Nëse pasuria e Jeff Bezos vazhdon të rritet si aktualisht, atëherë ai do të bëhet trilioneri i parë në botë, në vitin 2026. Në këtë përfundim dolën studimet e Comparisun.

Pasuria e Bezos është rritur me përafërsisht 34% në vit, në 5 vitet e fundit. Duket se as rënia e fitimeve të Amazon me 28% vitin e kaluar dhe as divorci nga bashkëshortja MacKenzie Bezos, që i kushtoi një pjesë të madhe të pasurisë, nuk e kanë “zbritur nga froni” njeriun më të pasur në botë.

Comparisun publikoi 25 njerëzit më të pasur në botë, por vetëm 11 prej tyre mund të bëhen trilionerë gjatë jetës së tyre. Me shumë mundësi, Bezos do të jetë i pari, por CEO i Facebook, Marc Zuckerberg do të jetë më i riu.

Nëse pandemia ndikoi negativisht në shumë biznese, për Amazon ndodhi e kundërta, pasi njerëzit u orientuan drejt blerjeve online më shumë se kurrë.

Sipas Bloomberg, Bezos ka një pasuri prej 138 miliardë dollarësh dhe kjo pasuri është rritur me 28.3 miliardë gjatë këtij viti. Nëse pasuria e tij vijon të ketë një rritje të tillë, atëherë në moshën 62-vjeçare, Bezos do të jetë trilioneri i parë në botë.

Burimi: Business Insider