Më erdhi një letër e çuditshme. Ma nisi një mikja ime, shkruar nga Darinka Montico…

Dukej sikur Corona po fliste me një zë imagjinar. Po, po Corona nga YouTube nisi një mesazh për të gjithë ne…

Ishte shumë i pastër qielli dje në mbrëmje, në Tiranë, pas shiut. Ajër si ky kisha vite që nuk kisha ndier. Qyteti jeton prej kohësh në një re të stërmadhe smogu që nuk do shumë shkencë për ta analizuar, mjafton ta shohësh nga Dajti. Kemi mbjellë pemë plot, por ato s’e përballojnë dot urgjencën që edhe vendi ynë, si i gjithë planeti, ka për “ajër të pastër”.

Kjo letër më la të kuptoja se duhet t’i shikoja më shumë yjet, t’i gëzohesha lindjes së diellit (që, më së shumti e humbas, sepse nuk zgjohem dot aq herët në mëngjes), mos ta neglizhoja ngjyrën spektakolare të qiellit në perëndim dhe t’i gëzohesha muzikës së shiut… Kjo letër më la pa gjumë, sepse e mendoj njësoj si mesazhi që thuhej në video dhe që për mua motivon paralizën e botës gjatë këtyre ditëve.

Toka po na ndëshkon!

Nuk dua t’u jap këtyre rreshtave asnjë kuptim të veçantë shkencor, mjekësor apo konspirativ, por përjetimin e një banoreje të thjeshtë të Tokës, e barabartë mes të barabartëve që dje nuk fjeti e qetë për shkak të asaj që dëgjoi. “Kur mesazhi s’të pëlqen, mos e vrit mesazherin”, ndaj unë zgjodha ta bëj Aleat Coronën, armikun më të egër të ditëve të fundit.

*Nga brenda apartamentit të thjeshtë apo të madh, apo vilës luksoze, të gjithë ne, pa dallim, të ngujuar brenda pak metrave katrorë, nga e njëjta dritare po shikojmë lirinë se si na parakalon syve duke na sfiduar keq.

Në gjithë shqetësimin e një prej sfidave më të mëdha të shekullit, në mënyrë paradoksale, njerëzit, megjithatë, janë të qetë, sepse ndihen njësoj, sepse piramida e nevojave është përmbysur dhe pavarësisht llogarive bankare, jemi të barabartë, kemi ca nevoja bazë për të mbijetuar, kemi frikë njësoj nga e panjohura dhe s’ka më asnjë vizë ndarëse në fatkeqësi, nëse je i varfër apo i pasur.

Në vrapimin tonë maratonë drejt një finishi që është njësoj për të gjithë, kemi harruar që “bota ka kohë që nuk është mirë, që është e sëmurë, metaforikisht dhe fizikisht.”

Na ka joshur keq kjo kacavjerrje drejt një maje të paarritshme, thjesht për disa komoditete më shumë, duke na fshirë e dëmtuar atë pjesë të inteligjencës emocionale për të cilën kemi ardhur në jetë.

*Kemi trajtuar keq kafshët dhe duket sikur karma e tyre na ka zënë, sepse ky virus prej tyre thuhet që erdhi (nëse duhet të besojmë këtë fakt në gjenezë të Coronës dhe jo dhjetëra teori konspirative në qarkullim).

* Edhe pse akullnajat po shkrihen dhe shumë shpejt një pjesë e mirë e botës do jetë nën ujë, më keq se Venecia, askush nuk e ka në axhendën e ditës “ngrohjen globale”. Vazhduam po njësoj me fabrikat dhe industritë që prodhojnë para e mirëqenie për vetëm 20 për qind të botës që zotëron 80 për qind të pasurisë së të gjithë planetit. As atë shprehjen e famshme të Gandit “Bëhu në botë ndryshimi që kërkon të gjesh” nuk është se e kemi vënë në jetë.

* Kemi harruar zjarret e Amazonës dhe Australisë shumë shpejt, ato zjarre që dogjën mushkërinë e madhe të planetit. Dhe ja, si një hakmarrje, Corona vjen si zjarr dhe djeg mushkëritë tona duke na bërë të provojmë dhimbjen prej së cilës planeti ka kohë që lëngon.

* Hedhim çdo gjë toksike në tokë, lumenj, dete dhe oqeane duke shkatërruar jetën e shumë gjallesave që i duhen zinxhirit tonë ushqimor. Në fjalimin e fitores së çmimit Oscar, Di Caprio foli për këtë, por e dëgjuan shumë pak. Në pjesën më të madhe të rasteve, njerëzit janë indiferentë ndaj së mirës së përbashkët, ndaj fatkeqësisë që nuk na përket.

Bota nuk mund të jetë mirë kur hendeku i pabarazisë dhe kontrastet janë kaq të forta.

Sa njerëz vdesin në Afrikë, ndërsa bota flet aq pak për ta, ndërsa politika botërore bën një minimum të domosdoshëm.

Ebola bëri kërdinë ca vite më parë.

Por në shumë pjesë të kontinentit afrikan, teknologjia nuk është e fuqishme si në Kinë, SHBA apo Europë, dhe informacioni meket gjatë rrugës.

Ndërsa ne të tjerët e kemi dëgjuar, e kemi lexuar, por nuk bëmë asgjë.

As edhe një status solidariteti... Afrika është shumë larg, nuk na përket.

Ky është problemi!

Secili interesohet shumë për të mirën deri tek pragu i shtëpisë dhe ky është gabim, kjo është teza kryesore pse u ula të shkruaj.

Jemi të gjithë pjesë e së tërës. Ekosistemi është shkatërruar nga Egosistemi dhe Toka po na ndëshkon. Toka ka nevojë të pushojë…

Sot, që e gjitha bota ndali vrapin, jemi të lumtur, sepse s’ka makina, ndalën trenat dhe avionët dhe qielli u pastrua.

Bashkë me të pushoi edhe ajo zhurmë që s’na kishte lënë të shijonim muzikën... atë të “Wonderful Life” apo “Nesun Dorma” të Pavarotit që jep shpresë me finalen e “Vincero”. Por më shumë s’kishim shijuar dot muzikën e jetës – një jete që, më në fund, frenoi për të parë sa e bukur është gjithçka rreth nesh.

Letra simbolike imagjinare e Coronës erdhi si një mesazh i mistershëm për mua nga universi, në mesnatë.

Më duket armik në të shumtën e rasteve, sepse ai na udhëzon mos të puthim e përqafojmë njerëzit që duam, na ka marrë lirinë që është më e shtrenjta, s’na le të takohemi me familjarët, s’pyet nëse je i ri apo i moshuar, burrë apo grua; po vret çdo ditë pa mëshirë dhe, më e keqja, edhe në shtratin e vdekjes të lë vetëm – koshient për ikjen në botën tjetër pa asnjë të dashur pranë, që protokolli mjekësor e ndalon rreptësisht. Ja kështu po paguajnë të përzgjedhurit e Coronës, me jetën dhe vdekjen e tyre për të tjerët që do t’ia dalin të mbijetojnë.

Por shpesh nuk më duket armik, mbase një aleat i heshtur që po na jep një mesazh, një shans të dytë. Bota nuk është mirë!

Ka shumë urrejtje, shumë luftë nën tokë (aty ku të gjithë do shkojmë një ditë).

Ndaj, mbase duhet vërtet të reflektojmë për këtë që kemi fatin të gëzojmë mbi Tokë.

Kjo frika, mbase do të na shërbejë për mirë.

Mbase Corona është pasword-i i një jete të re të ridimensionuar.

Unë, Ti, Fëmijët tanë, prindërit, miqtë, kolegët, shoqëria – NE duhet të ndryshojmë mendimet, që udhëheqin veprimet tona.

Askush nuk është mirë kur shoqëria nuk është mirë.

Asgjë s’mund të shkojë mirë kur planeti është keq.

Është koha kur secili të mos mendojë si Unë, por si Ne.

Corona nuk është vetëm virusi kërcënues i jetës, por edhe antivirusi i pandemisë më të madhe emocionale; urrejtjes, zilisë, etjes për pushtet, duke dëmtuar çdo gjë që del përpara, veç për t’u bërë më të famshëm, më të pushtetshëm, më të fuqishëm financiarisht, më të mëdhenj. Corona na ka bërë një nder: na rikujtoi që jemi të vegjël, na mbylli në shtëpi e na dha kohë që të mendojmë. Jo për veten, por për të gjithë NE.

Të mos harrojmë që jemi të përkoshëm, ndaj duhet ta bëjmë botën një vend më të mirë përmes modelit tonë. Ka gjithmonë një forcë të mistershme më të madhe se ne, që nuk shpëton pasagjerë me status të privilegjuar si në rrëfimin biblik të Varkës së Noas.

Corona zgjedh kë do ajo!