Një ndër të parët politikanë shqiptarë që veshi atlete në fushatë ka qenë Edi Rama, i cili njihet për stilin origjinal dhe jashtë kornizave. Larg profilit klasik të një politikani të kollarisur, Kryeministri ynë është komentuar jo pak për veshjet ndryshe – madje edhe ndër mediat ndërkombëtare.

Në Amerikë është Kamala Harris, kandidatja për zv/presidente, ajo që, kohët e fundit, e ka gjetur veten edhe mes titujve të modës si një personazh që guxon edhe sa i përket veshjes së këmbëve.

Atletet e famshme Converse janë një ndër veshjet më komode me të cilat Harris është identifikuar, më së shumti gjatë kësaj fushate për zv/presidente e Amerikës.  

E konsideruar si mbretëresha e Converse, Kamala Harris pranon se çdo veshje e mirë mund të kombinohet lehtësisht me një palë atlete të bardha. Senatorja e famshme amerikane e ka bërë zgjedhjen e saj, por tashmë zbulon edhe arsyen pse zgjedh pikërisht atletet Converse.

E ftuar në “Shopping Sneaker”, Senatorja amerikane shpjegoi pse ka bërë këtë zgjedhje përgjatë gjithë këtyre javëve në fushatë elektorale.

Nëse deri tani keni menduar se atletet dhe politika nuk shkojnë bashkë, ka ardhur kohë të ndërroni mendje. Harris ju bind për të kundërtën.

Kur është fjala për dashurinë e saj për atletet Converse, Kamala thotë se ato "janë si një deklaratë që tregojnë se kush jemi në të vërtetë. Mendoj se kjo ka të bëjë vetëm me faktin se të gjithë duam të kthehemi te disa gjëra themelore për të treguar atë që jemi".

Pavarësisht se nuk u lejua të vishte atlete në tapetin e Senatit, Kamala ka pasur shumë sukses me to së bashku me Joe Biden në fushatë në rrugën drejt Shtëpisë së Bardhë. "Nuk ka të bëjë me komoditetin, më shumë sesa me lidhjen që krijon me to",- tha ajo.

E ndodhur në një dyqan atletesh në Charlotte, NC, Kamala ka zbuluar se modeli i ri ka mesazhe që mbështetin zgjedhjet elektorale 2020 që po ofrojnë. Mesazhi i Kamala-s ishte i qartë: "Mos lejoni askënd të marrë nga fuqia juaj. Vota është një shprehje e fuqisë, është shprehje e zërit tuaj".