Nata më e madhe në kalendarin e modës ishte parashikuar që këtë vit të mbahej më 4 maj, mirëpo planet kanë ndryshuar. Si pasojë e pandemisë globale, edhe Met Gala, ashtu si shumë evente të tjera është shtyrë.

Ky event i madh është organizuar nga kryeredaktorja e Vogue, Anna Wintour dhe prej vitit 2005 është mbajtur të hënën e parë të majit. Për herë të parë këtë vit nuk do të ndodhë kështu.

Tema e këtij viti ishte "About Time: Fashion and Duration", e sponsorizuar nga marka luksoze Louis Vuitton. Parashikohej që veshjet e VIP-ave të ishin si një udhëtim në kohë nga 1870-a deri në ditët e sotme.

Muzeu Metropolitan njoftoi pak ditë më parë se do t’i mbyllë dyert përkohësisht. Wintour konfirmoi në një artikull në Vogue se eventi nuk do të mbahej siç ishte planifikuar, për shkak të vendimit të muzeut. Ajo shtoi se do të ketë një njoftim të dytë për datën kur do të mbahet Met Gala.

Na mbetet vetëm të presim.