Foto: Reuters

Zbulimi i një qyteti 3,000-vjeçar që humbi nga rërat e Egjiptit është vlerësuar si një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike që nga zbulimi i varrit i Tutankhamun.

Egjiptologu i njohur Zahi Hawass njoftoi zbulimin e "qytetit të artë të humbur" pranë Luxor, dje. Ai tha se gjetja ishte qyteti më i madh antik, i njohur si Aten, i zbuluar ndonjëherë në Egjipt. Qyteti u zbulua brenda pak kohësh nga gërmimi që filloi në shtator të 2020-ës.

Foto: National Geographic

Qyteti daton në mbretërimin e Amenhotep III, një nga faraonët më të fuqishëm të Egjiptit, i cili sundoi nga viti 1391 në 1353 para Krishtit. Ai vazhdoi të përdorej nga faraonët Ay dhe Tutankhamun, varri gati i paprekur i të cilëve u zbulua në Luginën e Mbretërve nga arkeologu britanik Howard Carter në vitin 1922.

"Zbulimi i këtij qyteti të humbur është zbulimi i dytë më i rëndësishëm arkeologjik që nga varri i Tutankhamun," tha Betsy Brian, profesoreshë e Egjiptologjisë në Universitetin John Hopkins në Baltimore, SHBA.

Ajo tha se qyteti do të na jepte një vështrim të rrallë në jetën e egjiptianëve të lashtë, në kohën kur perandoria ishte në periudhën e saj më të pasur. Gërmimi zbuloi një numër të madh gjetjesh të vlefshme arkeologjike, të tilla si stoli, qeramikë me ngjyra, hajmali dhe tulla balte që mbanin vulat e Amenhotep III. Ekipi filloi gërmimet në bregun perëndimor të Luxor pranë Luginës së Mbretërve, rreth 500 km në jug të kryeqytetit Kajro.


Foto: Reuters

"Brenda javësh, për habinë e madhe të ekipit, formacionet e tullave prej balte filluan të shfaqeshin në të gjitha drejtimet," tha Dr Hawass në deklaratën e tij. "Ajo që ata zbuluan ishte një qytet i madh, i ruajtur në një gjendje të mirë, me mure pothuajse të plotë dhe me dhoma të mbushura me mjete të jetës së përditshme."

Dy varre të pazakonta të një lope ose demi u gjetën brenda një dhome në qytet dhe janë duke u zhvilluar hetime për të përcaktuar natyrën dhe qëllimin e varrimeve të kafshëve.

Foto: National Geographic

Gjithashtu janë zbuluar disa zona ose lagje, përfshirë një furrë buke, një rreth administrativ dhe një zonë banimi.

"Shumë misione të huaja kërkuan për këtë qytet dhe nuk e gjetën kurrë", -u shpreh Dr Hawass. Ai tha se puna e mëtejshme arkeologjike ishte duke u zhvilluar në vend dhe ekipi i tij "pret të zbulojë varre të paprekura të mbushura me thesare".

Foto: Reuters

Egjipti po kërkon të promovojë trashëgiminë e tij antike për të ringjallur sektorin e turizmit, i cili ka marrë fund pas viteve të trazirave politike dhe përçarjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.