Pas një viti në izolim, shumë njerëz po kërkojnë për vende të bukura për t’i vizituar meqë pjesa më e madhe e botës po rihapet. Nëse edhe ju jeni ndër këta njerëz dhe nuk e keni vendosur ende ku të shkoni, hidhini një sy kësaj liste të Time Out me disa nga rrugët "më interesante në botë". Këto rrugë janë zgjedhur nga rreth 27,000 banorë të qyteteve nga e gjithë bota.

Redaktorët e Time Out nga secili destinacion anketuan rrugët e sugjeruara, duke u përqëndruar në pikat kryesore të ushqimit, ofertat kulturore dhe ato të jetës së natës. Ekipi gjithashtu shqyrtoi mënyrën se si secila rrugë ka kultivuar një ndjenjë të komunitetit, e cila ka qenë ndoshta më e rëndësishme se kurrë në prag të pandemisë.

Në krye të listës është Smith Street në Melbourne, Australi, një rrugë e zhurmshme e njohur për dyqanet e pavarura, baret gay, vendet e muzikës live dhe restorantet e shkëlqyera. Sipas Time Out, mënyra në të cilën komuniteti lokal është mbledhur rreth bizneseve të Smith Street gjatë izolimeve të Melburnit ndihmoi rrugën të arrijë vendin e parë. Bari i vogël për koktejle, Above Board, është një nga pikat e Smith Street të theksuara në listë.

Numri dy në listë është Passeig de Sant Joan e Barcelonës. Rruga spanjolle mund të mos jetë aq e famshme sa Las Ramblas e Barcelonës, por Passeig de Sant Joan është e njohur si një nga korridoret e para të gjelbërta të qytetit - ka korsi biçikletash, trotuare të gjera, pemë dhe shumë ambiente të jashtme për t’u ulur. Tani është hapur edhe tregu i ushqimit Mercat de l'Abaceria.

Në numrin tre në listë është South Bank e Londrës, një rrugë interesante që është shtëpia e Teatrit Kombëtar të Londrës dhe Shakespeare's Globe, të dy duke u përgatitur për sezonet e teatrit veror, ndërsa Anglia vazhdon të zhbllokojë kufizimet e saj Covid. Ky vendkalim në Londër është i njohur gjithashtu për pamjet mbresëlënëse të Katedrales së Shën Palit përtej lumit.

Lista me 10 rrugët më të mira sipas Time Out:

1. Smith Street, Melburn, Australi

2. Passeig de Sant Joan, Barcelonë, Spanjë

3. South Bank, Londër, Mbretëri e Bashkuar

4. San Isidro, Havana, Kubë

5. Sunset Boulevard, Los Angeles, SHBA

6. Witte de Withstraat, Roterdam, Hollandë

7. Rua Três Rios, São Paulo, Brazil

8. Haji Lane, Singapor

9. Rua Rodrigues de Faria, Lisbonë, Portugali

10. Calle Thames, Buenos Aires, Argjentinë