
Elon Musk ia ka kaluar themeluesit të Amazon, Jeff Bezos për të marrë titullin e personit më të pasur në botë, sipas Bloomberg.
Një rritje prej 6% në aksionet e Tesla (TSLA) të enjten, ngriti vlerën e aksioneve të CEO-s së saj me 10 miliardë dollarë, duke e çuar vlerën e tij neto në rreth 191 miliardë dollarë. Një rritje më modeste, me më pak se 2%, ngriti aksionet e Bezos në Amazon (AMZN) me rreth 3 miliardë dollarë, duke e çuar pasurinë e tij në 187 miliardë dollarë.

Bill Gates tani është njeriu i tretë më i pasur në botë, me 132 miliardë dollarë, sipas Bloomberg.
Pjesa e aksioneve të Bezos në Amazon u rrit me 75 miliardë dollarë në vitin 2020, në 173.3 miliardë dollarë, duke pasur parasysh rritjen e madhe të shitjeve nga pandemia e Covid-19.
Por kjo nuk ishte asgjë në krahasim me pronat e Musk në Tesla. 170 milionë aksione të Tesla-s që ai zotëron u rritën me 106 miliardë dollarë gjatë vitit 2020, ndërsa aksionet u rritën me 743% gjatë vitit.
Musk kaloi Gates për titullin e personit të dytë më të pasur në botë në fund të nëntorit, por aksionet e Tesla-s janë rritur në vlerë me 45% që nga ajo kohë, duke rritur pasurinë e Musk me 53 miliardë dollarë gjatë dy muajve të fundit.
