Është konsideruar më i rrezikshëm se çdo mutacion tjetër i lindur deri tani. Mutacioni brazilian i Covid-19 mund të infektojë sërish edhe njerëzit që e kanë kaluar një herë koronavirusin. Hipoteza e ngritur disa javë më parë nga mjekët dhe specialistët e shëndetit po vërtetohet me studimet e fundit për mutacionet e reja që ka pësuar COVID-19.

Një studim i fundit është publikuar në revistën shkencore “The Lancet”, ku shkruhet, ndër të tjera, se analizat e plazmës së gjakut, të marra nga disa persona që e kanë kaluar një herë infektimin, treguan se antitrupat e zhvilluar prej tyre kishin kapacitet neutralizues 6 herë më të ulët përballë mutacionit brazilian.

Ky rezultat do të thotë se edhe vaksinat që po përdoren aktualisht për imunizimin e popullatës në vende të ndryshme, nuk arrijnë ta pengojnë infektimin për herë të dytë me mutacionin brazilian të koronavirusit.

Po kështu, studime të tjera kanë zbuluar se edhe mutacioni që qarkullon në Afrikën e Jugut ka të njëjtin agresivitet dhe konsiderohet po njëlloj i rrezikshëm si varianti brazilian.

Nga ana tjetër, studimet për antitrupat e zhvilluar nga vaksinat Pfizer/ Biontech dhe Moderna përcillen edhe përmes qumështit të gjirit. Ky i fundit u konstatua me nivel të lartë antitrupash që pas injektimit të dozës së parë.

Megjithatë, ende nuk është përcaktuar koha e qëndrimit të tyre aktiv tek të porsalindurit.