Vaksinimi mund të kthehet në një pasaportë digjitale për shumë vende të botës. Kjo nënkupton që personat të cilët nuk do të vaksinohen, nuk do të mund të udhëtojnë pa qenë nevoja t’u nënshtrohen masave anti-Covid, siç janë testi PCR dhe vetë-izolimi për 7 ditë. Nga ana tjetër, është e qartë se personat të cilët janë vaksinuar kundër COVID-19 mund të gëzojnë privilegje të caktuara - të tilla si të qenit në gjendje të udhëtojnë lirshëm pa asnjë kufizim.

Po Shqipëria sa e përgatitur është për diçka të tillë?

Duke folur nga konferenca me në fokus ekonominë, kryeministri Rama tha se pasaporta e vaksinimit është gati.

“Kemi përgatitur pasaportën digjitale të vaksinimit. Vaksina mund të kthehet në kusht udhëtimi për të tjerët. Revolucioni digjital nuk është fakt për të cilin flas unë apo ne, por Shqipëria është vlerësuar shumë nga raportet më prestigjioze,” –tha Rama.

Personat që marrin vaksinën anti-Covid në vendin tonë do të pajisen me një pasaportë digjitale, përmes një kodi unik që merret në portalin e-Albania. Pasaporta do të jetë e vlefshme për t’u shkarkuar vetëm pas kryerjes së dy dozave të vaksinimit, mund të gjendet lehtë në aplikacionin e-Albania dhe nuk do të ketë asnjë kosto për qytetarët.