gatuar, ka njerëz që bëjnë kompromise me profesionin dhe paguhen, dhe unë kam dyshimet e mia që shumë njerëz paguhen, sepse janë pjesë e disa rretheve dhe grupesh interesash edhe duan të bëjnë dëm. Po ja që unë mendoj që në fund të ditës, ata lëndojnë veten e tyre edhe thellohen gjithmonë e më shumë tek kjo lluca që nuk të lë të ecësh e të vraposh, nuk e di; kur sheh ndonjëherë ëndërr kur do të vraposh edhe mbetesh, ngecën sikur nuk mund të ecësh?

Ilva Tare: Sheh dhe ti ëndrra të tilla?

Alketa Vejsiu: E shoh ndonjëherë këtë ëndërr, por vetëm në ëndrra ngec ndonjëherë. Por në mëngjes zgjohem më e fortë edhe them "futja vrapit Alketë, se duhet të bësh sport që t’i mbash gjallë ëndrrat e tua".

Ilva Tare: Këta që ti i quajte regresivë, të kanë bërë ndonjëherë të futesh në mendime; po heq dorë, është e kotë, u lodha, a ia vlen e gjitha kjo, në fund të ditës?


Alketa Vejsiu: Jo po s’mund ta kenë këtë forcë ata, se po ta kenë këtë forcë më shumë i bëjnë dëm vetes së tyre sesa ëndrrimtarit. Ëndrrimtari dhe punëtori, ai që është në rrugën e tij ka shpëtuar, e ka gjetur trajektoren e vet kështu që ata janë thjesht bashkëudhëtarë, ne duhet të mësohemi me këtë, që patjetër në shoqëri kur je njeri që ke të bësh me publikun, do paguash edhe një çmim për famën dhe kjo është kosto që ne paguajmë. Ata janë thjesht bashkudhëtarë, kanë jetën e tyre, unë i ftoj të hipin tek treni im, sepse është tren shumë i mirë, është tren i udhëhequr nga pozitiviteti nga e mira nga merita.

Ilva Tare: Jo s’ka gjë, nuk është e thënë të vijnë tek treni juaj. Mund të rrinë në qëndrimet e tyre.

Alketa Vejsiu: Ose le të jenë bashkudhëtarë, ka vend për të gjithë në këtë botë, bashkëjetesa është shumë e mirë është ok, i pranojmë, është çështje zgjedhjesh, unë kam zgjedhur këtë trenin tjetër dhe jam e lumtur për zgjedhjen time. Fle e qetë në fund të ditës.

Ilva Tare: Po flisje për vlerat, cilat janë ato që do t’i ndash, që i ke përzemër dhe që mendon se të kanë sjellë këtu në këtë pikë me këtë entuziazëm për veten për karrierën për familjen, për gjërat që ke arritur.

Alketa Vejsiu: Shiko, unë kam zgjedhur të jem e lumtur, dhe lumturia mendoj që është një emocion, që krijohet çdo ditë. Të jesh i drejtë dhe të kesh integritet, të jesh i ndershëm, të mos i bësh stërkëmbësha dhe t’i presësh rrugën atij që është nisur për diku. T’i japësh të drejtën atij që vlen, t’i hapësh rrugën meritokracisë dhe talentit. Është një shportë e madhe vlerash kjo, për të cilat mund të flasim, vetëm ta vendosim në kontekst dhe për Alketën sipërmarrëse apo për Alketën që komunikon në publik si prezantuese televizive. Apo për Alketën si producente, që ngre një projekt nga e para, se secila nga këto ka patjetër korsinë e vet.

Ilva Tare: Po, por e thënë kështu është bukur; që kam zgjedhur të jem e lumtur, kam zgjedhur ta shijoj këtë gjë dhe ta bëj ashtu siç mendoj më mirë, por në realitet si është kjo?

Alketa Vejsiu: Një nga leksionet më të bukura që më ka thënë mentori im i pare, që ka qenë Tani i Top Albania Radio, ishte që kur je në kontakt me publikun, do vësh një mur virtual dhe do t’i fshish të gjitha, do dalësh dhe do t’u japësh njerëzve gëzim, sepse për atë paguhesh, për atë të kemi besuar privilegjin e të qënit e dëgjuar, kështu që kur je në televizion dhe je në radio, flet, komunikon, bën spektakle. Nuk do dalësh atje në televizior dhe të qash hallet me publikun apo të tregosh se sa sfida ke patur ti gjatë ditës për t'ia dalë aty. Njerëzit nuk duan të dinë sa shumë lodhemi neve që në fund ta mbërrijmë atë produktin që duam ta shikojmë të realizuar. Të siguroj që ka shumë sfida të heshtura për të cilat unë preferoj të mos flas, kam vendosur që të jem një motivatore e mirë për publikun dhe patjetër të servir këtë pjesën e bukur që mendoj që njerëzit i frymëzon, dhe me thënë të drejtën në gjithë këtë lumin e diskutimeve se mua më është bërë një si gjyq publik që është gati gati absurd. Të bësh një gjë të bukur, një festival të mirë, të shkosh në Sanremo të bësh megjithatë një prezantim dinjitoz dhe pastaj të rrish të dëgjosh gjithë këtë zhurmën mendoj që…

Ilva Tare: Pse e konsideron gjyq publik? Ju e thatë dhe më lart, që ka një kategori që thonë atë çfarë mendojnë ose kanë interesa të tjera dhe ju vazhdoni përpara, pse e keni përjetuar si gjyq?

Alketa Vejsiu: Po kështu e kam perceptuar, se ka patur zëra që kanë bërë një hetuesi ndaj Alketa Vejsiut, një gjë krejt absurde. Nuk i detyrohem kujt asnjë shpjegim, nuk mendoj që kam përpara as një hetues as një prokuror, kam gazetarët, kam publikun, dhe në respekt të kësaj vij dhe përgjigjem, sepse më pëlqen që të nënvizoj gjëra të bukura të kësaj përvoje. Por megjithatë, ajo që ngelet më zemrën time dhe mendjen time është vetëm pozitivitet. Mendoj që media shqiptare më ka mbështetur shumë, i falenderoj të gjithë kolegët, që e kanë bërë këtë në titujt e parë të portaleve të tyre, në mediat e tyre, falënderoj patjetër publikun, ku 85% janë zëra pozitivë të cilët më thonë një fjali që mua më impenjon.

Ilva Tare: Mirë, mos të lëmë hapësira për kritika të tjera, se do thonë vajti tek studioja e Ilvës dhe falënderon.

Alketa Vejsiu: Jo, dua të them vetëm fjalinë që më ka bërë të ndihem e mbushur dhe me zemrën plot: “Ti më frymëzon, ti na bën të ndihemi krenarë”. Kaq më duhet nga e gjithë kjo përvojë. Kjo është ajo për të cilën unë punoj në fund të ditës si një artist që këndon dy orë një opera dhe pastaj në fund pret një duartrokitje. Kjo është duartrokitja për mua.

Ilva Tare: Meqënëse jemi tek kritikat, pati një tjetër kritikë që ju ishit pak shumë falënderuese në skenën e Sanremos, gati e përulur përpara Italisë. Kishte ekzagjerim? Nëse do kishte mundësi ta ribëje, do ta bëje ndryshe monologun, daljen në Sanremo, ngjitjet e shkallëve simbolikisht metaforikisht…

Alketa Vejsiu: Sa mirë që u tha kjo fjala e përulur. Të paktën njëherë se ngaqë u dukem shumë entuziaste njerëzve dhe ndonjëherë e kam vënë re që thonë duhet të jesh pak më e thjeshtë dhe modeste. Shiko, unë mendoj që njeriu nuk mund të vetëkënaqet me punën që bën, është një shprehje shumë e bukur e një kapitalisti të njohur, i cili thotë: Duhet jetëgjatësi e madhe për të vërtetuar se sa të drejtë kemi pasur. Kështu që koha, patjetër do t’i tregojë sa gjëra kemi bërë mirë dhe sa gjëra kemi bërë gabim. Unë jam një njeri në përsosje edhe mendoj që edukimi më i mirë është vetedukimi dhe vazhdimisht studioj, marr pjesë në trajnime, lexoj në mënyrë sistematike për të përsosur veten time. Sigurisht, ka gjithmonë vend për të bërë më mirë, unë them që për kohën që po jetoj, për gjërat që kam bërë në kontekstin e duhur them që i kam bërë sipas një qasje të caktuar që është qasja ime personale. Mund të jem e gjykueshme për këtë, por është qasja ime. Mund të të marr Festivalin Kombëtar në analizë, mund të marr Sanremon. Por megjithatë, mua më ka mbetur një ndjesi e mirë në zemër, sepse mendoj që kjo zhurma që është krijuar nga grupe të vogla interesi, bën më shumë zhurmë sesa e mira. Dhe kjo është lufta dhe sfida ime.

Ilva Tare: Është kjo një zhurmë që ke përfituar prej saj

Alketa Vejsiu: Nuk mendoj që unë kam nevojë nga ai rasti i Bad Publicity is Good Publicity. Publiciteti i keq është publicitet i mire, se jam boll e ekspozuar dhe kam qiell të mjaftueshëm për të…

Ilva Tare: Por, gjithsesi flasin për ty, nuk e kanë injoruar dot prezencën tënde, daljet, mund ta kishe parë ndoshta dhe në kuptimin pozitiv, dhe zhurmën që është bërë.

Alketa Vejsiu: Për festivalin e madh, për shembull më vjen mirë, në gjithë këtë zhurmë kuptova që ky festival qenka ringjallur. Kjo ishte ndjesia e parë që përjetova. Kështu që ku ka zhurmues, që dhe ata kanë në këtë sensin pozitiv të të parit të gjërave kanë rolin e tyre të mirë. Them që përsa i takon Festivalit, kuptova që kishim bërë një festival të diskutueshëm, një festival që kishte vite që nuk diskutohej përveç dy-tre edicioneve që janë bërë mirë. Kam respekt për disa nga ish-kolegët, me thënë të drejtën.

Ilva Tare: Që u diskutua kjo, është pak po e sigurt, u diskutua shumë. U diskutua, por dhe ju e provokuat pak diskutimin në fund me statusin pas Festivalit për Arilenën, për Elvanën. Çfarë ndodhi me jurinë, ishit hapur kundër saj. Gabuat me atë status me qëndrimin që mbajte duke qenë se ishit drejtuesja artistike dhe prezantuesja e atij Festivali?

Alketa Vejsiu: Po, mendoj që mund të isha rezervuar dhe mund ta kisha shmangur atë status, sepse e pashë që bëri një ndarje të publikut në dy hemisfera që nuk është asnjëherë e mirë se unë, në fund të ditës, bëj programe argëtuese dhe duhet spektakli t’i bashkojë njerëzit. Boll të ndarë janë shqiptarët për shkaqe të tjera, kështu që ne nuk bëjmë politikë aty. Në fund të ditës, bëjmë spektakël, bëjmë art, është shumë e lehtë kjo gjëja që bëjmë, në formë, jo në përmbajtje se në përmbajtje është komplekse sa të duash. Po mund ta kisha rezervuar.

Ilva Tare: Jua ka cënuar marrëdhënien me Arilenën për shembull?

Alketa Vejsiu: Jo, unë mendoj që më shumë sesa me ketë pjesë, të merem me këtë tjetrën, që në fund të ditës, bëra një festival shumë të mirë, së bashku me Verën dhe me një grup të madh njerëzisht që punuan, ishte një festival ku ofruam, afruam njerëz të rinj të talentuar si në asnjë edicion tjetër. Sollëm patjetër nga Italia emra që nuk janë kaq të thjesht për t’u sjellë, u përpoqëm t’i gjejmë vetë sponsorët, sepse buxheti i limituar i Festivalit të madh nuk ta jep shansin që të bësh…

Ilva Tare: Po edhe aty u akuzuat se e monopolizuat skenën e Festivalit të TVSH-së

Alketa Vejsiu: Po pse? Nga e mira çfarë i gjen këta njerëz? Kjo është një gjë e mire.

Ilva Tare: E thatë dhe ju vetë, nuk mendojnë të gjithë që është e mirë. Ka nga ata që mendojnë se nuk është e mirë dhe meqënëse është një skenë publike që i përket televizionit publik dhe gjithë shqiptarëve. Nëse do kishte një moment reflektimi sërish, mund të kishe pasur më pak protagonizëm në Festival?

Alketa Vejsiu: Po unë nuk mendoj që ky i imi kishte protagonizëm, ky i imi ishte, ta them kështu në mënyrë simbolike në thonjëza “Shtrydhja e një njeriu që ka aftësi të bëjë disa gjëra”. Ishte qasja ime për ta bërë festivalin kështu që mund të jetë patjetër e diskutueshme, por Alketa është një njeri që gjithë jetën ka kënduar, ka prezantuar, që bën dhe autoren televizive dhe producenten televizive dhe prezanton dhe unë këtë bëra, këtë që kam ditur të bëj gjithmonë. E vërteta është një e vërtetë për të cilën ti vetë je në dijeni, që unë kam ftuar shumë njerëz në Festival, përfshirë edhe ty.

Ilva Tare: Po, kur kemi mbuluar ngjarjet, tërmetin

Alketa Vejsiu: Ky konteksti i tërmetit e kompleksoi shumë prezencën e shumë personazheve të spikatur, unë kam ftuar Ardit Gjebrean, Adi Krastën, Arbana Osmanin, Ermal Mulosmani, kam ftuar katër politikanë, gazetarë, ne kemi biseduar bashkë, të cilët për arsye të ndryshme të secilit të cilat i respektoj dhe i mirëkuptoj, nuk erdhën dot.

Ilva Tare: Ermal Mamaqin do thoje

Alketa Vejsiu: Po, dhe Ermalin, ai për shembull kishte një kashe të lartë. Unë e respektoj për këtë gjë, nuk e mbulonim dot me buxhetin e RTSH, ka dhe një problem tjetër në Shqipëri, ky është vërtet problem. Neve duam të bëjmë programe televizive edhe t’u themi gjithmonë njerëzve që: Ejani në programin tone, se ne ju bëjmë nder, sepse juve merni publicitet dhe rrisni statusin tuaj. Që është totalisht e gabuar, sepse sistemi nuk duhet të jetë, por është çmimi që paguajmë për këtë tregun tonë të vogël që është Shqipëria. Dhe që kaq  shpërblehen njerëzit, se po të kesh buxhete, nga 300 mijë euro buxhet apo sa janë ato po të ulim taksat paratë e festivalit, se nuk jam marrë unë me menaxhimin e tyre, me miliona euro që ka kushtuar festivali i Sanremos. Po t’i marrësh të dyja t’i shikosh si figurë, dallimi është shumë i vogël. Domethënë kemi një figurë prestigjioze në të dyja rastet, nga pikapamja e teknologjisë, formës asaj gjësë së bukur që serviret në fund. Përmbajtja është ajo ku mund të bëhet më mirë. Por për përmbajtjen duhen para. Dhe këtu nuk mund të vihet në diskutim protagonisti kryesor që në fund të ditës i është besuar ai pozicioni për të bërë pikërisht atë punë. Fiorelon e gjykoi njeri në Sanremo që këndoi dy këngë në natë dhe bëri monolog? Përkundrazi, drejtori i RAI-t tha me të mëdhaja: Per Sempre Fiorelo në Sanremo. Sepse është i talentuar dhe i duhet atij festivali.

Ilva Tare: Do vazhdojmë se do thonë e monopolizoi dhe Ilva Now…

Alketa Vejsiu: Jo, nuk monopolizoj, ky është dialog shumë konstruktiv dhe shumë i këndshëm. Të të them dhe një gje të bukur, që më ka bërë më shumë përshtypje se çdo gjë tjetër me këto diskutimet? Fustanet, me të cilat jam argëtuar patjetër. Po mund të vihet në diskutim fakti që pse u ndërruan tre fustane në një natë kur vetë Rula Jebreal, gazetare që sot punon si konsulente e Macron dhe që është gazetare si ju që trajton cështje të rëndëishme të politikës dhe aktualitetit ndërroi tre fustane në natë. Ishin gjashtë fustane për dy partneret vajza zonja të Amadeusit. Po këtu sa prezantuese të tjera e kanë ndërruar fustanin në festivalin Kënga Magjike apo në festivalin e madh. S’u mor askush. Alketa një shënjestër interesante. Sa më ka lënduar mua kjo; deri diku, por tani që e shoh pak nga larg them që ishte e këndshme kjo, do kujtohet në afatgjatë si një kapitull i këndshëm i jetës time.

Ilva Tare: Çfarë raporti ke me Vera Grabockën? M’u duk sikur u mbyll një kapitull me Festivalin që u rihap dje me Piter Panin sërish.

Alketa Vejsiu: Kjo është tamam si një pyetje që i bëhet dy njerëzve që duhen edhe u thuhet: çfarë ndodhi me raportin tuaj të dashurisë? Një raport që ka dhe 20 vite jetë. Raportet ridimensionohen apo jo, riformatohen, por mund të them vetëm një fjali: që është një raport shumë solid i cili do jetojë me neve sa të jemi në këtë jetë. Kështu që kjo është pak, por është e sigurt.

Ilva Tare: Po pati krisje…

Alketa Vejsiu: Krisje jo, pati diskutime sigurisht që eksperienca e Verës dhe dëshira ime për novacion ndonëherë përplasen por gjendet gjithmonë një rrugë e përbashkët ku lumi zë shtrat.

Ilva Tare: Të uroi Vera Grabocka për Sanremon?

Alketa Vejsiu: Po Vera Grabocka ishte në sallë, se këtë nuk e dinë njerëzit. Po ishin dy njerëz në sallën e Aristonit me të cilët unë kisha gjithë kohës kontakt me sy, ishte bashkëshorti im dhe në të djathtë, patjetër një nga njerëzit më të rëndësishëm në jetën time profesionale, profesori im Vera Grabocka. Ishin të dy të ulur në zemër të platesë A edhe ishin aty për të më mbështetur.

Ilva Tare: Ngaqe nuk pamë një reagim publik ose mbështetje ndaj.. vazhdonte dilema nëse patët një krisje në marrëdhënien me Vera Grabockën. Por rrimë prapë tek Sanremo. Mediat italiane ishin patjetër më dashamirëse se ato shqiptare ose një pjesë e mediave shqiptare se, për hir të së vërtetës, mbas festivalit, dalja në Sanremo nuk ka pasur përve një debati në lidhje me faktin që ju deklaruar se ishit e para prezantuese femër, grua e festivalit të këngës, pjesa tjetër ka qenë mbështetëse për performancën tuaj. Por në Itali të gjithë ju pritën mirë. Kjo ndodhi se nuk ju njihnin, nuk pati anomizitet, nuk patën asgjë për t’iu kritikuar apo si e shpjegon?

Alketa Vejsiu: Ndodhi magjia, mbase mora atë që më takonte. Mendoj që secili nga ne ka një karma në jetë që duhet ta marrë mbrapsht dhe unë besoj tek kjo filozofi; bëj mirë do gjesh mirë, bëj keq do gjesh keq. Puno 20 vjet dhe diku do vjelësh, do korrësh diçka nëse ke bërë gjënë e duhur edhe mendoj që më dhanë atë që më takonte, këtë e them me shumë modesti, po ka qenë një gjë që më ka mbushur më ka emocionuar ka qenë gjithë magjia e kësaj përvoje të jashtëzakonshme. Ishte në rënie të lirë e gjitha. Nuk kishte asnjë menaxhim nga pas që të thuash kjo u menaxhua në mënyrë përfekte dhe solli rezultat.

Ila Tare: Nuk është rezultat i një PR të agjencisë ndoshta me të cilën ju punuat?

Alketa Vejsiu: Por s’mundet ta menaxhosh Italinë me 64 milionë. Nuk mundet ta menaxhosh. Domethënë tituj aq dashamirës dhe aq ndryshe nga njëri-tjetri, janë vetëm përjetime personale të gazetarëve dhe qëndrimet e tyre dhe italia nuk është një vend që mund të kompromentohet nëpërmjet ndërhyrjeve të agjensive.

Ilva Tare: Në segmente të caktuara ndoshta po. Ndoshta jo e gjithë Italia.

Alketa Vejsiu: Unë personalisht nuk njoh këtë mekanizëm. Unë njoh mekanizmin e meritës që shkoj e imponohem në një treg duke thënë që unë vlej me krenarinë e një shqiptareje  të barabartë mes gjithë të barabartëve aty dhe jo me stepjen e një shqiptareje që kujton gjithmonë që para 20 vitesh gjihtë bashkëkombasit e mi iknin me gomone e me anje. Dhe do ta them në çdo intervistë publike italiane që Shqipëria jonë nuk është Shqiëpria e anijeve dhe gomoneve.

(vijon..) 

Alketa Vejsiu, në 'Ilva Now': Kam një betejë personale dhe motive të forta për këtë lëvizje