Izraeli ka miratuar një bllokim të dytë të vendit, ndërkohë që rastet e koronavirusit shtohen me shifra alarmante në të gjithë vendin. Bllokimi, i cili pritet të fillojë të premten pasdite, do të bëjë që vendi të kthehet në të njëjtat kufizime të rënda si gjatë bllokimit të parë në prill.

Shkollat, restorantet (përveç shpërndarjes), vendet e argëtimit dhe bizneset e tjera do të mbyllen, për një periudhë fillestare prej tre javësh, e cila mund të zgjatet në varësi të shifrave të infektimeve të reja. Sektori publik do të funksionojë me një fuqi punëtore të kufizuar, ndërsa bizneset e sektorit privat mund të veprojnë për sa kohë në hapësirën e punës janë vetëm punonjësit dhe jo klientët.

Nga njerëzit kërkohet të mos dalin më larg se 500 metra nga shtëpia e tyre. Shërbimet e urgjencës, si dhe farmacitë dhe dyqanet e ushqimit do të qëndrojnë të hapura. Mbledhjet në natyrë do të kufizohen në 20 persona, ndërsa tubimet në ambiente të mbyllura do të jenë të kufizuara në dhjetë persona.

Kufizimet do të lehtësohen vetëm kur Izraeli të regjistrojë një rënie të ndjeshme të normave të infeksionit.

Bllokimi u njoftua pasi rastet me koronavirus u rritën javën e kaluar, duke arritur një rekord prej 4,217 rastesh të reja brenda 24 orëve të enjten, dita e tretë me radhë me më shumë se 4,000 raste të reja të regjistruara. Numri i pacientëve në gjendje të rëndë gjithashtu është rritur në mënyrë të vazhdueshme.

Izraeli është vendi i parë në botë që imponon një bllokim të dytë të vendit për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve. Megjithatë, mbyllja ndezi një debat brenda qeverisë, duke qenë se disa ministra kundërshtuan bllokimin e plotë.

Burimi: CNN