Alma Kasa është një mjeke onkologe në Itali, e cila pak ditë më parë foli për luftën e tmerrshme me koronavirusin për gazetën italiane La Stampa. Sot ajo tregon më shumë rreth kësaj eksperience për Revistën Class. Duke qenë se ndodhej në vatrën e infeksionit, duke luftuar në vijën e parë, Alma u prek nga koronavirusi dhe aktualisht ndodhet e izoluar në shtëpinë e saj. Fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore. Alma jeton në Casale Monferrato, Aleksandri, me bashkëshortin e saj, Blerimin dhe të bijën 18-vjeçare, Martinën. Në këtë rrëfim për Revistën Class, ajo tregon më shumë për mënyrën si e ka përballuar virusin, për emocionin që ndjeu kur mësoi se 30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria do të mbërrinin në Itali për të ndihmuar, por edhe për fillimet e saj në Itali.

“Kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë në vitin 2000. Menjëherë pas mbarimit të shkollës kam emigruar në Itali. Sigurisht ardhja në Itali si për të gjithë shqiptarët s’ishte e lehtë, sepse po filloja jetën nga e para në të gjitha aspektet. Nga ana profesionale ishte gjithashtu shumë e vështirë, pasi diplomat tona universitare nuk njiheshin. Kështu që, pas lindjes së vajzës, në vitin 2001, vendosa t’u përkushtohesha studimeve të mia dhe pas shumë provimeve të detyrueshme u diplomova në Universitetin e Torinos. Arrita të kualifikohem për të filluar punë si mjeke në Spitalin “Santo Spirito” në Casale Monferrato, në vitin 2005. Më pas kam kryer edhe shumë specializime të tjera, -tregon Alma për Revistën Class.

Ashtu si për çdo mjek, edhe për Almën jeta profesionale s’ka qenë e thjeshtë. Qyteti i Casale-s njihet për një sëmundje profesionale vdekjeprurëse, Mesotelioma Pleurico, që prek pleurën dhe shkaktohet nga mbetjet e amiantit. Siç thotë Alma “kjo sëmundje është dramë sociale dhe psikologjike për të gjithë banorët e qytetit ku ajo jeton.” Por ky nuk është i vetmi shqetësim, pasi gjërat janë bërë edhe më të tmerrshme që pas përhapjes së COVID-19.

“Është një sëmundje që mund të infektohesh shumë lehtë; nëpërmjet vijës ajrore dhe kontaktit të sipërfaqeve si rrobat, materialet plastike, metali, etj. Është shumë e vështirë të mbrohesh. Ne mjekët ishim shumë të ekspozuar në fillim, pa e ditur që virusi kishte mbërritur në Itali, sepse ishte periudha në të cilën në spitale nuk përdoreshin akoma mjetet mbrojtëse (maska, doreza, veshje mbrojtëse shtesë, etj.).

Në vizitat e zakonshme me pacientët që marrin trajtim mjekësor në shtëpi, unë kam pasur kontakte me një paciente që më vonë rezultoi pozitive në testin COVID-19. Sipas protokolleve, pas konfirmimit të gjithë personat më të cilët pacienti ka pasur kontakt duhet të qëndrojnë në karantinë 14-ditore. Mbas ditës së shtatë të qëndrimit në izolim në shtëpi filluan të më shfaqeshin edhe simptomat e para: temperaturë, dhimbje të kyçeve dhe të gjithë muskujve, pafuqi fizike. Kërkova të më bëhej testi, i cili rezultoi pozitiv.

Si mjeke i kuptova menjëherë shenjat dhe fillova mjekimin që në fazat e para dhe pata përmirësime të dukshme të frymëmarrjes. Ka rëndësi të veçantë trajtimi i sëmundjes që në fazat e para për të evituar insufiçencën respiratore akute, që është një nga arsyet kryesore që shkakton vdekjen te pacientët,” -rrëfen Alma, e cila tregon se përveç gjendjes jo të mirë shëndetësore në të cilën ndodhej, shqetësohej shumë edhe për familjarët e saj.

“Për mua dhe familjen time nuk ishte e lehtë, fillova të ndihem në faj që për shkakun tim, personat më të shtrenjtë për mua rrezikojnë të infektohen nga kjo sëmundje e pamëshirshme.”

Aktualisht gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm, megjithatë ajo vazhdon të jetë e izoluar.

“Momentalisht vazhdoj të qëndroj e izoluar nga të dashurit e zemrës, gati prej 1 muaji. Jam në pritje të përgjigjes përfundimtare të testimeve. Ndihem shumë me fat që sot po jap këtë intervistë dhe po tregoj eksperiencën time, sepse kam shumë njerëz të njohur dhe kolegë të cilët nuk janë më midis nesh”, -shprehet ajo.

“Në Spitalin “Santo Spirito” gjendja është kritike, gati të gjithë repartet janë transformar në COVID, ku pacientët ndihen vetëm dhe shumë prej tyre largohen nga jeta të vetmuar, pa praninë e familjarëve, pa pasur mundësi kontakti me të dashurit e tyre, pa nje tufë me lule. Është një tragjedi si për familjarët, edhe për mjekët, infermierët dhe operatoret sanitare. Ana psikologjike e personelit mjekësor është e rënduar, sepse ndihen të pafuqishëm për t’u shpëtuar jetën. Ky është misioni i mjekut të shpëtojë jetë njerëzish, të bëj të pamundurën për t’i mbajtur gjallë, jo vdekja.”

Për Almën, ashtu si për shumë shqiptarë në Itali, ishte një emocion i madh kur mësoi nga mediat se 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë do të mbërrinin në Itali për të ndihmuar në këtë situatë të tmerrshme. Jehona që mediat italiane i bënë këtij gjesti nga ana e Shqipërisë, bëri krenarë shumë shqiptarë në Itali dhe jashtë saj.

“Mbeta shumë e emocionuar nga fjalët e kryeministrit Rama kur 30 mjekë dhe infermierë shqiptarë udhëtuan për t’u ardhur sadopak në ndihmë ekipeve mjekësore në Itali. Më besoni, mjekët në itali po punojnë me orare shumë të zgjatura dhe një ndihmë sado e vogël, vlen shumë. Jam ndjerë shumë krenare që jam shqiptare, kishte kohë që nuk ndodhte. Shumë persona më kanë falënderuar me mesazhe dhe telefonata.”

Në fund, Alma ka një mesazh të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët, të cilët duhet të ndërgjegjësohen për të mirën e të gjithëve dhe sidomos atë të familjarëve të tyre.

“Jeta dhe shëndeti janë gjëja më e shtrenjtë, prandaj duke marrë shkas nga ekperienca ime u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të qëndrojnë në shtëpi. Merrni masa mbrojtëse: maska, doreza, lani duart sa më shpesh. Kur jeni jashtë shtëpisë përdoni solucionet antibakteriale me bazë alkooli. Mos dilni pa shkaqe të rëndësishme, mbani distancën e nevojshme fizike me njëri-tjetrin. Vetëm kështu ky tmerr mund të ndalet dhe të fillojmë jetën normale përsëri. Ruani gjyshërit dhe familjarët tuaj, duke qëndruar në shtëpi.

Uroj që të gjithë shqiptarët të ndërgjegjësohen për të mirën e përbashkët. Të evitojmë të njëjtin skenar që po ndodh në Itali. Ne e dimë që jemi një popull i varfër dhe nuk kemi mundësi që të përballojmë ngjarje të kësaj natyre, prandaj mbrojtja është gjëja më e mirë. Shpresa është e vetmja gjë që na mban gjallë, në një kohë që situata është shumë e vështirë për ta përballuar me forcat tona.”